MENU
klinika

"Opozita të tregojë besim në fitore"

Mentor Nazarko: Rama do të luajë deri në pikën e fundit

15.07.2020 - 16:56

Analisti Mentor Nazarko e cilëson lojë dhe manovër politike qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Nazarko tha se synimi i tij është të optimizojë pozitën e PS në zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk besoj se jemi në krizë të fortë. Rama është një lojtar i vjetër politik, njësoj si Berisha. Është mësuar që në presionin ndërkombëtar të luajë deri në pikën e fundit të humnerës dhe më pas të marr diçka në këmbim. Manovra politike synon të optimizojë pozitën e PS në zgjedhjet e ardhshme, për faktin se pritet të jetë partia më e madhe në zgjedhje. Të zvogëlojë avantazhin e një koalicioni PD-LSI në kufijtë e legales.
Nuk kam pare ndonjë pozicion të qartë të faktorit ndërkombëtar kundër kësaj loje. Do prisja ndonjë pozicion tjetër dhe jo publik që ta detyrojë Ramën të rishikojë pozicionin e vet.
PS nëpërmjet Ramës po përpiqet ta optimizojë maksimalisht pozicionin e vet në zgjedhjet e ardhshme. Ky është interpretimi taktik. Ka dhe një interpretim tekstual.
Unë mendoj që ka ende hapësirë për marrëveshje”, deklaroi Nazarko.

Sa i përket qëndrimeve të ndërkombëtarëve ai tha se për ta është e vështirë të shikojnë truket për koalicionet apo listat e hapura.

“Imagjinoj që për bashkësinë ndërkombëtare është e vështirë të zhytet në këto truke se ku është loja e Ramës tek zhdukja e koalicioneve apo listat e hapura. E shoh të vështirë që ndërkombëtarët të zhyten në këto hollësi siç zhytet LSI apo PD. Rama përfiton nga kjo, nga vullneti i qartë i presidencës gjermane që me Shqipërinë dhe Maqedoninë të çelen negociatat brenda dhjetorit”, tha ai.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese nga maxhoranca ai tha se “e gjykoj që nuk është mirë nga pikëpamja morale dhe politike për ndryshimet kushtetuese por nuk ka asgjë antikushtetuese”.
Për deputetët e rinj të Kuvendit, Nazarko tha se “ajo që quhet sot opozita parlamentare ka ditur brenda kësaj periudhe të bëjë pazaret e nevojshme por edhe të përpiqen të bëhen bartës dhe të disa ndjeshmërive që ekzistojnë në opinionin publik”.

“Hapja e listave është një përparim relativ përpara. Ata që janë në parlament sot janë përpjekur të jenë përfaqësues.
Rama i konsumuar, PS e konsumuar nga 2 mandate tenton ta zmadhojë ombrellën e tij politike dhe të thotë që unë do t’i marr përsipër në kurriz dhe ndjeshmëri të tjera sociale apo të atyre lëvizjeve që synojnë të krijohen. Lojë që synon të dobësojë opozitën. Ata që janë në parlament kanë de jure mandate të vlefshme. Për mendimin tim do të ishte mirë të kishte një reformë kushtetuese institucionale. Unë e shoh një manovër politike të Ramës.
Ka kënde që mund të lexohet si një grusht shteti i butë, ka kënde të tjera që thonë se PS po mundohet ta risjell veten”, deklaroi analisti

Ai tha se nuk përjashtohen totalisht koalicionet, ndërsa sa i përket opozitës Nazarko sugjeroi më shumë vendosmëri për fitoren.
“Opozita duhet të tregojë vendosmëri, besim në fitore, në qoftë se e sheh si të vetmen rrugë që të fitojë këtë truk që po përdor Rama është dobësi. Opozita duhet të demonstrojë vendosmëri në fitore.
Basha mendoj që po luan në pikëpamje taktike, po i çon mesazhe të koduara Ramës, demonstron një farë paniku, ndonëse thotë që kjo që po bën Rama ka panik. Opozita nuk duhet të tregojë panik, por besim në fitore, Pres që opozita ta demonstrojë këtë në mënyrë bindëse. Ka një të vërtetë që thotë Rama që opozita nuk po frymëzon. Nëse ai do ndjente që opozita po frymëzon do tregonte më shumë panik.”, deklaroi Nazarko.