Nga Ornela Bereti
Ekonomia shqiptare pritet t’i vuajë rëndë dhe gjatë pasojat e pamndemisë COVID-19. Ministria e Financave është detyruar të ndryshojë buxhetin tri herë në gjashtë muajt e parë të vitit. Në çdo ‘rishikim’ parashikohet një ulje e ndjeshme e të ardhurave dhe për të mbajtur në nivele optimale shpenzimet është vendosur rritja e borxhit. Në versionin e fundit të buxhetit parashikohet që të ardhurat tatimore të tkurren me 516 milionë euro, ndërsa prodhimi kombëtar do të tkurret me 1,7 miliardë euro, borxhi publik do të arrijë në 80% të GDP-së.
Ndërkohë është parashikuar rritja e detyruar e shpenzimeve me 240 milionë euro, krahasuar me variantin fillestar. Sipas relacionit që shoqëron ndryshimet buxhetore, parashikohet që peshën më të madhe në këtë rritje ta marrë fondi rezervë i buxhetit për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19, ndërsa janë rritur me 50 milionë euro edhe fondet për investime publike.
Të ardhurat
Goditjen më të madhe në tkurrjen e të ardhurave në buxhet do ta marrë tatimi mbi vlerën e shtuar, me minus 17 milionë euro, i ndjekur nga tatimi mbi fitimin, i cili do të sjellë 6,5 milionë euro më pak në buxhetin e këtij viti. Të dy këta zëra nuk preken vetëm nga rënia e aktivitetit ekonomik, por dhe nga paketa e qeverisë për të hequr taksat për biznesin e vogël. Të ardhurat tatimore priten në rënie prej 4,3%. ndërkohë për 5-mujorin, ku vetëm dy muaj e gjysmë ishin karantinë, të ardhurat në buxhet janë tkurrur me 14,7% me bazë vjetore. Për 2020-n, të gjithë zërat priten me rënie, por më të forta ato parashikohen për tatimfitimin (-6,1 mld lekë) dhe tatimin mbi të ardhurat personale (-5.4 mld lekë), si dhe nga sigurimet shoqërore e shëndetësore (-3.4 mld lekë), në një tregues që punësimi nuk pritet të rekuperohet këtë vit.
Shpenzimet
Ministria e Financave është e detyruar të rrisë shpenzimet për mbështetjen e ekonomisë lidhur me pasojat e COVID-19. Rritja e fondeve rezervë për të papriturat, plani për më shumë shpenzime kapitale dhe fondet për rindërtimin diktojnë rritjen e shpenzimeve me 18% më shumë se fakti i një viti më parë. Edhe në raport me buxhetin fillestar, shpenzimet janë rritur me 5,4%. Sipas aktit normativ, fondi rezervë i buxhetit arrin në një nivel rekord prej 16,2 miliardë lekësh, i ndarë: 2,7 mld lekë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme dhe 13,5 mld lekë si kontingjencë për paketën sociale anti COVID-19. Ndërsa kontingjenca për risqet e borxhit prej 4,1 mld lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.
Borxhi
Sipas aktit normativ, stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 10,3 miliardë euro, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të rishikuar, borxhi publik pritet të arrijë në një niv nivel rekord prej 80%, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e borxhit publik dhe PBB-së së rishikuar nga Ministria e Financave.
BERZH: Ekonomia pritet të humbë 1,8 miliardë euro nga COVID-19
Ekonomia shqiptare pritet të humbë rreth 1,8 miliardë euro nga pandemia që ka mbërthyer vendin dhe botën, si rrjedhojë e shpërthimit të infeksionit të COVID-19. Ky është parashikimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me ndikimin e pandemisë në ekonominë tonë.
Banka e Shqëpirisë: Godja e fortë, por rekuperohet
Banka e Shqipërisë ka pohuar se në rrethanat që ndodhemi, pasiguria në parashikimet makroekonomike është relativisht e lartë, por, megjithatë, në një skenar bazë të ndërtuar mbi premisën e zhdukjes së pandemisë gjatë vitit 2020 dhe supozimeve të arsyeshme mbi ambientin e brendshëm dhe të huaj, ekonomia shqiptare pritet të rekuperojë humbjet e pësuara gjatë pandemisë brenda dy viteve të ardhshme. Banka e Shqipërisë pret një rënie relativisht të ndjeshme në vitin 2020 dhe një kthim në territor pozitiv të rritjes ekonomike në vitin 2021.
FMN-ja pesimiste, rënia deri në 5%
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që prodhimi kombëtar vendas i Shqipërisë do të bjerë me 5 për qind në vitin 2020, krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie pritet të kompensohet plotësisht gjatë vitit 2021, ku FMN-ja parashikon një rritje prej 8 për qind në lidhje me vitin 2020, duke sjellë një rritje totale dyvjeçare, 2019-2021, prej rreth 2,6 për qind. Sidoqoftë, inflacioni pritet të mbetet nën kontroll, në nivel të ulët, prej rreth 2,4 për qind.