Sot kishte folur ambasadorja franceze. Mes të tjerash ajo ka vënë në dukje se është problem i brendshëm dhe duhet të zgjidhet nga shqiptarët çështja e ndryshimeve kushtetuese. Dje foli një ambasador tjetër, pardje një tjetër, muajin e kaluar gjithashtu, vjet, para 10, 20 madje edhe para 30 vjetësh ishte po një ambasador që përcaktoi kahjen politike kur u shfaq krah Berishës në fushatë elektorale. Jetojmë nën tutelën e ambasadorëve dhe për fat të mirë që kanë qenë ata se mund të kishim bërë çdo vit nga një ’97, vetë si popull i indoktrinuar nga politika dhe interesat e saj në mënyrën më të keqe të mundshme.
Prej 30 vjetësh Shqipëria është shembull dështimi në politikë dhe ushtrimin e demokracisë. Prej 30 vitesh bëjmë, sikur bëjmë zgjedhje. Përpiqemi të gjejmë sistemin, kur në fakt e gjitha është çështje besimi dhe vullneti për të bërë zgjedhje, pra jo problem sistemi zgjedhor. Nëse ke vullnet për të bërë zgjedhje dhe pranuar fitoren apo humbjen gjithçka, është funksionale dhe e vërtetë pavarëisht sistemit zgjedhor të aplikuar. Përsa kohë palët mendojnë intrigat e vetëvetes, te kundërshtari dhe anasjelltas, atëherë do të kemi gjithnjë ngërçe të forta politike dhe institucionale. Do kemi nevojë për ndërkombëtare e ambasadorë që dëgjojnë sesi denoncojmë njëri tjetrin si hajdutë, të pabesë e mashtrues. Dhe ambasadorët shohin, ndoshta çuditem, qeshin apo ngrënë supet, sesi në këtë vend njëkohësisht, të gjithë njëherësh janë edhe të ndershëm edhe manipulatorë, të gjithë edhe kanë edhe nuk kanë të drejtë njëkohësisht. Dhe ata (ambasadorët) edhe habiten me këtë mendësi, por edhe ju pëlqen, sepse dashje pa dashje iu japim atyre atribute që nuk i kanë në asnjë vend apo shtet tjetër të paktën brenda kontinentit ku bëjmë pjesë. Çfarë paradoksi, kemi presidencën e OSBE-së, Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë dhe jemi vetë gjithë kohës në “tutelën” vëzhguese dhe ndihmesë të saj.
Pse?! Sepse nuk bëjmë dot zgjedhje drejt, sepse degradimi i mendësisë dhe lakmisë për pushtet ka arritur deri në pikën ku janë bërë ligje për persona të dedikuar, madje edhe kodin zgjedhor kemi arritur ta bëjmë duke patur parasysh emra personash konkretë në listat e partive. Kjo marrëzi politike duhet të marrë fund. Është koha për të rithemeluar shtetin nga e para, kushtetutën dhe ligjet. Mjafton se pari t’i thotë sekush vetes që merret me politikbërje aktive STOP! Duhet një ndryshim rrënjësor, që nis së pari nga mendësia.
Duhet një akt kombëtar vullneti politik për të pranuar se fituesi është fituesi dhe humbësi është humbësi në zgjedhje. Rotacionin e përcakton qeverisja e mirë ose e gabuar dhe njerëzit me votë. Jemi një vend shumë i vogël për të prodhuar kaq shumë marrëzi dhe çmenduri politike sa kjo që prej 30 vjetësh ende kërkojmë sistemin zgjedhor dhe mënyrën për të ruajtur zgjedhjet nga deformimi dhe manipulimi, ndërkohë që ato zhbëhen menjëherë nëse ekziston me vullnet të plotë e të sinqertë, mirëbesimi. Nëse nuk do gjendet vullneti për mirëbesim asnjë sistem zgjedhor nuk do prodhojë qetësinë e stabilitetin e kërkuar dhe real. Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion, por për revolucion ideor dhe kultural politik.