Si pesimistët, ashtu edhe optimistët, do të duhet t’i rishikojnë parashikimet e tyre klimatike, pasi një studim pothuajse i përjashtoi opsionet më optimiste për ngrohjen globale teksa i minimizoi gjasat për skenarët e rastit më të keq.
Një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve të përfshirë në studim kanë bërë të ditur ta kenë ngushtuar gamën e rezultateve të mundshme klimatike, në atë që i redukton paqartësitë që prej kohësh kanë ngjallur debat publik rreth kësaj fushe.
Besimi i tyre i shtuar për ndjeshmërinë e klimës mund ta lehtësojë punën e politikëbërësve dhe të zvogëlojë shkallën e skepticizmit, por është larg të siguruarit garanci për të ardhmen e planetit.
“Mesazhi kryesor është se fatkeqësisht nuk mund të presim që fati të na shpëtojë nga ndryshimet klimatike”, ka thënë Reto Knutti, profesor i fizikës klimatike në Institutin e Cyrihut ETH për Shkenca Atmosferike dhe Klimatike. “E mira është se disi e kemi ngushtuar gamën e ngrohjes së ardhme afatgjate dhe e keqja është se nuk mund të shpresojmë apo të pretendojmë më se problemi do të zhduket magjishëm”.
Deri më tani, Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike ka llogaritur një dyfishim të dyoksidit të karbonit atmosferik nga niveli paraindustrial prej rreth 280 grimcash për një milion ka 66 për qind gjasa të ngrohjes së planetit nga 1.5 gradë në 4.5 gradë Celsius. Në maj, dyoksidi i karbonit në atmosferë kishte mbërritur në 417 grimca për një milion dhe po rritet për rreth 2.5 grimca në vit.
Optimistët mund të aludojnë se shifrat më të ulëta mund të bëhen bazë për të thënë se nuk nevojitet kurrfarë veprimi. Pesimistët mund të aludojnë në shifrat më të larta për të paralajmëruar se apokalipsi është afër.
Studimi, i botuar në revistën “Reviews of Geophysics”, e ul këtë shifër prej 66 për qind të ndjeshmërisë së klimës në mes të 2.6 gradë dhe 3.9 gradë Celsius, që do të thotë se nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi, por parashikimet më të llahtarshme tani po konsiderohen si më pak të mundshme.
“Është ky një lajm tejet i mirë. I redukton gjasat e disa vlerësimeve katastrofikisht të larta. Nëse po e planifikonim më të keqen, atëherë më e keqja është bërë më pak e mundshme”, ka thënë Zeke Hausfather, njëri nga autorët e Grupit “Energy and Resourses” pranë Universitetit Berkeley të Kalifornisë. “Por, në fund të fundit, kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë më shumë për t’i kufizuar ndryshimet klimatike. Nuk jemi as afër për ta bërë këtë gjë”.