MENU
klinika

Shkodrani akuzon rumunin si vatër

Pesë pozitivë te Partizani, Çinari përplaset me Boldor

10.07.2020 - 10:30

Derbi i sotëm i kryeqytetit vjen ndryshe nga herët e tjera, pa tifozë dhe në kohë pandemie.  Dueli i sotëm ka marrë një trajektore ndryshe dhe gati të pabesueshme. Gjatë javës, Boldor dhe Ferhati rezultuan pozitiv me koronavirus dhe u vetëkarantinuan menjëherë pas tamponit, edhe pse nuk shfaqën shenja.

Kjo ka shtyrë, sipas protokollit, klubin e kuq të kryente tamponët për 50 personat e përfshirë në stafin drejtues dhe atë teknik, veç kontigjentit të futbollistëve. Testet janë kryer ditën e enjte rreth mesnate, ndërsa janë dashur plot 24 orë që ekipi i Sormanit të njihet me rezultatet.

Stërvitja e fundit përpara ndeshjes me Tiranën është anuluar dhe të gjithë kanë qenë në pritje të rezultatit. Edhe trajneri nuk ka folur përpara medieve, për të respektuar protokollin.

Por, dalja e përgjigjave ka acaruar situatën dje rreth mesnate. Eraldo Çinari, një nga lojtarët e rezultuar pozitivë (bashkë me Kristi Kote dhe Esat Mala) me t’u njohur me rezultatin e tamponit, i ka telefonuar Boldor, mbrojtësit rumun të Partizanit, duke e akuzuar si vatrën e infeksionit dhe pakujdesia e tij për të dalë në lokalet e natës, bashkë me të motrën (jeton me mbrojtësin).

Sulmuesi shkodran nuk ka nguruar t’i shkojë poshtë shtëpisë dhe të konfrontohet edhe fizikisht, aq sa e motra e Boldor ka nisur të bërtasë dhe ka tërhequr vëmendjen e banorëve të lagjes. Më pas ka ardhur edhe policia, ndërsa shkodrani është larguar.

Acarimi i Çinarit ka të bëjë me faktin se, sipas tij, Boldor e kishte marrë prej kohësh, por që vazhdonte frekuentonte shokët e ekipit. Ndërkohë, sulmuesi që ishte projektuar titullar në derbi dhe që këtë verë pretendonte të shitej jashtë vendit, nuk do të mund të luajë minimalisht dy ndeshjet e radhës. Drejtuesit e Partizanit janë njohur me situatën dhe do të marrin masa. Mësohet se nuk ka denoncim në Polici për këtë ngjarje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN