MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Martin Camaj ka qenë i urryem, por jo edhe i persekutuem!

08.07.2020 - 12:45
Martin Camaj ka nevojë me u çlirue prej cilësimit si shkrimtar i persekutuem nga komunizmi. Ka qenë i urryem, por jo edhe i persekutuem! Prej arratisjes si 23-vjeçar, ai ka jetue 40 vjet jashtë Shqipnis’ enveriste. Në Beograd, Sarajevë, Romë e Mynih, jetoi në fildish e ma komod sesa krejt emigrantët politikë shqiptarë mas LDB.
Jam prej atyne që kurrë nuk âsht mbresue prej aftësive shkrimtareske të tij. Ka pas nji vokacion në poezi, por si romansier ishte mediokër. Derisa pëlqimi ose mospëlqimi i jem ose i yti nuk âsht kategori estetike, meritat e Camajt janë gjetkë. Si profesor shumëvjeçar në katedrën e Albanologjisë në Mynhen, ai e ka meritën që ka sythue sa e sa albanologë gjermanë.
Ky ásht Camaj shqeto. Përtej kësaj fillojnë veçse mbivlerësimet pa mbulesë. Barabar me nostalgjinë enveriste âsht bukur problematike edhe fryma jokritike për gjithçka që sot tubëzohet nën termin gjenerik “anti-komunist”.
Në dritën e hallakamës së fundit në Tiranë e Shkodër, “dosja” e publikueme prej Auron Tares sjell nji anë tjetër të emigracionit politik shqiptar. Pa spekulue për motivet ulteriore të Tares për publikimin e fashikujve të Sigurimit, fakt âsht që dokumentet e raportet janë autentike dhe, për ma tepër, përmbajnë prova shkatërruese që e implikojnë Camajn në pezhishka të shërbimeve të spiunazhit.
Nuk ka kurgja të re që ata emigrantë të hapërdamë, që s’e pranuen kurrë çizmen komuniste, u shënjestruen prej inteligjencave të hueja: OZNA, CIA, MiG britanik, shërbimet turke e greke, etj. Kur Petro Marko shkoi në Romë, ai pa me sytë e tij qysh emigrantët politikë shqiptarë e kalonin kohën në hotele tu lu rolet e bixhoz.
Së këndejmi, rrethanë ránduese për Camajn nuk âsht pse nuk i duroi intimidimet nga oficeri i Sigurimit me 1948 e as pse nuk i tha “jo” ofertave gjeneroze të spiunazhit jugosllav me studiue në
Beograd me bursë të plotë, me i shiju amenitetet e studentit të privilegjuem, me ra në krahët e vajzës së nënkryetarit të Beogradit…
Fundja nuk janë krejt si mësuesi martir i Drenicës, Fazli Grajqevci që hetuesit e UDB-së e rrahën për vdekje në burgun e Prishtinës.
Nji grusht intelektualësh shqiptarë në ish-Jugosllavi nuk duhen me u rándue me akuzën se nuk i rezistuen rekrutimit në shërbime të mshefta. Fjala vjen, Hasan Kaleshi nga Kërçova përfaqëson etalonin e intelektualit që kompromison esencën e integritetin e vet për favore e jetë bohemi.
E kalumja e tij si “kuisling” (meqë kish punue si përkthyes në nënperfekturën e Kërçovës) u amnistue kollaj prej UDB-së që i ofroi mbështetje me doktorue e me e dërgue edhe jashtë vendit.
Nga pozita e intelektualit regjimist që shkonte deri në niveli renegati imoral, Kaleshi u shndërrue në korifeun e pamfleteve e kastigimeve antishqiptare, madje tu i përqafue me ándje edhe paradigmat shovene se shqiptarët në Kosovë e Maqedoni ishin fryt i nji kolonizimi të vonë.
Camaj e Kaleshi ishin miq me njani-tjetrin e partner në krim. Ky krim ma pak ka të bajë me mpleksjen e tyne në UDB (që fundja mund t’i ketë shantazhue), e ma shumë me atë pse kurrën e kurrës nuk e shfaqën asnji dromcë keqardhje për të kalumën e tyne.