MENU
klinika

Artur Ajazi

Përse PD trembet nga ‘lista të hapura’?

10.07.2020 - 17:44

Artur Ajazi

Partia Socialiste dhe Edi Rama, duket se kanë rënë dakord për të diskutuar dhe vendosur mbi “listat e hapura”. Zoti Taulant Balla ka deklaruar ditën e premte se “hapja e listave është një kërkesë e qytetarëve, ndaj dhe Partia Socialiste do të vendosë të mbështesë opozitën e re, ndërkohë që do të krijohen garancitë për të mos lejuar që në parlamentin e ri, të mos jetë vetëm me burra, por të respektohet barazia gjinore”. Nga ana e saj, Partia Demokratike një ditë më parë ka paralajmëruar se “ndryshimi i sistemit në këtë periudhë do të çonte në prishjen e marrëveshjes politike të arritur me 5 qershor”.

Duket sheshit se, vetëm Partia Demokratike, nuk i do listat e hapura, madje ajo nuk toleron as të diskutohen, pasi i ruhet një rrjedhje të tmerrshme, që mund të shoqërojë humbjen e zgjedhjeve të 2021. Lulzim Basha, e ka të qartë se “listat e hapura” që janë një kërkesë këmbëngulëse e opozitës parlamentare, do ti hapnin shumë punë ish-opozitës së shpartalluar. Duke nisur nga përcaktimi emrave, riciklimi i vjetërsirave apo dhe shanset për të mos fituar as 25 deputetë në shkallë vendi, kanë sjellë shqetësim tek Partia Demokratike.

E ndodhur mes udhëkryqesh të pashpresa, ish-opozita e vjetër, ka nisur të “joshë” emra të veçantë të deputetë të listës së PD, duke u premtuar atyre “rifutje në lista, vetëm të mos kërkojnë listat e hapura, por të miratojnë marrëveshjen e 5 Qershorit”. Lulzim Basha dhe shumica e atyre që sot shprehen në SHQUP se “nuk kanë rëndësi listat e hapura apo të mbyllura,ne do fitojmë”, janë një “ogur” i keq për një ish-opozitë e cila nuk ka të garantuar as votat e bazës, dhe jo pastaj të pretendojë votat e shqiptarëve në zgjedhjet e 2021.

Partia Demokratike e ka kundërshtuar fort, me anë të Bylykbashit kërkesën e opozitës parlamentare , por edhe të ndonjë aleati të tyre, për “listat e hapura”, duke argumentuar se “kjo do të minonte marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet një kohë tjetër për të diskutuar”. Nga ana e tij edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheley, është shprehur kategorik për “votimin në Parlament të marrëveshjes së 5 Qershorit”, ndërkohë që për ndryshimin e sistemit, ai është deklaruar se “kjo gjë duhet bërë bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR, dhe duhet bërë 1 vit para zgjedhje të tjera”.

E ndërsa Edi Rama nuk ngurron të shprehë gatishmërinë për kërkesën e 29 deputetëve opozitarë për “lista të hapura”“, duke u shprehur se “askush nuk na mban dot peng, nuk besoj se këto lista do transformojnë cilësisht Kuvendin, por besoj që mundësia që qytetarët të kenë zgjedhje preferenciale në listën e deputetëve është absolutisht detyrim në këto kushte kur edhe vetë klasa politike konsiderohet rreth i mbyllur”. Tentativat e Partisë Demokratike për të cenuar apo dhe prishur marrëveshjen e 5 Qershorit, e kanë burimin tek ankthi i saj për “listat”.

Ato kanë qenë dhe mbeten “fuqia magjike” (dikur e Doktorit) e Lulzimit , mbi ata që sot i ka kthyer në “hyzmeqarë” të asaj partie, ndërkohë listat e hapura, do ti hiqnin atij shansin të mbante jo vetëm postin e kryetarit, por do ti largonin atij përfundimisht renegatët dhe emrat e përfolur, të cilët i ka bërë gati ti rikandidojë sërish, edhe në zgjedhjet e 2021. Partia Demokratike, do të futet në zgjedhjet e 2021, më e lodhur se kurrë, më e papërgatitur se kurrë në çdo aspekt të limitimit të një fushate, e cila ndryshe nga ajo e zotit Basha, do të paraprihet nga Edi Rama dhe Partia Socialiste,me një program afatgjatë zhvillimi dhe modernizimi për vendin dhe shqiptarët, për mandatin e tretë, dhe jo vetëm.