Banka Botërore është institucioni i cili ka publikuar deri më tani serinë më të vyer të dokumenteve, pasi jo vetëm tregon masën e vuajtjes së ekonomisë sonë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor si pasojë e pandemisë covid-19, por mbi të gjitha, jep edhe rekomandime të qarta politikash se si do të duhet të adresohen sfidat kryesore me të cilat do të përballet ekonomia dhe shoqeria shqiptare në muajt apo edhe vitet në vazhdim. Një ndër këto aspekte është edhe tregu i punës, që lidhet ngushtë më mirëqënien e qytetarëve dhe aftësinë e shtetit për të mbrojtur shtresat më vulnerabël të popullsisë.
Mbështetje emergjente për të punësuarit në të “zezë”
“Megjithatë, pushimet nga puna do të jenë të pashmangshme, sidomos në sektorët e rëndësishëm që janë prekur nga kjo goditje, si turizmi, tregtia ose transporti. Përpos largimeve nga puna, ka mundësi që të bëhet një korrigjim i pritshëm i pagave duke i shkurtuar dhe ulje të orëve të punës.
Për rrjedhojë, është e nevojshme që të ofrohet mbështetje emergjente për familjet, për të përkrahur si familjet formale, ashtu edhe ato joformale të prekura nga goditja, përmes masave të zgjeruara të ndihmës sociale dhe sigurimeve shoqërore.
Këto masa mund të ndryshojnë nga ato të mbështetjes përpara krizës, duke pasur parasysh numrin masiv të njerëzve të prekur dhe nevojën për të regjistruar e mbështetur me shpejtësi familjet”-thotë mes reshtave Banka Botërore, duke i “rikujtuar” qeverisë shqiptare pikën e saj më të dobët; informalitetin. Mosadresimi i kësaj kategorie të tregut të punës ishte problem madhor i paketavetë para të ndihmës ekonomike nga ana e qeverisë shqiptare.
Duke qenë se informaliteti në punë është tejet i përhapur në vendin tonë. Sipas një studimi të fundit të Institutit të Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare, me mbështetjen edhe të Bankës Botërore, në Shqipëri ka mes 450 mijë dhe 500 mijë punonjësve informalë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit si dhe ata që punojnë pa pagë, pra të gjithë ata që i mungojnë skemës së tatimeve. “Në të gjitha fazat, mbështetja duhet t’u përshtatet profileve të njerëzve. Mbështetja që mund t’u ofrohet, për shembull, punonjësve në sektorin formal mund të jetë ndryshe nga mbështetja që mund t’u jepet punonjësve informalë ose atyre thuajse të varfër”, thotë BB në dokumentin që i drejtohet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Masa për shmangien e pushimeve nga puna
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një gamë të gjerë masash reaguese në kuadër të politikave të mbrojtjes sociale, që synojnë të mbështetin punonjësit e sektorit formal, të papunët, të varfrit dhe të moshuarit, të cilat do t’i shqyrtojmë më poshtë. Disa prej këtyre masave (si subvencioni i pagave) mund të jenë instrumente të vlefshme politikash për një periudhë afatshkurtër, por mbeten mjaft të kushtueshme dhe mund të jenë më pak efektive si masa reaguese afatgjata. Për rrjedhojë, do të jetë me rëndësi që ky kombinim politikash të ndryshojë e të përshtatet përgjatë fazave të reagimit”, nënvizon banka.
Fillimisht, institucioni rekomandon mbështetje afatshkurtër të firmave në sektorin formal për shmangien e pushimeve nga puna. “Për një periudhë afatshkurtër, mund të ndërmerren masa për mbajtjen në punë të punonjësve nga firmat e sektorit formal, si reagim ndaj goditjes së përkohshme të furnizimit. Mbajtja e punonjësve në punë kufizon numrin e të papunëve, numrin e familjeve që kanë nevojë për ndihmë sociale shtesë dhe, çka është më e rëndësishme, ruan marrëdhënien e punës midis firmave dhe forcës së punës, që është kyçe për t’u përgatitur për rinisjen e prodhimit pas krizës. Ekzistojnë disa instrumente që mbështeten në të njëjtën ide themelore: uljen e kostove të punës në kohën e ngadalësimit ekonomik, për t’u dhënë mundësi firmave të mbajnë të punësuar forcën aktuale të punës”.
Goditja në tregun e punës nuk është e kufizuar vetëm me mbylljen e izolimit. Shumë sipërmarrje shqiptare kanë ngritur alarmin se më e keqja nuk ka ardhur ende. Një prej tyre është edhe sektori fason. Në një deklaratë të bërë në emisionin “argument”, Gjergji Gjika, i shoqatës së fasonistëve shqiptarë tha se në muajin shtator ky sektor do të ketë në punë vetëm 20% të punonjësve. Sipas tij, por edhe pëfraqësuesve të tjerë të biznesit, nëse ecet me këto ritme, shumë shpejt ata do të jenë të detyruar të shkurtojnë masivisht punonjësit.
Subvencionet e pagave si masë emergjente
“Subvencionet e punësimit ose pagave janë transferta (të drejtpërdrejta) për punëdhënësit, që kanë për qëllim të mbulojnë plotësisht ose pjesërisht pagat e forcës së punës. Punonjësit mbahen në punë me një kosto më të ulët për firmat, pavarësisht orëve të shkurtuara ose asnjë ore pune. Kualifikimi për subvencionet e pagave mund të bazohet në kushtin që firmat duhet të mbajnë një përqindje të caktuar të forcës së tyre të punës.
Subvencionet e pagave kanë rezultuar efektive për parandalimin e shkatërrimit të punësimit gjatë krizave të mëparshme në shkallë të gjerë. Megjithatë, ato duhet të jenë në vlerë të mjaftueshme për të stimuluar mbajtjen në punë të punonjësve dhe mund t’i kushtojnë shumë qeverisë. Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, është vlerësuar se një subvencion gjithëpërfshirës i pagave për 250 000 punonjës në vlerën e pagës minimale mund të kushtojë më shumë se 60 milionë euro në muaj. Sa u takon firmave, mbulimi i pjesës së mbetur të pagave të punonjësve – nëse lind si nevojë nga masat e reagimit ndaj krizës ose nga legjislacioni i punës në fuqi në vend— mund të jetë sërish i vështirë, kur përballen me kufizime likuiditeti dhe, për pasojë, të mos jete efektiv për parandalimin e pushimeve nga puna.
Një ndryshim i mundshëm i kuadrit ligjor mund t’i ndihmojë më tej firmat, duke i lejuar të paguajnë pjesë të pagës së pambuluar vetëm deri në një prag të caktuar (çka do të thotë ulje e përkohshme e pagave).”-rekomandon Banka Botërore.
Subvencionimi i pagave në praktikë
“Ka disa alternativa për të përmirësuar koston efektive të subvencionit të pagave. Një prej tyre është kompensimi (i pjesshëm) i punonjësve për orët e shkurtuara, ndërkohë që firma vazhdon t’i paguajë (pjesërisht ose plotësisht për kohën e mbetur efektive të punës.
E njohur si “skemat e përkohshme të punës me kohë të shkurtuar”, kjo alternativë zbatohet, mes të tjerash, në Gjermani, Francë dhe Itali, por kërkon një sistem që lejon përqendrimin vetëm tek ata punonjës që punojnë me kohë të shkurtuar apo që janë larguar përkohësisht nga puna. Një tjetër mundësi është përqendrimi te firmat specifike sipas sektorëve (turizmi, hoteleria) ose madhësisë: ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme ka më shumë gjasë të kenë nevojë për mbështetje, për shkak të kufizimeve që hasin në likuiditet”, thotë BB.
Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë njoftuar subvencionimin e pagave për të mbështetur punësimin, shton BB, duke nëbvizuar se, në Serbi, qeveria deklaroi se do të mbulonte pagat e tre muajve për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Në Kosovë, pagat mujore do të mbulohen për muajt prill dhe maj me një vlerë të barabartë me pagën minimale, një masë e cila llogaritet në 41 milionë euro.
Në Maqedoninë e Veriut, është deklaruar se do të subvencionohen pagat (sërish, në vlerën e pagës minimale) për 9 000 punonjës artizanalë dhe rreth 250 000 punonjës të firmave të sektorit privat, që regjistrojnë të paktën 30% rënie në të ardhura për shkak të krizës.
Në Malin e Zi, është njoftuar subvencionimi i pagës për dy muaj deri në vlerën 100% të pagës minimale për të gjitha firmat në sektorët e prekur, si dhe një subvencionim gjashtëmujor i pagës për punësimin e deklaruar rishtas në të gjithë sektorët, për të nxitur formalizimin e punësimit. Një gjë e ngjashme është bërë edhe në Shqipëri me dy paketat e parë të qeverisë, packa se banka botërore nuk e përmend, me pagat e njohura ndryshe me termin “qeveritar”: “paga e luftës”. Por këto pagesa kanë rënë si mjet subvencioni i qeverisë që prej përfundimit të periudhës së izolimit.
Reduktimi i kontributeve shoqërore
“Ulja e kostove të tjera që lidhen me listëpagesat (zakonisht, kontributet e sigurimeve shoqërore ose pensioneve) përbën një tjetër mënyrë të subvencionimit të pagave. Ato paguhen nga punëdhënësi mbi pagën neto dhe pagesat e diferencuara të këtyre tatimeve ose lehtësimet mund të ulin përkohësisht kostot e punës. Këto masa mund të kushtëzohen me mbajtjen e të gjithë forcës së punës ose një përqindjeje të saj nga firmat për një periudhë të caktuar.
Ka të ngjarë që zbatimi të jetë më i shpejtë, pasi mbështetet në një sistem e regjistër ekzistues. Megjithatë, ai mund të krijojë çrregullime në funksionimin e agjencive të tjera që kanë lidhje me pensionet dhe sigurimet shoqërore. Nga pikëpamja e buxhetit, preferohet shtyrja në vend të përjashtimit apo uljes.
Në të kundërt, qeveria duhet të caktojnë nga buxheti i përgjithshëm burime shtesë për të mbuluar kontributet e fshira dhe për të ruajtur një qëndrueshmëri afatgjatë të fondeve të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Pagesat e kontributeve shoqërore por edhe atyre individuale ishte nëj ndër kërkesat kryesore të biznesit shqiptar për qeverinë shqiptare si masë lehtësuese ndaj krizës. Më saktë, kjo ishte masa e tretë më e kërkuar nga biznesi në anketën e këshillit të bashkëpunimit rajonal, “Barometri i Ballkanit 2020”.