MENU
klinika

Arratisja e bujshme e ’89-ës

Raporti sekret për Ramiz Alinë: Dilni ju çuna, shikoni Evropë me sy

19.07.2020 - 14:01

    Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, ku ndodhet një korrespodencë e titullarve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjestarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindizit.

E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkatoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në rradhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, Portin Detar, Komitetin e Partisë së Durrësit, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore rreth 30 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Drejtori i Portit, Sekretari i Parë i Komitetit Partisë të Durrësit, Qirjako Mihali, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis antarëve të saj, me akuza të ndërsjellta për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.

Në mesin e viteve ’60, teksa shkrimtari dhe studjuesi i njohur, Nasho Jorgaqi, po shkruante skenarin e filmit “Dueli i heshtur”, që bazohej mbi një ngjarje të vërtetë të ndodhur në vitet e para të pasluftës në portin e Durrësit dhe ujrat territoriale shqiptare në Detin Adriatik (ngjarje e cila edhe sot e kësaj dite mbart mbi vete shumë mistere dhe nuk është zbardhur ende), nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend, se ajo ngjarje do të përsëritej, plot 55 vite më vonë, në janarin e vitit 1989. Por ndryshe nga ajo e fillimit të qershorit të vitit 1947, kur marinari Spiro Kote, (i interpretuar në film nga i madhi Rikard Ljarja), arriti ta kthente anijen në Portin e Durrësit, pasi kishte vrarë më parë tre pjestarët e ekuipazhit me në krye “kapterr Ramiun”, kapiteni i anijes “Dukati”, arriti të arratisej nga Shqipëria së bashku me tetë shokët e tij që i kishte të fshehur në ambientet e anijes, duke e ankoruar atë në portin e Brindizit, pasi kishte mbajtur peng shtatë pjestarët e ekuipazhit në hambarët e anijes.

Kjo ngjarje e rëndë dhe njëkohësisht një nga historitë më të pazakonta të ndodhura tre dekada të shkuara që pati një jehonë të madhe në shtypin italian, jo vetëm që shkaktoi një furtunë të vërtetë në rradhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, ku u shkarkuan apo u dhanë dënime e masa të rënda ndëshkimore rreth 30 persona të zinxhirit drejtues e zyrtarë të lartë, duke filluar nga nënoficeri i Pikës së Kalim Kontrollit në Portin e Durrësit, (që s’kishte kryer si duhet kontrollin e anijes para daljes në det), Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, Drejtori I Portit Detar të Durrësit, Sekretari i Parë i Komitetit Partisë të Durrësit, Qirjako Mihali, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit të Punëve të Brendëshme, Hekuran Isai, të cilit i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë Politike që u zhvillua për disa ditë me rradhë nën drejtimin e Ramiz Alisë.

Ku si rrallë ndonjëherë, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, u përfshinë në debate të ashpra me njëri tjetrin, me akuza të ndërsjellta për abuzime, shpërdorime e deri tek problemet familjare të tyre. Lidhur me sa më sipër, pra që nga ngjarja e pazakontë e 6 janarit të vitit 1989, negociatat e qeverisë shqiptare me atë italiane për kthimin në Shqipëri të “Grupit terrorist” prej tetë personash me në krye, Enver Metën, që “ishin implikuar në kontrabandë droge” etj., proçesin hetimor ndaj tyre në Durrës, si dhe mbledhjet e gjata tepër të acaruara të Byrosë Politike, Memorie.al disponon dy dosje voluminoze të cilat kanë qenë me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë prej disa kohësh të deklasifikuara, duke i bërë ato publike për herë të parë.

Vijon nga numri kaluar

Raporti i Qirjako Mihalit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Durrësit, për Komitetin Qëndror të PPSH-së, mbi arratisjen e “Dukati”-t

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË S E K R E T

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT Ekzemplar

D U R R Ë S

Nr.37 Prot.

Durrës, më 12.01.1989

R E L A C I O N
MBI NGJARJEN E JASHTËZAKONSHME TË MOTOPESHKATORES “DUKATI“
TË NDËRMARRJES SË PESHKIMIT DURRËS

Më datë 6.1.1989, rreth orës 16.40, motopeshkatorja “Dukati” e Ndërrmarjes së Peshkimit Durrës, me ekuipazhin e vet prej 9 vetash u nis për gjueti.

Mbasi u përgatit motopeshkatorja u pajis me dokumentat e nevojshëm, simbas rregullave: u krye kontrolli paraprak nga dispeçeria e flotës së peshkimit dhe para nisjes u krye edhe kontrolli i shërbimit të kufirit. Nga të dhënat e mëvonëshme rezulton se: Mbas largimit nga porti i Durrësit, në orën 17.00 të datës 6.01.1989 ka dhënë këtë radiogram: “Dolëm nga porti për stavridh”(kuadratin) 24. Më pas, deri në orën 07. 40 të datës 7.1.1989, motopeshkatorja “Dukati” nuk është lidhur me radio me dispeçerinë e ndërrarjes. Sipas rregullave ajo duhej të lidhej në çdo 2 orë.

Në orën 07 e 40 të datës 7.1.1989 ka dalë në radio brigadieri i peshkimit i anijes dhe ka informuar se: “Në orën 22.00 të datës 6.1.1989 hodhëm elektrolinjën për të bërë gjueti. Numri një i kopirolit me disa maskarenj të tjerë, mori anijen dhe ka lundruar në kursin 240 gradë dhe e ka nxjerrë anijen në tokë në Brindizi”.

Pas këtij njoftimi vajtëm në ndërmarjen e peshkimit, pamë veprimet për nisjen e anijes, morëm takim me dispeçerat, peshkatarët dhe drejtuesit e ndërrmarjes për t’u njohur paraprakisht me tërë punën e bërë për nisjen e anijes. Gjithashtu saktësuam se në motopeshkatoren “Dukati”, veç ekuipazhit, ishin dhe 7 persona të tjerë, nga të cilët një peshkatar në këtë ndërmarrje i ekuipazhit të një motopeshkatoreje tjetër.

Më datë 10.1.1989, në orën 01.30, me mbrritjen e motopeshkatores “Dukati” në portin e Durrësit, morëm edhe një herë takim me 7 peshkatarët, pjestar të ekuipazhit, të cilët pas përballimit të shumë presioneve u kthyen në atdhe. Gjatë bisedës, ata shpjeguan se: më datë 6.1.1989 në orën 16.30, ekuipazhi i motopeshkatores është grumbulluar për t’u nisur për gjueti. Pasi kanë hipur në motopeshkatore, është njoftuar nënoficeri i shërbimit të pikës së kontrollit të kalimit të kufirit, Vrenoz Doganaj, për të bërë kontrollin sipas rregullave. Ish kapiteni i motopeshkatores, armiku Enver Meta, e kishte kthyer atë me bash nga ura me qëllim që të vështirësonte hyrjen në të për të bërë kontroll.

Nënoficeri i shërbimit të kufirit, nuk ka hipur për kontroll siç përcaktohet në rregullore, por ka nënshkruar dokumentat për nisje nga ura. Pas orës 22.00 të datës 6.1.1989, të 9 armiqtë, që ishin të armatosur me thika e mjete të tjera, kanë izoluar me shpejtësi të 5 peshkatarët që kanë qënë në pushim, kanë përdorur forcën ndaj Agron Guzës, të cilin e mbyllën në hambarin e arkave dhe ndaj Fisnik Doçit që e kanë lidhur në dhomën e kapitenit. Në këtë kohë, armiku Enver Meta ka fikur motorin ndihmues, ka ndezur motorin e madh dhe, duke ndryshuar kursin ka ecur përpara. Në orën 05.30 të datës 7.1.1989 kanë mbërritur në Brindizi të Italisë, duke nxjerrë anijen në tokë. Gjatë kësaj kohe, 7 peshkatarët kanë mbetur të izoluar, kanë tentuar të çlirohen, por nuk kanë mundur, pasi janë mbajtur nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcës të këtyre armiqve.

Në momentin që armiqtë bëheshin gati të braktisnin anijen, kanë përdorur ndaj peshkatarëve dhe ndaj vendit tonë shprehje të mprehta armiqësore dhe kërcënime si: “Mos lëvizni qena, mos bëni asnjë lloj manovrimi se do t’ua numurojmë në lule të ballit”, “dilni çuna shifni nëpërmjet obllave Brindizin e Italisë, shifni Evropë me sy”.

“Këtu në Brindizi do të shofim televizor pa antenë, jo si në Shqipëri që hypnim sipër apartamenteve dhe lëviznim antenat majtas e djathtas”. Pasi ata janë larguar, peshkatari Fisnik Doçi, që ishte i lidhur në kabinën e kapitenit, çlirohet dhe me levë hap dyert e dhomave ku ishin mbyllur shokët e tij. Të shtatë tentuan të nxjerrin anijen nga cektina për t’u kthyer në atdhe pa i’u nënshtruar kontrollit të autoriteteve italiane. Kësaj nuk ia arritën pasi ndërkohë zbardhi dita dhe erdhi kapiteneria e portit që i nxorri nga cektina. Armiku Enver Meta që zotëronte mirë gjuhën italiane, i shoqëruar nga milicia erdhi në anije, ku mesa kanë kuptuar peshkatarët tanë gjuhën, dha shpjegime mbi ngjarjen dhe tregoi vendet ku ai kishte fshehur armiqtë dhe kishte mbyllur ekuipazhin e anijes. Siç shpjeguan edhe peshkatarët tanë, armiqtë i kishte future në hambarin e arkave.

Nga analiza që i bëri Byroja e Partisë të rrethit kësaj ngjarjeje në datën 12.01.1989, del se: Armiku Enver Meta, në mënyrë të fshehtë, duke përfituar edhe nga mungesa e përsëritur e kontrollit të kufirit, ka fshehur në anije shtatë persona të jashtëm, me të cilët që më parë ka përgatitur planin e arratisjes. Ai bashkë me të tjerët përfituan nga liberalizmi në kontroll, e kishin vërejtur në kohë këtë liberalizëm. Siç shpjegojnë peshkatarët, nënoficeri në vend që të kontrollonte cep më cep anijen, e ka lënë të ikë atë. Nuk është bërë kontroll fizik në anije në vazhdimësi, por vetëm kontroll i ekuipazhit dhe i dokumentacionit. Ndërsa në të kundërt, kur vijnë anijet nga jashtë, bëhen kontrolle shumë të imta në to e të ekuipazhit të tyre. Këto mangësi i kanë vënë re dhe i pranuan në byronë e Partisë të rrethit, drejtori dhe sekretari i byrosë së Partisë të Ndërrmarjes së Peshkimit, por nuk i kanë ngritur me forcë në ballafaqimet që kanë bërë me organet e kufirit dhe as kanë informuar Komitetin e Partisë të rrethit.

Analiza për ngjarjen, të cilat u ndoqën nga ana jonë, u zhvilluan në byronë e në organizatën-bazë të Partisë dhe në këshillin teknik të ndërmarrjes së peshkimit, në organizatën-bazë të Pikës së Kontroll-Kalimit të Kufirit në Portin e Durrësit, në Degën e Punëve të Brendëshme dhe në shtabin e Flotës Luftarake Detare.

Gjithashtu analiza janë bërë edhe në ato ndërmarrje ku kanë punuar personat e tjerë, të arratisur, që nuk janë efektiv në peshkim. Këto analiza u karakterizuan nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë, me frymë kritike ndaj shkeljes së rregullave e rregulloreve, të disiplinës së punës, ndaj shfaqjeve të liberalizmit, indiferentizmit e ambjentimit në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe u përcaktuan masa për të ndrequr gjendjen.

Organizata – bazë e Partisë e sektorit të detit në Ndërmarrjene Peshkimit, duke analizuar thellë këtë ngjarje të shëmtuar, nxorri se në kryerjen e detyrës janë vërtetuar mjaft të meta e dobësi, duke filluar nga roja e deri te drejtuesit kryesor të ndërmarrjes. Me theks u diskutuan shfaqjet e indiferentizmit gjatë hyrjes e daljes së njerëzve në ndërmarrje dhe në mjetet e peshkimit, thyerjet e disiplinës në ndërlidhjen ndërmjet mjeteve në gjueti dhe dispeçerisë, në lëshimet dhe qëndrimet liberale gjatë kontrollit të mjeteve sidomos para nisjes për gjueti, nga kryetari i degës së flotës së peshkimit dhe drejtuesit e ndërmarrjes etj.

Për këto të meta e dobësi organizata-bazë e Partisë u ndal konkretisht dhe ndëshkoi me vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, drejtorin e ndermarrjes Vath Çollaku, përcaktoi detyra konkrete për të ndrequr gjendjen, për të forcuar kontrollin e për të rritur kërkesën e llogarisë për zbatimin me rreptësi të rregullave.

Organizmi i ndërmarrjes miratoi propozimet e këshillit teknik dhe për mungesë përgjegjësie në kryerjen e detyrave kryeinxhinierin e ndërmarrjes, kryetarin e degës së flotës, dy dispeçera dhe përgjegjësen e administratës, shkarkoi nga detyra dhe u kërkua proçes hetimor për dispeçerin që kishte shërbimin gjatë kohës së ngjarjes etj.

Analiza të tilla u bënë edhe në organin e degës së punëve të brendëshme. Organizata-bazë e Partisë e pikës së kontroll- kalimit të kufirit në Portin detar, për dobësi të theksuara në punë, përjashtoi nga Partia nënoficerin që ka kryer kontrollin e motopeshkatores para daljes në det dhe propozoi të ndiqet penalisht. Proçesi hetimor ndaj tij ka filluar.

Komiteti i Partisë i rrethit, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e mëparëshme që kanë ndodhur në flotën tregtare, në portin detar e N.N. Porti, e ka intensifikuar punën me organizatat – bazë të Partisë e levat e tyre në të gjitha ndërmarrjet që përfshihen në akuarjumin e Portit, për të krijuar një koncept më të plotë ndër komunistët e punonjësit e tjerë për kufirin. Për këtë qëllim, herë pas here kemi organizuar takime e biseda me punonjësit, komunistët e kuadrot për forcimin e vigjilencës si në buzën e ujit dhe në thellësi. Në zbatim të detyrave që ka shtruar Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, janë bërë aktive Partie si në shkallë rrethi, ashtu dhe në ndërmarrje ku ka patur më shumë shqetësime, si në Portin Detar, Kryevidh, në Sukth, etj.

Me preokupim i kemi ndjekur këto problem edhe në shtabin e zonës së buzës së ujit për të zgjidhur disa problem e shqetësime që i kishin aktualisht. Për këtë qëllim është hartuar edhe një program masash e është kërkuar zbatimi i tij.

Në bazë të një studimi të kryer nga Dega e Punëve të Brendëshme, janë evidentuar punëtorët problematikë të ndërrmarjeve të buzës së ujit dhe dora dorës janë larguar prej andej gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 1988, 13 prej tyre, janë porositur ndërmarrjet që gradualisht të largojnë të tjerët dhe të bëhet kujdes i vazhdueshëm për njohjen e punëtorëve të rinj.

Kujdes të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të organizatës së Partisë të Ndërmarrjes së Peshkimit nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të efektivit të saj. Nga viti 1986 e deri më sot, gradualisht efektivi i saj është rritur nga 37 në 55. Shtesa prej 18 komunistësh ka ardhur nga 10 pranime të reja dhe 9 komunistë të dërguar nga ndërmarrje të tjera. Njëkohësisht aty janë dërguar për të kryer stazhin e kandidatit të Partisë vetëm për vitin 1988, 8 kandidatë. Megjithëatë, ne po rishikojmë edhe njëherë përmirsimin e shpërndarjes së komunistëve, sidomos në motopeshkatoret me tonazh të madh dhe ato të molusqeve.

Krahas problemeve për forcimin e jetës së brendshme të Partisë në këtë ndërmarrje, është hartuar e po zbatohet një kompleks masash tekniko – organizative, që parashikon përmirësimin e rrethimit të ndërmarrjes, përcaktimi më i saktë i përgjegjësive, përmirësimi i rregullores së brendshme të ndërmarrjes etj.

Përveç përgjegjësisë së organizatës së Partisë dhe drejtorisë së ndërmarrjes së peshkimit, byroja e Komitetit të Partisë të rrethit, arriti në konkluzionin se përgjegjësi ka edhe organizata – bazë e Partisë e sektorit të sigurimit të Degës së Punëve të Brendëshme, e cila me një punë më të thelluar duhet t’i paraprinte zbulimit të kësaj veprimtarie armiqësore të organizuar dhe, të njihte e të paralajmëronte shfaqet e liberalizmit për zbatimin e rregullave për kontrollin e mjeteve të peshkimit.

Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit ka përgjegjësi pasi nuk ka ushtruar sa duhet kontroll për forcimin e disiplinës, për zbatimin e rregullave e të regjimit në ndërmarjet ekonomike, veçanërisht në ato të buzë ujit.

Në punën e Komitetit të Partisë të rrethit ka patur mangësi në luftën më të organizuar kundër propogandës së huaj, në kuptimin e zhvillimin më gjërë të shfaqjeve të luftës së klasave, në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftën kundër indiferentizmit, si dhe në vlerësimin më me përgjegjësi nga organizatat – bazë të Partisë të këtyre problemeve, duke luftuar njëanshmërinë, për t’u marrë vetëm me problemet ekonomike. Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit, tërhoqi vëmendjen edhe në faktin që organizatat – bazë të Partisë dhe ato të masave, drejtoritë e ndërmarrjeve, jo sa duhet ndjekin jetën e punonjësve të tyre jashtë kohe normale të punës. Në këtë kuadër duke nxjerrë mësime nga kjo ngjarje e rëndë, ne do të çojmë deri në fund disa masa që janë përcaktuar që më parë, si përfundimin e murit rrethues në tërë akuatoriumin e Portit Detar, mbas të cilit do të krijohen mundësitë që, të gjitha ndërmarrjet e buzës së ujit, të kalojnë në ruajtje të policisë. Gjithashtu masa po merren për vendosjen e rregullave të forta, për hyrjen në këto ndërmarrje, si të punonjësve të tyre, ashtu dhe të të tjerëve që shkojnë atje për nevoja pune, veç punës që duhet bërë që pjesa lindore e Portit Detar si dhe të gjitha ndërmarrjet që ndodhen në këtë akuatorium, duhet të ruhen me forca të policisë, siç ruhet edhe pjesa veriore e tij.

Gjithashtu është e domosdoshme që të konsiderohet kufi komplet akuatoriumi i portit, pasi deri tani si e tillë është konsideruar vetëm zona e Portit detar.

Po ashtu, po punojmë për të krijuar një koncept më të drejtë për të konsideruar kufi jo vetëm anijet e huaja por edhe anijet tona, duke përfshirë edhe ato të peshkimt. Realizimi i kësaj konsiderohet me plotësimin e kërkesave për rritjen e efektivit të postës së kufirit.

Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit pas kësaj analize thelloi përgjegjësitë dhe masat, duke shkarkuar nga detyra sekretarin e byrosë së Partisë të Ndërmarrjes së Peshkimit dhe drejtorin e saj, me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, të sekretariatit të Komitetit të Partisë dhe vrejtje të rëndë me paralajmërim për shkarkim nga detyra, të drejtorit të Portit Detar “Enver Hoxha“.

Miratoi masat e marra deri tani në organin e degës së punëve të brendëshme dhe të thellohet qëndrimi për sektorët e tjerë të Degës së Punëve të Brendëshme në Komitetin e Partisë. Ngarkoi Komitetin Ekzekutiv të K.P. të rrethit, që të qëndrojë ndaj atyre që kanë thyer rregullat, që nuk kontrollojnë zbatimin e vendimeve, sidomos për vendosjen e rregullave në hyrjen e daljen në ndërmarrjet ekonomike.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TE RRETHIT
QIRJAKO MIHALI/ /Memorie.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët