MENU
klinika

"Nuk dinte as të shkruante!"

Shkarkohet nga detyra prokurori i Gjirokastrës

16.07.2020 - 09:56

Shkarkohet nga detyra prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli. Prokurori pranë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër, u shkarkua sot nga detyra.

Sipas KPK, ai kishte probleme me drejtshkrimin, pra, është arsyetuar se ai nuk dinte të shkruante mirë, çka bëri që prokurori të mos e kalonte procesin edhe nga ana profesionale.

Çoçoli ishte gjithashtu nën hetim edhe nga SPAK. Prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli nuk u paraqit as të martën në seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ndryshe nga hera e parë, kur kërkoi shtyrje për arsye shëndetësore, këtë herë Çoçoli e ka njoftuar Komisionin se e kishte të pamundur të ishte i pranishëm, ndërsa nuk ka dorëzuar asnjë dokument justifikues.

Kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj tha se në kushtet kur Çoçoli nuk kishte justifikuar mospraninë e tij, seanca dëgjimore do të zhvillohej, duke parashtruar gjetjet e Komisionit.

Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit. Aktualisht, çështja e tij është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokurorin Çoçoli ishte përfunduar vetëm në dy kritere, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Ajo vuri në dukje se subjekti i rivlerësimit është aktualisht i pezulluar në detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.

Sanxhaktari bëri me dije se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte sjellë fillimisht raport pozitiv për pastërtinë e figurës së Çoçolit. Por DSIK e ka ndryshuar raportin e 2017-ës, duke referuar informacione të tjera dhe në një raport të tretë e shpalli atë të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Prokurori Çoçoli mori vlerësim negativ edhe për aspektin profesional. “Ka mangësi të theksuara në zbatimin e ligjit. Vetëm në një prej çështjeve të verifikuara e ka referuar drejt ligjin, ndërsa në gjithë çështjet e tjera e ka referuar në mënyrë të gabuar. Në asnjë rast nuk i ka argumentuar vendimet e pushimeve dhe nuk ka kryer verifikime apo hetime para vendimarrjes. Gjithashtu, nuk respekton as rregullat e drejtëshkrimit”, deklaroi Sanxhaktari lidhur me konstatimet e KPK për profesionalizimin.

Ajo vijoi se Çoçoli shfaq aftësi të cunguara në arsyetimin ligjor dhe se në përgjithësi ka kryer referenca ligjore të gabuara.

“Në një rast ka regjistruar procedim penal ndaj personi pa i argumentuar akuzat dhe e ka dërguar dosjen në gjyq. Gjatë gjykimit është tërhequr me justifikimin se do të kryente hetime të tjera,” shpjegoi Sanxhaktari për një prej gjetjeve. Ajo shtoi se gjuha e përdorur nga Çoçoli në akte, nuk është në etikën e prokurorit.

Sanxhaktari tha se në vitin 2011 Prokurori i Përgjithshëm nga nxjerrë vendim për hetimin e Çoçolit dhe një vit më pas ndaj tij është dhënë masa disiplinore “vërejte”.

Për vitet 2013 dhe 2015 Çoçoli është vlerësuar “mirë” nga Prokuroria e Përgjithshme ndërsa për vitet 2014 dhe 2016 “mjaftueshëm”.

Bazuar edhe në pesë denoncime e kryera nga publiku, Komisioni konstaton se Çoçoli ka aftësi dhe cilësi të prapranueshme në punë.

Sistemi gjyqësor në Shqipëri është prej disa kohësh duke iu nënshtruar procesit Vetting, që ka për qëllim ta pastrojë atë nga të paaftët, mediokrit dhe të korruptuarit.