Politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, lider i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin me votë fituesin në zgjedhjet e 15 korrikut.
I pyetur nga gazetari Balla se me kë do të bënte koalicion, Ahmeti deklaroi se për të do të ishte mirë të fitonte LSDM e Zoran Zaev, duke shtuar se partia e tij ka vendosur vijën e kuqe për disa ështje thelbësore dhe nuk bën marrëveshje me cilëdo parti që i shkel ato.
“Situata para katër vitesh ka qenë shumë e rënduar, specifike, e ngarkuar. Ajo situatë na vuri në situatë për të bërë një analizë shumë më të thellë me subjektet në vend, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, nuk ishte një vendi i lehtë për t’u marrë. Kanë qenë momente vendimtare nëse do vendosnim që vendi të ecte përpara, ose të qëndronim në vend numëro. Ne morëm vendimin e duhur, në kohën e duhur, që sot ne jemi vend anëtar i NATO, kandidat për të BE. Sot jemi në rrethana krejtësisht ndryshe. Nëse ka parti që nuk pranon marrëveshjen e Prespës, të Ohrit, fqinjësinë e mirë, përgjegjësitë që dalin nga marrëveshja e Ohrit, me ne nuk mund të ketë as partneritet, as bashkëpunim. Këto janë vija të kuqe që i kemi vendosur ne. Ne do të respektojmë votën e qytetarëve. Për ne do të ishte mirë të fitojë LSDM. Pavarësisht se çfarë thotë Zaev, se më ka lodhur me këto deklarata, nuk është hera e parë që e bën, por më thërret pastaj dhe më thotë ‘më fal, nuk do e bëj më’, përsëri them se më 15 korrik vendosin qytetarët dhe për ne ka vija të kuqe”, tha Ahmeti.
A ndryshon Zaev nga Gruevski?
Shqiptarët i dhanë mbështetje Zaevit. Tani ka një zhgënjim, ka rënie goxha të madhe. Për këtë Zaev futi në koalicion partinë Besa, që të ruajë këtë përkrahje, por zhgënjim ka. Unë nuk dua të flas për dobësitë apo përparësit e njëri partner ose tjetrit, por asnjëra palë nuk kujdeset për shqiptarët, nuk janë ashtu siç duken në ekran. Dua që të trajtohen të gjithë njësoj, dhe jo t’u vendosen tatime e gjoba kot. Për gjëra të vogla të gjobitet shqiptari dhe për gjëra më të dukshme të mos gjobitet maqedonasi. Të mos mendojnë njerëzit se janë ata të ekranit si paraqiten si engjej, sepse kur ulemi në tavolinë gjërat janë ndryshe.