MENU
klinika

Replikë!

Shën Sofia xhami! Shqiptarët nuk kanë pse përzihen!

16.07.2020 - 18:21

Thanas Mustaqi, ka reaguar së fundmi për kthimin e muzeut të Shën Sofisë në xhami.

Reagimi i tij ka ardhur në formën e replikës me profesorin e njohur z. Çapajev Gjokutaj.

Mustaqi shkruan se shqiptarët nuk kanë pse përzihen në këtë çështje, duke kundërshtuar kështu Gjokutajn teksa thotë se Shën Sofia është trashëgimi e kulturës botërore. Ndër të tjera, Mustaqi rendit dhe arsyet të cilat i gjeni si më poshtë në reagimin e plotë:

Replikë me z. Çapajev Gjokutaj
Lidhur me shndërrimin e Muzeut të Shën Sofisë në xhami
Nuk ka pse përzihemi ne, shqiptarët, në punët e Turqisë dhe Greqisë.
Pavarësisht se kush është në pushtet në Ankara, Turqia është aleatja më e madhe e Shqipërisë, pasi aty jetojnë mbi 6 milionë shqiptarë.
Së dyti, Rusia, që ka popullsinë më të madhe në botë të besimit ortodoks, deklaroi se kjo është një çështje e brendshme e Turqisë.
Së treti, nuk i takonte kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Janullatos, të bënte deklaratë politike në unison me qëndrimin e Athinës zyrtare, përderisa nuk ka qëndrim të Tiranës zyrtare. Kjo e fundit duhet t’i tërheqë vëmendjen publikisht shtetasit greko-shqiptar Janullatos të mos bëjë politikën e Greqisë ose t’ia heqë nënshtetësinë shqiptare dhe ta dëbojë.
Së katërti, tapinë e Shën Sofisë e ka Turqia. Togfjalëshi “pasuri e UNESCO-s” është metaforë. UNESCO-ja të çregjistron nga pasuritë e njerëzimit dhe nuk të jep financime. Kaq.

Më poshtë Konica.al po ju sjell edhe reagimin e Prof. Dr. Çapajev Gjokutaj, përmes të cilit shprehet se kthimi i muzeut në xhami është akt force dhe po bëhet për tu shërbyer politikave të ditës.

“Shën Sofia kapërcen ylberin e intolerancës
Të premten tjetër kisha e Shën Sofisë në Stamboll do bëhet xhami. Vendimin e ka marrë Erdogani pasi një gjykatë e gjeti jo të mbështetur në ligj një dekret të qeverisë Ataturk, marrë 86 vjet më parë.

Menyra si e përdorim këtë monument, deklaroi Erdogan, është punë e Turqisë, se Shën Sofia është nën sovranitetin tonë.
Kjo puna e sovranitetit, sado në rregull të ngjajë formalisht, çalon nga të dyja kembët.

Nobelisti Orhan Pamuk i tha BBC-së se ai dhe miliona shekullarë turq i bashkohen britmës së protestës, por qendrimi i tyre s’përfillet.
Ka edhe një anë tjetër që e bën vendimin e Erdoganit, jo të çalojë po të kërkojë patericë. Shën Sofia është trashëgimi e kulturës botërore në kuptimin më strikt të kësaj fjala.
E ndërtuar në shek. VI nga Justiniani shënon një nga monumentet më me vlera të artit bizantin. Pas tetë shekujsh funksionimi si kishë do të konvertohej në xhami me rënien e Kostandinopojës, për të marrë statusin e muzeut pas pesë shekujsh, më 1934, gjatë reformave të Ataturkut, babait të Turqisë moderne.
Parë kështu, në rrjedhën e shekujve Shën Sofia ka qenë truall simbiotik fesh e qytetrimesh dhe ka marrë peshën e simbolit të bashkëjetesës religjoze e kulturore. Statusi i muzeut e mishëronte më mirë këtë simbolikë dhe e kthente monumentin në urë mes feve e qytetrimeve.

Kthimi nga muze në xhami është akt force dhe revanshi që jo vetëm fyen një pjesë të konsiderueshme të turqve të sotëm, por edhe i fryn zjarrit të mërirave e fanatizmave në gjithë botën.
Merr trajta ironike fakti se rikonvertimi i Shën Sofisë ne xhami nuk bëhet për nevoja të besimtarëve myslimanë turq, por për t’u shërbyer politikave të ditës.
Vëzhgues të ndryshem e shohin këtë konvertim si përpjekje te Erdoganit dhe të partisë së tij për të kompaktësuar elektoratin, që rrezikon të ftohet dhe shpërbëhet, në kushtet kur ekonomia turke po bie dhe papunësia po rritet. Fitorja e opozitës për bashkinë e Stambollit dëshmon se një pjesë përherë e më e konsiderueshme e qytetarëve nuk aprovojnë politikat erdoganiste.
Akte të tilla si shndërrimi i një monumenti të shquar nga muze në xhami krijojnë edhe tensione e përfolje ndërkombtare, nxisin pasione fetare dhe synojnë të ngopin me lugë zbrazur miljona besimtarë turq, kryesisht nga zonat rurale, duke u pëshpëritur se janë të fisëm e mbeten sojlinj edhe në kohë krizash, kur kuzhina e tavolina kembëngulin se ke rënë nga vakti.

Me nëntekstet simbolike që përmban, konvertimi i Shën Sofisë vjen në rezonancë edhe me tensionet politike mes Ankarasë dhe Athinës, tensione të acaruara rishëm nga diskutimet për kufijtë detarë dhe valët e refugjatëve që në kërkim të Europës kalojnë kufirin mes dy vendeve. Në kohë vështirësish imazhi i armikut të jashtëm bëhet më i kerkuar e më veprues.
Ministria turke e kulturës dhe e turizmit sqaronte se mozaikët e krishterë të Shën Sofisë nuk do të preken, as do zhvendosen, vetem se do të mbulohen me një lloj perdeje në kohën e faljes.
Kjo puna e perdes të kujton skenën dhe aktrimin dhe të shtyn të rikujtosh mësimin e historisë se politikanët dashurohen me lojë simbolesh kur janë në veshtirësi. Gjatë periudhash të tilla përdorin me tepri historinë, përkatësitë fetare, racore, etnike, politike etj. për t’i fryrë zjarrit të pasioneve dhe për të përgjumur gjykimin racional.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit