MENU
klinika

Koleksioni i rrallë

Madhështia e shqiptarit në penelin e piktorit serb…

22.07.2020 - 06:44

Pavlo Paja Jovanoviç ishte një piktor serb me origjinë kroate, i cili njihet më së shumti për stilin realist. Punimet e tij të para përfshijnë piktura me motive orientale të cilat ishin mjaf të arrira nga pikëpamja artistike. Ai është konsideruar si “orientalisti” më i madh serb.

Por për shqiptarët pikturat e Jovanoviçit thojnë shumë më tepër se një stil i artit pamor, pikturat e tij dëshmojnë traditat dhe folkun shqiptar të fund shek. XIX me gjithë krenarinë që e karakterizon atë. Gjatë periudhës së parë të krijimtarisë së tij u shqua me tablotë ku pasqyrohet jeta piktoreske në Shqipëri. Pas vitit 1893 filloi një seri kompozimesh të konceptuara në formë dekorative. Më vonë (1906) iu kushtua kryesisht gjinisë së portretit.

Jovanoviçi ka udhëtuar disa herë në vendin tonë. Në Shkodër ka qëndruar më shumë për t’u njohur me kostumet kombëtare, objektet e orendi me ornamentikë të pasur popullore.

Nisur nga kjo krijimtari e popullit e nga zakonet e vendit, ai realizoi disa tablo ku pasqyroi me besnikëri tipa dhe karaktere shqiptarësh.

Gjatë qëndrimit në Shkodër u miqësua me iktorin tonë të shquar të Rilindjes Kombëtare, Kolë Idromenon. Dashuria për kulturën shqiptare dhe dëshira për t’i pasqyruar në art i lidhi ngushtë.

Thuhët se në një tablo të Jovanoviçit, Idromenoja ka pikturuar një figurë malësori me veshje kombëtare. Kjo është bërë me kërkesë të Jovanoviçit, në shenjë respekti për kolegun shqiptar.

Kolë Idromenoja piktor i shquar shkodran, ishte mik i Jovanoviç.

Mendohet se Jovanoviçi ka bërë 8 tablo me temë shqiptare. Më të njohurat janë: “Vallja e shpatave”, “Këngë për Skënderbeun”, “Mësimi i shpatës”, “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Tregim nga Kosova”, “Vajza me çifteli”, “Lufta e gjelave”.

Veprat origjinale me temë shqiptare të Jovanoviçit ruhen në muzetë dhe galeritë e Londrës, Vjenës dhe Beogradit.

Pikturat e mëposhtme të Jovanoviçit e paraqesin shqiptarin krenar deri në mendjemadhësi.

Përgatitja e nuses shqiptare, 1886
Mësimi i shpatës, 1890
Poema e Skënderbeut
Tregim nga Kosova
Lufta e gjelave, 1897
Vallja e shpatave
Vajza me çifteli
Dredhja e duhanit
Shqiptari duke u relaksuar
Shqiptar
Dy rojet

(Referencat marrë nga libri “Arti në Ballkan”, A. Kosta)