MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 33

Tirana barazon në fund, derbi nuk ka fitues

10.07.2020 - 21:45

Derbi kryeqytetas nuk ka fitues. Është mbyllur në barazim 1-1 mes Partizanit dhe Tiranës, me bardheblutë që duket se janë fituesit e vegjël, për shkak se shënuan në fund dhe për faktin se nuk mposhten prej 3 ndeshjesh.

Ndeshja nisi pa atë dramacitetin e tifozëve, pa jehonën e tyre, madje edhe pa trajnerët italianë të Partizanit, që refuzuan për shkak të sigurisë nga Covid-19. Ndeshjen e drejtoi Renaldo Kalari për të kuqtë. Pjesa e parë ishte episodike, e luftuar deri diku, por mungonin gjuajtjet në portat respektive.

E njëjta situata pak a shumë edhe në pjesën e dytë. Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, thuajse ishte në rolin e trajnerit, ku shpesh kontestonte edhe vendimet e gjyqtarëve. Kartonët e verdhë dalin radhazi për të ndërhyje të gabuara nga të dy ekipet.

Për të ardhur në minutën e 76-të, kur Cordeiro, i lënë vetëm në zonë, nuk e ka të vështirë të shënojë për të kuqtë. Tirana hidhet e gjitha në sulm, raste ka, por sulmuesit janë konfuzë para portës. Gjithsesi, në minutën e dytë shtesë barazon shifrat Muçi. Një pikë ndoshta është pak për Tiranën, por që nuk mposhtet në derbi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN