“Mesfushor i talentuar me tipare sulmuese, që di të godasë mirë me të dy këmbët dhe të udhëheq ekipin”. Kështu e përshkruan faqja zyrtare e UEFA-s talentin kosovar të Ballkanit, Blendi Baftiu, të cilin e klasifikon mes 50 talentëve më premtues të futbollit.
22-vjeçari po bën mirë në skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi, ku me 15 golat e tij po ndihmon ekipin nga Suhareka që të jetë në garë për një vend në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Paraqitje që është vënë re nga skautët e UEFA-s dhe jo më kot e kanë bërë pjesë të listët së talentëve të së ardhmes.
Futbollisti i cili zotëron pasaportën kosovare dhe atë shqiptare ka një të shkuar në vendin tonë, pasi më parë ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Skënderbeut. Megjithatë, dëshira për të luajtur me skuadrën e Prishtinës e shtyu që të transferohet në kryeqytetin kosovar në verën e 2017-ës.
Sipas transfermarket, kartoni i Baftiut vlen 200 mijë euro, shifër që pritet të rritet në fundin e këtij sezoni, me Superligën kosovare që këtë fundjavë do të luaj javën e fundit. Përfshirja në këtë klasifikim shihet edhe si një kartolinë e mirë për Baftiun për të kapur Europën.
Kualifikimi në Europa League sezonin e ardhshëm do të ishte një tjetër “vitrinë” për talentin e Ballkanit që në të shkuarën ka provuar edhe emocionet e himnit shqiptar, pasi ka mbajtur mbi shpatulla fanellën e kombëtares U-17.