Studiuesi Ardian Vehbiu, në përpjekje për të legjitimuar artikullin e Auron Tares, për lidhjet e supozuara të shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi me UDB-në jugosllave dhe shërbime të tjera inteligjente të kohës, ka publikuar dje (11 korrik 2020) shkrimin me titull “Bashkë apo veç”. Në të vertetë, teksti i Auron Tares nuk duhej të publikohej kurrësesi, për më tepër nga një studiues si Vehbiu, që e di mirë se çka është qenia e një shkrimtari, ekzistenca e tij, jeta dhe vepra.
Që në paragrafët e parë, Vehbiu shfaqë thelbin e justifikimit të tij. Ai shkruan:
“A duheshin trajtuar bashkë Koliqi dhe Camaj, në një shkrim të fokusuar në bashkëpunimin e tyre të supozuar me agjenturat e huaja?
Këtë pyetje po ia bëj vetes tani, pasi kam ndjekur, prej ditësh, polemikat që pasuan artikullin e Auron Tares, në Peizazhe të fjalës.
Dhe vetëm tani, sado me vonesë, po kuptoj se do të kish qenë më mirë që këta dy autorë të trajtoheshin veçan, në dy artikuj të ndryshëm. Prandaj edhe e bëj këtë ndërhyrje, jo thjesht si botues dhe i prekur drejtpërdrejt nga polemikat, por edhe si person i angazhuar në debatet publike, në kuptimin që do të kisha folur kështu edhe sikur artikulli të kish dalë gjetiu”, mbyllet citimi.
Në të vertetë shkrimi i Auron Tares shpërfaq probleme serioze në qëllim, në përmbajtje dhe në diskurs. Po përpiqem të shpjegohem. Që të intepretosh dokumenta të klasifikuara (tani të deklasifikuara) është parakusht i domosdoshëm që të jeshë specialist i fushës, përndryshe një analist shërbimesh. Asnjë studiues i një shkence tjetër, nuk mund të intepretojë dokumenta të një fushe për të cilën nuk e ka kompetencën dhe ekspertizën e nevojshme. Për më tepër, kur nuk je specialist për asgjë, domethënë i asnjë fushe studimore. Auron Tare është më pak se një amator. Është njësoj sikur një fotograf të intepretojë radiografitë e mushkërive. A duhet të ndodhë një gjë e tillë?
Shërbimet sekrete kanë një gjuhë të veçantë, të koduar, me përmbajte që shkon përtej kuptimit të drejtëpërdrejtë të fjalës. Aktet e tyre dokumentare në vetvete mbartin jo vetëm misterin profesional, por edhe frymën e kohës. Standartet profesionale të tyre ndryshojnë për nga forma, metodologjia e përdorur, standarti dhe shkalla e sigurisë. Për të kuptuar domethënien e një dokumenti të CIA-s, nuk mjafton të dini anglisht, ose të keni njohuri bazë rreth natyrës së tyre. Një intepretim i tillë kërkon shkollë më vete, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ata që merren me dekriptimin e dokumentave të tilla, nuk janë thjeshtë historian, as studiues, as ushtarakë ose oficer shërbimesh. Para së gjithash, ata janë analistë, në kuptimin e aftësive analitike, jo vetëm për të intepretuar dokumenta të tilla, por edhe për të intepretuar kohën, mënyrën dhe kontekstin në të cilën funksiononte ai sistem i komplikuar. Në të vërtetë, këta lloj specialistësh janë të rrallë, ndoshta lloji më i rrallë i studiuesve në planet.
Auron Tare nuk ka lidhje me letërsinë, për më tepër për llojin e letërsisë të shkruar nga Martin Camaj. E vertetë se Tare nuk merr përsipër të flasë për letërsinë e tij, por ai ka folur për punën si mësues, për studimet, për punën në radio. Çdo minutë të jetës, Martin Camaj e ka jetuar si shkrimtar, si poet dhe si studiues i gjuhës shqipe. Me siguri që Auron Tare nuk e di; dhe ska se si ta dijë, se gjithë jeta e një poeti dhe shkrimtari vërtitet rreth punës krijuese, për më tepër jeta e një shpirti të epërm si Martin Camaj. Intepretimet e Tares janë aq të papërshtatshme, kur aludon rreth arsyeve dhe rrethanave në të cilat gjendet Martin Camaj, sa, po të mos e dinim se është fjala për Camajn shkrimtar dhe albanolog, me siguri që do të mendonim se Tare po shkruante për një James Bond shqiptar.
Por a mund të shkëputet jeta e një autori nga vepra? Çdo rrethanë jetësore, për një autor si Martin Camaj, është e lidhur ngushtë me veprën e tij, dhe në këtë rast autorësia e Camajt është një pasqyrë e jetës hermetike që ai kaloi. Lindja e një autori si Camaj mundet të jetë verte një ngjarje në Historinë e Letërsisë Shqipe, nga ato lloj eventesh që ngjajnë tepër rrallë në historinë e një letërsie.
Auron Tare i ka sytë e zënë me dylbi, ka veshur një kapotë ushtarake me spaleta të kuqe, në ballë ka yllin partizan, në brez një pistoletë TT, nuk ka lexuar asnjë varg nga poeti, por gjithësesi ka shkuar deri në Washington DC për të hulumtuar jetën e shkrimtarit më të rrallë në letërsinë shqipe.
Bukur shumë!
Kësisoj, Ardian Vehbiu dhe “Peizazhe të fjalës” nuk duhej kurrsesi t’i jepnin hapësirë këtij amatorizmi të pashoq, të një njeriu që nuk ka kompetencën dhe aftësitë e nevojshme dhe të domosdoshme të ekspertizës. Mundet që Vehbiut i është dukur interesante një qasje e tillë, duke e parashikuar edhe polemikën e nxehtë që do të pasonte, por gjithsesi, pasojat e këtij publikimi do të jenë afatgjata. Tek e fundit jo për Camajn ose Koliqin, por për vet studiuesin Vehbiu. Letërsia është një fushë studimi e vështirë, ajo nuk mund të realizohet pa dashuri dhe përkushtim. Tek e fundit, askush nuk pretendon asgjë prej shkretëtirës Tare, por për Ardian Vehbiun ndryshon puna.
Arsyeja?
Sepse Ardian Vehbiu me siguri di të lexojë dhe të intepretojë këtë poezi të Martin Camajt:
Liria e fshehun mbas vargjeve
Të poezisë
Nuk ishte vetëm:
Para tyne rrishin galue roje
Shpend mishngranës
Me fytyrë njerëzore.
E ti ishe për ta nji bletë
Tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.
Nga: Erl Kodra