MENU
klinika

Prova e fundit e kancelares

Merkel nuk ka zgjidhje tjetër! Duhet të “përqafojë” Kinën!

12.07.2020 - 15:01

Historia rrallë u siguron vendeve të mëdha dhe udhëheqësve të tyre madhësinë e shansit të dytë që Gjermania dhe Kancelarja Angela Merkel gëzon tani kur fillon presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Evropian.

Për Gjermaninë, drama është një nga dimensionet epike. A mundet vendi ta kalojë këtë test historik të një krize të shëndetit publik, recesionit ekonomik dhe rritjes së tensioneve amerikane-kineze?

A mundet që kancelarja e parë dhe e vetme e Gjermanisë, të demonstrojë udhëheqjen e nevojshme për të unifikuar dhe formuar Evropën.

“Se si Evropa përballet me këtë krizë në krahasim me rajone të tjera të botës do të përcaktojë të ardhmen e prosperitetit evropian dhe rolin e Evropës në botë,” tha kancelarja Merkel para Bundestagut, parlamenti i Gjermanisë, kur ajo mori presidencën e BE.

Ata që e njohin Merkelin e dine që ajo frikësohet se BE mund të bëhet e parëndësishme apo edhe se Covid-19 mund të dëmtojë aftësitë e saj ekonomike, sociale dhe politike.

Ajo e kupton se sfidat për BE janë të një natyre më ekzistenciale sesa ato me të cilat përballen Kina, Shtetet e Bashkuara ose ndonjë vend tjetër.

Kina dhe SHBA do të dalin nga shkatërrimet e vitit 2020 me kufijtë e tyre dhe sistemet politike të paprekura.

“Ne nuk mund ta lejojmë të jemi naivë,” i tha Merkel Parlamentit Evropian këtë javë. “Në shumë prej vendeve anëtare kundërshtarët e Evropës mund ta keqpërdorin këtë krizë për qëllimet e tyre.”

Do të jetë një provë e udhëheqjes së saj, përkrah liderit francez Emmanuel Macron dhe udhëheqësve të tjerë të BE-së, nëse ajo mund të konvertojë një grup skeptikësh të njohur si “katër kursimatrër”, Austrinë, Danimarkën, Hollandën dhe Suedinë, të cilët i kanë rezistuar planit të rimëkëmbjes prej 850 miliardë dollarësh, në mbështetës të tij.

Megjithatë, Gjermania në të njëjtën kohë është në qendër të një drame globale, ndarjes transatlantike, që do të ndryshonte 75 vjet histori.

A do të vazhdojë Gjermania ta përcaktojë veten para së gjithash si një partner strategjik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara? Apo do të afrohet më shumë me Kinën dhe Rusinë për shkak të joshjes ekonomike, në rastin e parë, dhe afërsisë gjeografike dhe interesave të energjisë, në të dytën?

Qëndrimet evropiane ndaj Shteteve të Bashkuara janë zhvendosur në mënyrë dramatike, gjatë krizës Covid-19.

Një sondazh i ri i porositur nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë tregoi se në Danimarkë, Portugali, Francë, Gjermani dhe Spanjë, rreth dy të tretat e njerëzve të anketuar thanë se pikëpamja e tyre për SHBA kishte ndryshuar për keq.

Në Gjermani, situate u përkeqësua pas njoftimit të Presidentit Trump më 15 qershor, pa konsultime paraprake me Berlinin, se SHBA planifikon të tërheqë 9,500 prej 34.500 trupave të saj nga Gjermania.

Disa zyrtarë gjermanë kanë dyshime nëse edhe zgjedhja e mundshme e ish Zëvendës Presidentit Joe Biden në nëntor do ta ndryshonte këtë trajektore.

Kancelarja Merkel i ka bërë marrëdhëniet me Pekinin një gur themeli të presidencës së saj në BE.

Eksportet gjermane në Kinë janë rritur më shumë se pesëfish pas vitit 2005, duke e bërë atë tregun numër një të vendit.

Shumica e evropianëve fajësojnë politikën ndëshkuese tregtare të Presidentit Trump për kërcënimin aktual të ndarjes transatlantike.

Ata e shohin shqetësimin e tij për BE-në si dëshmi se Uashingtoni do të preferonte përçarjen evropiane.

Për disa, duket sikur Merkel nuk ka zgjidhje tjetër përveç “përqafimit’’ të Kinës.

Megjithatë, për Gjermaninë dhe Merkel, premtimi për këtë shans të dytë në udhëheqje mund të përmbushet vetëm nëse ajo në të njëjtën kohë punon për të kufizuar erozionin në marrëdhëniet transatlantike.

Gjermania është e bashkuar sot sepse paraardhësi i Merkel-it, Helmut Kohl e kuptoi që aspiratat e tij evropiane dhe transatlantike përforconin njëra-tjetrën.

Vështirë duket në këtë moment për Kancelaren Merkel se “lundrimi” në të dyja ato, është e vetmja zgjidhje që mund të sigurojë trashëgiminë e saj dhe shpresat e Gjermanisë për rezistencë dhe unitet evropian.

Frederick Kempe është një autor më i shitur, gazetar me çmime dhe president dhe CEO i Këshillit Atlantik, një nga shkollat e mendimit më me ndikim të Shteteve të Bashkuara për çështjet globale. Ai punoi në The Wall Street Journal për më shumë se 25 vjet si një korrespodent i huaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si e shkatërroi besimin

“Kina e ka humbur Europën…”


Çfarë është strategjia “Anakonda” e Pekini

Kina rrethon Tajvanin, harta e publikuar alarmon Uashingtonin

Paralajmërimi dramatik i shefave të inteligjencës

Gjermania e bindur, Rusia do të sulmojë NATO-n!

Analiza e DW: Izraeli mund të godasë objekte të naftës

Tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë ekonominë globale!