MENU
klinika

Mane përplaset me pastorin që njihte familjen Josifi

“Po marrin në qafë njerëz, do na vijë radha një nga një!”

07.07.2020 - 18:54

Një nga ngjarjet më të bujshme të javës që lamë pas dhe që do jetë pjesë e medias për një kohë të gjatë është tragjedia në Kombinat ku nëna Zhaneta Josifi dhe vajza e saj Anisa u vetëflijuan, kurse vajza tjetër Blerta ia doli të mbijetojë.

Ditën e sotme në “Shqipëra Live” është diskutuar pikërisht për këtë temë, që ka sjellë një përplasje mes pastorit Fitor Muça dhe gazetarit Bledi Mane.

Pastori ka pranuar se i njihte motrat Josifi dhe nënën e tyre Zhaneta, të cilat besonin tek ringjallja, duke thënë se vajzat në fjalë, para gjashtë vitesh frekuentonin kishën Rilindja që drejtonin ai, por që më pas janë zhdukur.

Sipas Muçës, vajzat e kanë frekuentuar këtë kishë për më shumë se tre vite e gjysmë, ndërsa më pas jan shkëputur prej saj në mënyrë të papritur dhe pa i thënë gjë askujt.

“Po, i kam njohur vajzat. Frekuentonin prej më shumë se tre vitesh e gjysmë dhe para gjashtë vitesh u shkëputën. Nuk i thanë gjë askujt. Shoqeve u thonin që kemi drejtim tjetër,”– tregon Muça.

Mirëpo Mane e ka kundërshtuar këtë deklaratë të pastorit, duke u shprehur se ka lexuar se vajzat hoqën dorë nga kjo kishë pas pakënaqësive që kishin nga Muça.

Pjesë nga debati

“Ju kanë përmendur edhe me emër,”.

“Ju kuptoj,”- vijon pastori,- “atëherë unë fola dhe natyrisht mendoj që profesionalisht ai që i thotë këto fjalë duhet të kontaktonte edhe me mua nëse këti gjëra janë të vërteta apo jo. Ndoshta në mendjen e vajzave mund të ketë pasur pakënaqësi, por unë nuk jam në dijeni të tyre.”

“Pastor, pas pesë ditësh tollovatjesh, ju gjeni kohën dhe dilni në publik, vetëm kur ju përmendet emri. Ndërkohë që ju, si person që i njihni vajzat nga afër, i keni trajtuar për aq vite, duhet të kishit nxituar të dilnit të jepnit deklaratë. Vonesa juaj më bën të dyshoj,”– vijoi Mane.

“Të dyshosh për çfarë,”- ndërhyri moderatorja Erjona Rusi.

“Një kishë është një komunitet dhe jeton me hallet e besimtarëve,….”- tha Mane

“Më lejoni,”– tha pastor Muça.

“Të lutem Bledi ta lejojmë të flasë,”- tha Rusi.

“Shife Bledi thotë…ai duhet të dilte të fliste, jo pas pesë ditësh. Të tregonte si i ka njohur. Do nxirrni Bledin fajtor tani që i ka çuar drejt vetëvrasjes,”– tha Bledi Mane.

“Po jo monolog Bled…e bëre pyetjen,”– u shpreh Flori Gjini, bashkëmoderator i emisionit.

“Duhen këto, sepse po marrim në qafë njerëzit dhe nuk do ketë më zjarrfikës që të na nxjerrë nga atje ku mund të jemi. Shkundini teologët se do na vijë radha një nga një,”– shtoi Bledi Mane.

“Të lutem, mos bëj parashikime makabre…lëre të flasë,”- iu kthye Erjona Rusi.

“Atëherë, makineria e palës funksionon në mënyrë të shkëlqyer. Më lejoni të flas sepse ju jeni në studio ndërsa unë jam këtu jashtë,”– tha Fitor Muça.

“Hajde pastor, merr makinën dhe hajde,”– tha Bledi Mane.

“Atëherë, ngjarja ka ndodhur ditën e enjte. Unë kam qenë me pushime në Vlorë. Në darkë, marr një mesazh nga një person i kishës që më pyet nëse i kam parë lajmet. Pastaj më sqaroi se bëhej fjalë për vajzat që kishin qenë në Kishën tonë. Nëse një person largohet nga kisha, nuk ka më autoritet mbi atë person dhe nuk mbajmë përgjegjësi për ta. Është sikur një fëmijë të largohet nga shtëpia,”– tregon pastori.

“Atëherë pastor më lejoni…në një tjetër intervistë keni theksuar se nëse vajzat do të kishin frekuentuar kishën ku jeni ju do të ishin gjallë sot, në të kundërt ndodhi kjo. Çfarë fshihet?”- tha Erjona Rusi.

“Duhet të jetë një dorë e fuqishme, një mendje dhe një zë që i ka stopuar nga e vërteta që i futi në qorrsokakun e asaj që quhet përjetësi. Është e pamundur…Unë kam cituar median dhe portalet. Janë portalet që kanë thënë se i vizitonin njerëz me kostum. Një pastor i një kishe që frekuentohet nga 500 njerëz, nuk mund të kontrollojë se çfarë bën çdonjëri prej tyre,”– përfundoi Muça.

“Mos ma merr për keq, ta qaj hallin se ndoshta nuk jeni mësuar me këto situata, por duhet të kishit treguar dhe reaguar që në ditën e parë,”- tha Mane.

“A ka mundësi, nuk më keni ftuar ju,”- vijoi Muça.

“Po ju s’të lini, më keni vënë këtu dhe s’më lini të flas. Jeni mirë apo jo,”- tha Mabe.

“Kam edhe unë të drejtën time. Mbyllini gojën zotërisë se do e dorëzoj telefonin dhe do vij në studio,”- vijoi Muça.

“Hiqi more këto fjalë, mbyllini gojën sepse nuk jemi te oborri i kishës tënde,”– tha Mane më tej, ndërkohë që në studio u konfuzua situata. Në fund pastori Muça tha se nesër në studio do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve.

Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e 2 korrikut dhe tronditi opinionin publik. Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave kanë “bashkëjetuar” për ditë me radhë me banorët e lagjes.

Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe Anisa Josifi 30 vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34-vjeçe.

Kjo e fundit bashkë me nënën e saj kishin mbajtur në banesë trupin e pajetë të Anisës, të cilin e lyenin me vaj e uthur që të mos binte erë.

Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ku u mësua se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”.

Blerta ndodhet e shtruar në spitalin Psikiatrik të Tiranës.