Lajmi i djeshëm nga “Cadena SER” në Spanjë se Lionel Messi do të largohet vitin tjetër për në Argjentinë, është pasuar sot me një deklaratë po aq të bujshme sa dje.
Ai që ka lëshuar “bombën” e radhës është ish-lojtari i Bracelonës, Rivaldo, i cili është shprehur se shumë sponsorë janë gati të paguajnë që argjentinasi të kalojë në Torino.
“Nëse ai po e mendon largimin, atëherë diçka nuk është mirë në dhomat e zhveshjes së Barcelonës dhe ndoshta është i lodhur me gjitha problemet që e kanë rrethuar klubin muajve të fundit. Kur atij t’i përfundojë kontrata, do të jetë 34 vjeç, por me klasin e tij ai ende mund të luajë në Premier League.
Do të jetë e dhimbshme që ta shohim duke u larguar nga Barcelona kur kontrata t’i përfundojë, por ende shpresoj se do të qëndrojë. Pavarësisht lidhjes me klubin, ai ka të drejtë të lëvizë nëse dëshiron të ribashkohet me Guardiola-n te Manchester City që do ta joshin atë, pasi që të dy kanë krijuar një partneritet shumë të mirë te Barça.
Me të gjitha spekulimet, besoj se disa agjentë tashmë ëndërrojnë t’i shohin Messin dhe Ronaldon te Juventus dhe kjo do të jetë diçka e madhe në gjithë botën. Nëse ndodh, do të jetë diçka ‘boom’.
Do të ishte historike të shohim të dy duke luajtur së bashku dhe jam i sigurt që shumë sponsorë të Juves do të donin të ndihmonin financiarisht, kështu që, është gjithashtu një mundësi për Messin. Nëse ka zëra për largimin e Messit, sigurisht që çdo klub do të mendojë se si mund ta firmosin atë”, – u shpreh Rivaldo.