MENU
klinika

Veton Surroi

Një vjeshtë e rëndë përpara

08.07.2020 - 10:38

1. Kosovën e pret një vjeshtë e vështirë, në kohë paqeje ndoshta më e vështira. Nëse vazhdojnë zhvillimet e kësaj vere, atëherë vendi do të hyjë në vjeshtë me një krizë të thellë shëndetësore e sociale të krijuar nga COVID-19.

Kësaj do t’i shtohet një tronditje politike me konfirmimin eventual të aktakuzave të Gjykatës Speciale. Gjendja do të jetë ndjeshëm më e rënduar me një proces negociator me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja pas një dhjetëvjetëshi joproduktiv dhe pas avanturës trevjeçare të H.Thaçit e A.Vuçiqit për një marrëveshje që do të përfshinte këmbim territoresh dhe këmbim faljesh për krime. Dhe të tëra këto mund të jenë mbi supet e qytetarëve të Kosovës. Qeveria e tanishme nuk ka legjimitet të mjaftueshëm politik për t’u ballafaquar me cilëndo prej këtyre sfidave, lëre më me të gjitha bashkë.

Për ta ndërlikuar situatën edhe më, asnjëra prej sfidave që do ta godasin Kosovën gjatë verës, e do të ndihen më së shumti në vjeshtë, nuk do ta presë radhën e vet, që të gjitha do të përplasen me vendin me teket e veta dhe në të njëjtën kohë. Në garën e sfidave, udhëheqja e Kosovës, në pushtet e në opozitë, do të gjendet në situatën në të cilën e gjeti veten kryeministri Hoti dje. Në momentet kur ai takohej me presidentin Macron për të biseduar rreth rifillimit të negociatave me Serbinë, gjendja e pandemisë COVID-19 duket si të ketë dalë jashtë kontrollit dhe ka gjasa ta ngarkojë aq sistemin shëndetësor sa ta rrezikojë kolapsin e tij.

2.Nëse vazhdon me këtë ritëm pandemia e koronavirusit, Kosova do të ballafaqohet me së paku tri grupe problemesh. I pari grup është shëndetësor dhe me këtë ritëm të progresionit, sistemi shëndetësor çfarë e kemi pasur deri më tani do të shembet. Në studimin e bërë nga MTI (Instituti i Masaçusetsit për Teknologji) në 84 vende të botës del se për çdo të sëmurë të identifikuar me koronavirus janë edhe dymbëdhjetë të paidentifikuar. Në rastin e Kosovës i bie që të jenë dyzet mijë të infektuar, të cilët për shkak të mungesës së testimit nuk janë të identifikuar si të tillë dhe janë shumëzues të shpejtë të virusit në tërë vendin. Për më tepër, dy hamendësimet pranverore, se virusi do të dobësohet nga temperaturat e larta e rrezet ultraviolete verore apo se shoqëritë do të fitojnë ‘imunitetin e tufës’ dolën të mos e ndalin pandeminë. Jo, rrezet ultraviolete nuk e kanë dobësuar virusin dhe jo, nuk ka imunitet të tufës; virusi paraqitet edhe për së dyti tek ata që e kanë kaluar një herë.

Grupi i dytë i problemeve është i dimensionit social, me pyetjen e parë që e ka në kokë çdo prind: a do të fillojë mësimi në banka shkollore në shtator, gjegjësisht fakultetet në tetor? Me këtë ritëm të infektimit, mund të ndodhë që përgjigjja të mos jetë pozitive. Karantinimi dhe mësimi online ka implikacione dhe kosto të mëdha sociale dhe ekonomike.

Dhe, pra, grupi i tretë i problemeve, ai ekonomik. Tremujori i dytë i këtij viti do të jetë një rënie spektakulare të ekonomisë të cilën Kosova e ka përjetuar vetëm gjatë tre muajve të bombardimit të vitit 1999. Edhe vera do të ketë ngadalësim të ritmeve sociale dhe ekonomike dhe është lehtë e parashikueshme që përkundër dërgesave të remitancave nga diaspora, ulja e madhe e kërkesës të shfaqet me numra negativë të rritjes ekonomike. Nëse ky ngadalësim vazhdon edhe në ditën e parë të fillimit të shkollave, atëherë rënia ekonomike do të jetë e paprecedentë.

3.Lehtësia me të cilën gjatë pranverës së këtij viti kriza rreth COVID-it u zëvëndësua në listën e përparësive nga negociatat Kosovë-Serbi duhet të jetë për brengë e për mësim. Gjatë pranverës u rikomponua skena politike dhe qeverisëse e vendit për një ngarendje surreale për në Washington. Tash, gjatë verës, në momentin e shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Kosovë, vendin e përparësisë së vëmendjes sërish përpiqen ta marrin negociatat, kësaj here me ndërmjetësim evropian, e me vendndodhje në Bruksel.

Për dallim prej atyre të Washingtonit, që sipas ish-këshilltarit për siguri kombëtare Bolton, mund të ishin kurorëzim i një projekti këmbimesh territoriale dhe këmbim krimfaljesh të inicuar nga A.Vuçiq dhe H.Thaçi, këto të Brukselit janë në një përpjekje për rifillim. Pra, më shumë se çdo gjë, janë një rishpallje ceremoniale se po fillon një fazë më serioze e ‘dialogut’, faza përfundimtare.

Nëse është kështu, atëherë Kosovës po i jepen disa javë, më së shumti dy muajt e verës, për të konsoliduar një mendim se si do të procedojë më tutje me negociatat dhe me çfarë forme të forcimit të legjitimitetit politik. Dy prej disa formulave të deritanishme – “nuk do të negociojmë këtë dhe atë apo se nuk ka rëndësi kush negocion se në fund edhe ashtu do të votojë Kuvendi”- nuk pinë më ujë, nëse kanë pirë ndonjëherë. Javët në vijim do të formësojnë kontekstin dhe parimet negociatore, dhe do të jetë me rëndësi parësore çfarë do të jetë tryeza e bisedimeve dhe kush do të ulet në të.

4.Edhe po të mos mjaftonte me kaq, vendi mund të ballafaqohet me ngritjen, tashmë të konfirmuar, të akuzave ndaj H.Thaçit dhe K.Veselit nga Gjykata Speciale. Një veprim i këtillë do ta trazonte skenën politike në tri drejtime. I pari, me krijimin e një narracioni të ri ndërkombëtar që do të lidhte figura të spikatura të jetës politike me krime, qoftë gjatë luftës, qoftë në periudhën e pasluftës. Për një kohë jo të shkurtër, një proces gjyqësor mund ta vendosë të kaluarën e afërt të Kosovës në një kontekst dukshëm negativ.

Drejtimi i dytë i trazimit ka të bëjë me njërën prej partive më të rëndësishme politike, e cila gjatë një periudhe ishte aq e fortë sa të kishte edhe shërbimin e vet sekret. Largimi eventual i dy prej figurave udhëheqëse të saj do të krijonte një zbrazëtirë në udhëheqje që do të duhet të mbushet. Çfarë do të ishte drejtimi dhe personaliteti i drejtimit të PDK-së doemos do të ndikonte edhe në skenën politike të vendit në tërësi.

Dhe i treti ka të bëjë me nevojën që, në rast të largimit të Thaçit, të zgjidhet Presidentja/Presidenti, që kërkon, sipas aktgjykimit të Kushtetueses, marrëveshje politike madje edhe për prani në sallë të dy të tretave të anëtarëve të Kuvendit.

5. Kosova nuk e ka luksin të zgjedhë se cilëndo prej sfidave do të adresojë. Madje, edhe po t’i jepej shansi që të merrej me vetëm njërën prej tyre, vendi ka nevojë për më shumë kapacitet qeverisës dhe më shumë legjitimitet politik sesa ka sot.

Pra, që të gjitha këtyre sfidave të vjeshtës do t’u shtohet një gjatë verës: si të hyjë vendi më i forcuar politikisht në atë që do të jetë vjeshta më e rëndë pas luftës së vitit 1999? Marre nga Koha