MENU
klinika

Ja cili është hapi i rradhës

Presidenti Trump merr masa të forta kundër Kinës

16.07.2020 - 14:35

Presidenti Donald Trump nënshkroi të martën një ligj për sanksione ndaj zyrtarëve kinezë që kanë minuar autonominë e Hong Kongut si dhe një urdhër ekzekutiv që i jep fund trajtimit special të këtij territori autonom kinez. Në komentet e tij, presidenti u përpoq ta prezantonte veten si më të ashpër ndaj Kinës se konkurrenti i tij i pritshëm në zgjedhje, demokrati Joe Biden.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara analizon ndikimin që do të kenë këto masa në garën presidenciale të nëntorit:

Presidenti Donald Trump njoftoi vendimet e fundit të administratës së tij ndaj Kinës:

“Sot nënshkrova një ligj si dhe një urdhër ekzekutiv për të vënë Kinën para përgjegjësisë për veprimet shtypëse kundër popullit të Hong Kongut,” tha presidenti. Akti i Autonomisë së Hong Kongut vendos sanksione kundër individëve ose institucioneve që kryejnë biznes me zyrtarë kinezë, përgjegjës për zbatimin në Hong Kong të ligjit të ri kinez për sigurinë kombëtare. Ligji i jep presidentit autoritet të sekuestrojë zotërimet e zyrtarëve dhe të mos u lejojë hyrje në SHBA.

“Mendoj se administrata me këtë akt dërgon një sinjal se Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen më ta bindin Pekinin të ulë presionin ndaj Hong Kongut, por po zbatojnë akte që Kina të ndjejë koston e një sjelljeje të tillë” thotë analisti Zack Cooper.

Urdhri ekzekutiv i presidentit i jep fund trajtimit special të Hong Kongut, i cili tani do të trajtohet njëlloj si Kina. Këtë javë administrata Trump arriti me sukses të bindë Britaninë të heqë gjigandin kinez Huawei nga rrjeti i saj 5G.

Zoti Trump e prezantoi veten si më të ashpër ndaj Kinës se kundërshtari i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili pritet të konkurrojë përballë presidentit në zgjedhjet presidenciale:

“E gjithë karriera e Joe Bidenit ka qenë një dhuratë për Partinë Komuniste Kineze dhe për të gjithë gabimet shkatërrimtare që janë bërë,” tha presidenti. Zoti Biden e ka kritikuar presidentin se ka nxitur luftë tregtare me Kinën dhe ka thënë se ai vetë mban qëndrim shumë më të fortë ndaj Pekinit:

“Kinezët po shpenzojnë miliarda dollarë për të zotëruar teknologjinë e së ardhmes e ne po rrimë duarkryq,” tha zoti Biden.

Kina do të jetë një temë e rëndësishme në zgjedhjet e nëntorit, thotë analisti Cooper.

“Të dyja palët kanë pika të dobëta në këtë betejë. Mendoj se presidenti është më i rrezikuar. Presidenti arriti marrëveshje tregtare me Kinën, të cilën e nënshkroi në janar. Marrëveshja nuk garanton disa nga shkëmbimet më me peshë, si për shembull garanci për blerjen e produkteve bujqësore që janë shumë të rendësishme në shtetet qendrore amerikane”. Presidenti tha kohët e fundit se marrëdhënia e tij me Kinën është “dëmtuar rëndë” nga mënyra si reagoi Pekini ndaj pandemisë dhe se ai nuk është i interesuar të bisedojë me kinezët për fazën e dytë të marrëveshjes.

Ndërkaq, Kina po vendos sanksione ndaj firmës amerikane të pasisjeve mbrojtëse, Lockheed Martin, pasi Uashingtoni miratoi një paketë që mund t’i ofrojë Tajvanit teknologji e pajisje raketore me vlerë 620 milionë dollarë. Pekini ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj senatorëve Marco Rubio dhe Ted Cruz, të dy kritikë të fortë të Kinës./Voa/