MENU
klinika

Takimi në Gjermani

Martin Camaj, nuk ushtroi kurrë akte spiunazhi…

15.07.2020 - 16:47

       Analisti Frrok Çupi, ka komentuar në studion e emisionit “Provokacija”, debatin publik për etiketimin e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Çupi tha, se ato që janë shkruar për këto dy figura nuk janë të vërteta, duke shtuar se dokumenti nuk ka as firmën dhe as shkrimin e Martin Camajt, por shtoi se edhe po të faktohej kjo gjë, sërish dokumenti është bosh. Ai rrëfeu edhe takimin me Camajn në Gjermani dhe arsyen. pse ai nuk vinte më në Shqipëri.

“Ato që janë shkruar nuk janë të vërteta. Dokumenti është një dokument i lëshuar në datë 10 Maj të vitit 1948 dhe nuk ka as shkrimin as firmën e Martin Camajt. Edhe sikur të ishte, kjo është bosh, sepse Martin Camaj nuk ushtroi kurrë akte spiunazhi. Një pas një, të gjitha janë të pavërteta. Dhe fakti që u martua me një vajzë serbe.

Në kohën kur kam lexuar fshehurazi Martin Camajn, na vinin libra nga Kosova. Poezitë e tij i kam lexuar fshehurazi. Unë para se ta takoja Martin Camajn mendoja se ka qenë vërtetë agjent. Por përderisa ka qenë patriot në dobi të Shqipërisë të gjitha janë të justifikuara. Camaj dhe Koliqi kanë qëndruar në elitat e Europës.

Martin Camaj jetonte si fisnik. Ai kishte marrë vesh se ndodhesha në Gjermani për një konferencë në emër të PD-së. Më ftoi në shtëpi dhe më pas kemi qëndruar në darkë deri në 12:00 të natës.

Kemi biseduar për shumë gjëra. Ishte shtatlartë. Më tha që kam vetëm një vit jetë sepse ishte i sëmurë. Pastaj më ka ftuar në studion e tij. Fliste një shqipe të kulluar, një gegënishte të ardhur në gjuhën standarde.

Në tavolinën e tij vinte çdo ditë shtypi shqiptar. Më tha se nuk donte të vinte në Shqipëri. Tha se i kujtonte vrasjen e shokëve të tij dhe se letërsia e realizmit socialist i kishte transformuar vendin që mbante mend. Një detaj interesant është se thonë se merren me Martin Camajn por as 1/1000 nuk është ajo që thonë. Martin Camaj e donte atdheun e tij. Martin Camaj kishte kontakte të vazhdueshme me politikën gjermane. Ishte nëpunës i lartë i shtetit të Bavarisë.

Koliqi ka një shënim diku, ku thotë “Pse më sulmojnë kaq shumë këta të mërgatës”. Dhe i thonë ngaqë nuk je si ata. Koliqi ka thënë se ka gabuar dhe e ka munduar këtë gjë nëpër postet ministrore. Koliqi arriti të hapë 173 shkolla fillore në Kosovë dhe tre të mesme” – tha Çupi.

Studiuesi Auron Tare, pak ditë më parë publikoi një shkrim, i cili shkaktoi shumë debat, për dy figurat e shquara të letërsisë shqiptare Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.

Tare në shkrimin e tij, pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kishin qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentjana Sula ka reaguar duke thënë se ka nisur hetimi administrativ, për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj dixhitale të Martin Camajt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit