MENU
klinika

Nga Carlo Bollino

Listat e hapura, logjika e SHBA rizgjon Lulin dhe Ilirin nga ëndrrat e tyre pa logjikë

30.07.2020 - 14:27

Nga Carlo Bollino

Nuk e kam zakon të vetëpëlqej gjërat që shkruaj, por ngushëllohem saherë logjika që përpiqem të ndjek në analizat e mia, gjen konfirmim edhe në logjikën e të tjerëve.

Mesazhi me të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes ambasadës së tij në Tiranë, u hapi rrugë modifikimeve kushtetuese që kuvendi do të votojë për të lejuar që vitin e ardhshëm të votohet më në fund me lista të hapura, konfirmon saktësisht atë që kisha parashikuar në një editorial bërë me 11 korrik.

Në fakt, logjika e politikës ndërkombëtare dhe e diplomacive nuk ndjek skema të spërdredhura të militantëve që propaganda e partive ushqen me pasion. Për të çmontuar këtë logjikë të së vërtetës nuk mjaftojnë ultimatumet kërcënuese të politikanëve, gënjeshtrat e analistëve dhe as të qeshurat e tyre me sarkazëm në studio televizive apo media sociale dhe akoma më pak nuk shërbejnë shpifjet dhe ofendimet të cilat përdorin kur mbarojnë çdo argument

Ripërmbledhim atë që tha sot Departamenti Amerikan i Shtetit me mesazhin e tij në prag të 30 korrikut, pra të ndryshimeve kushtetuese mbi listat e hapura:

1) Ky parlament është plotësisht legjitim dhe është ky parlament që duhet të votojë ligje dhe nëse duhet edhe modifikime kushtetuese. I thënë me fjalët e Departamentit të Shtetit ”Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin”. Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, që vazhdojnë ta quajnë parlamentin “ilegjitim” nuk do t’u pëlqejë, por ky është fakt.

2)  Opozita ekstraparlamentare (duke nisur nga PD, LSI, PDIU etj.) në momentin që vendosi të japë dorëheqjen nga parlamenti, 17 muaj më parë, humbi rolin e vet institucional. Sipas Departamentit të Shtetit ata  ”kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament”. Kjo natyrisht nuk do të thotë se nuk duhet të konsultohen, duke përfaqësuar një pjesë të gjërë të opinionit publik shqiptar, por nuk kanë asnjë të drejtë vetoje mbi vendimet e parlamentit.

3) Të hapësh listat dhe të ndryshosh kushtetutën siç e kërkon opozita parlamentare në dakordësi me Partinë Socialiste, nuk është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit.

4) Nëse Kuvendi do të vendosë të votojë me 30 korrik ndryshimet kushtetuese për të hapur listat, është një vendim legjitim, por megjithatë ato do të plotesohen në kuadër të Këshillit Politik dhe me modifikimet e duhura të kodit zgjedhor sa i takon si aplikimit të listave të hapura, ashtu edhe koalicioneve parazgjedhore, si ka premtuar Edi Rama.

Nuk mund të kalojë pa u vënë re se në deklaratën zyrtare duke lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit (votuar me unanimitet nga të gjitha partitë) Ambasada amerikane nënvizon se ishte një marrëveshje transparente dhe “gjithëpërfshirëse” (“inclusiveness” në versionin anglisht), ndërsa marrëveshja që Shtetet e Bashkuara presin pas 30 korrikut në Këshillin politik mbi listat e hapura dhe koalicionet, duhet të jetë trasparent, por vetëm “përfshirës” (“inclusive” në versionin anglisht), një diferencë e evidentuar edhe në përkthimin zyrtar të Ambasadës së SHBA. Që duket se do të thotë, edhe pa uninamitet me 100% për ne është OK.

E gjithë kjo mund të zhgënjejë pritshmërinë e ekzagjeruar të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe të Presidentit të Republikës ndaj vleresimit të komunitetit ndërkombëtar, që sipas tyre do të duhej të reagonte me grusht të hekurt kundër Edi Ramës dhe Rudina Hajdarit duke u ndjerë të tradhëtuar nga propozimet e tyre. Në realitet pjesa dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar jo vetëm që nuk është ndjerë e tradhëtuar, por i kujtuan PD-së dhe LSI-së gabimin historik që bënë duke braktisur kuvendin. Saktësisht, siç më kishte diktuar logjika dy javë më parë.

Tani mbetet të shohim nëse retorika e opozitës jashtëparlamentare do të kthehet e do të akuzojë komplotin e “republikës së ambasadorëve” siç ka bërë për 7 vite me radhë apo nëse më në fund do ta kuptojë se ka gabuar dhe se do të përgatitet për betejën e ardhshme zgjedhore duke shpresuar që zgjedhësit t’ua falin jo vëtëm krimet që bënë kur ishin në pushtet, por edhe gënjeshtrat e thëna dhe gabimet e bëra si dhe premtimet e pambajtura që kur janë në opozitë.