MENU
klinika

Ish-kreu i bandës së Vlorës kërkon lirinë

Sot në Korçë vendoset për ‘fatin’ e Zani Çaushit

17.07.2020 - 07:48

Sot, më 17 korrik 2020, Gjykata e Korçës do të marrë vendimin për lirimin ose jo nga burgu të ish-kreut të Bandës së Vlorës Zani Çaushi.

Pak ditë më parë Zani Çaushi paraqiti kërkesën e tij për të fituar lirinë me kusht, edhe pse është dënuar me burg përjetë, me pretendimin se tashmë është rehabilituar dhe do të nisë një jetë normale. “Jam rehabilituar, kam fëmijë të mitur dhe do të punësohem nëse më lirojnë”, ka thënë Zani Çaushi ndër të tjera në kërkesën e tij.

Gjatë seancës së sotme do të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të prokurorisë dhe avokatit mbrojtës të ish-kreut të Bandës së Vlorës. Ndërkohë, pritet që Prokuroria e Korçës do të kundërshtojë kërkesën për lirimin e Zani Çaushit. Sipas organit të akuzës, Çaushi nuk plotëson kriteret ligjore për të përfituar lirimin me kusht, siç parashikon neni 64 dhe 65 i Kodit të Procedurës Penale.

Aktualisht ai po vuan dënimin në Burgun e Drenovës dhe është dënuar me burg përjetë mirëpo, kërkon të lerë qelinë.

MË SHUMË PËR ZANI ÇAUSHIN:

Shqipëria ndodhej në prag të një lufte civile. Rënia e firmave piramidale, solli një kaos të madh financiar e social, që degjeneroi deri në shpërthimin e depove të municioneve të ushtrisë e për pasojë çoi në armatosjen e të gjithë popullatës.

Në mungesë të shtetit, në qytetet kryesore të vendit, kontrollin e morën bandat kriminale.  Më famëkeqja prej tyre ishte Banda e Çoles, e krijuar në Vlorë në mars 1997, nga Myrteza Çaushi i njohur ndryshe edhe si Zani. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë. Myrteza Çaushi, ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi pasi kishte disa vepra të rënda penale.

Në shkurt 1997, ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat së bashku me disa shokë të tij nga lagja Çole krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet që ka kryer. Në vitin 1999, Zani u dënua me burgim të përjetshëm.