Nominohet edhe për tri çmime të tjera, në Festivalin Internacional të Filmit në Spanjë. Filmi “Shpia e Agës”, me regjisore Lendita Zeqirin, është nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, ndërkaq Rozafa Çelaj është nominuar në kategorinë për aktoren më të mirë, kurse nga ana tjetër, filmi është i nominuar për muzikën më të mirë, njofton KultPlus.
Producenti i filmit, Bujar Kabashi, është shprehur i kënaqur me nominimet, pasi konsideron se secili nomimin dhe shpërblim është një lloj kompensimi për gjithë ekipin, sidomos në një kohë të cilën, ai e konsideron të jetë një kohë ku, qartazi vërehet neglizhenca që intitucionet kanë në raport me artin, artistët e kulturën në përgjithësi.
“Kjo tregon që kemi autorë, regjisorë dhe aktorë që janë të talentuar e që çmohen shumë në botë. Me një përkrahje më të madhe nga institucionet, besoj që kishim arritë edhe më shumë’ – vazhdon më tej, Kabashi.
“Në Evropë, jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin e tragjedisë së luftrave në Ballkan… “Shpia e Agës”, bën një pasqyrim të mrekullueshëm mbi pasojat ‘kolaterale’ të luftës, përmes një përralle me një thellësi tejet emocionale” – janë këto, fjalët e Qazi Abdur Rahim, drejtori artistik i festivalit.
Vlen të ceket, se “Shpia e Agës”, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.
Filmi rrëfen për pesë gra që bashkëjetojnë, ndajnë mes tyre gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës, secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme, që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Në rolet kryesore në këtë film, janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.
Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë, me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; “Sacrebleu productions” nga Franca, si dhe “Ska-Ndal Productions” e “SY13 Films” nga Shqipëria, mbështetur edhe prej Qendrës Kombëtare e Kinematografisë.