MENU
klinika

A do shkarkohet presidenti?

Pas disa muajve pauzë, nesër mblidhet Komisoni Hetimor për Metën

12.07.2020 - 20:28

Komisioni Hetimor mblidhet ditën e nesërme (të hënën), për të shqyrtuar të gjitha provat e mbledhura deri më tani kundër presidentit, por edhe analizuar opinionin e fundit të Komisionit Venecias, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, që i dha të drejtë kreut të shtetit. Mbledhja do të zhvillohet në orën 14:00.

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se mazhoranca ende nuk e ka një qëndrim përfundimtar nëse do të vendosin shkarkimin ose jo të kreut të shtetit, megjithatë referuar deklaratës së bërë nga kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja, ka pasur një reflektim nga ana e presidencës. Kur thotë reflektim, e ka fjalë për zgjidhjen e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse i referoheni opinionit final të Komisionit të Venecias lidhur me Gjykatën Kushtetuese ka një reflektim institucional të palëve për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese si një nga kriteret për në BE. Dhe kur them ka refletkim do të thotë KED, Kuvendi dhe Presidenti, nën frymën e atij opinion dhe atyre rekomandimeve do duhet të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese. E thënë më qartë, Komisioni Hetimor, në raportin e vet për seancën plenare do evidentojë të gjitha shkeljet e konstatuara në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, por edhe të situatës me Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë më herët Manja.

Fillimisht, komisioni hetimor u ngrit për shkeljet e pretenduara të Presidentit për anulimin me dekret të zgjedhjeve të 8 qershorit të kaluar. Më pas, iu bashkangjit edhe hetimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kur në vend të Arta Vorpsit, Presidenti zgjodhi Marsida Xhaferrllarin.  Raporti përfundimtar i Komisionit hetimor do të jetë gati para datës 30 korrik dhe do të shqyrtohet në një seancë të veçantë, e cila do të jetë vendimtare për fatin e Ilir Metës.