MENU
klinika

"Mbi 80% e qytetarëve duan listat e hapura"

Veliaj: Do të punoj pa pushim për t’i dhënë PS mandatin e tretë qeverisës

12.07.2020 - 15:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar dje nga Fondacioni “Qemal Stafa”, në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve të rinj, u shpreh se Partia Socialiste dhe Edi Rama janë gati për një mandat të tretë qeverisës.

Veliaj tha se PS vazhdon që të jetë e para forcë politike në vend, ndërsa vlerësoi se partia aktuale në pushtet e ka garën me veten,

“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj pa pushim që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë. Mandati i tretë do të ishte historik sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tre herë radhazi.

Unë besoj se i kemi të gjitha argumentat për të kërkuar një mandat të tretë, jo pse opozita është e shpartalluar, porse në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten. Por, ca gjëra mund t’i bëjmë shumë më mirë”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku theksoi se listat e hapura janë vendimi i duhur politik në zgjedhje, pasi kështu qytetarët do të kenë mundësi që të zgjedhin përfaqësuesin që ata duan.

“Vendimi më i rëndësishëm është ai i hapjes së listave. Po të shikoni sot, ka shumë njerëz që më thonë: Ore, ç’është kjo frymë e sharjes dhe vulgaritetit? Është mëse normale kur fatin për sukses në listë ta cakton Saliu apo kushdo tjetër; atëherë ti nuk mendon fare për elektoratin, por mendon që elektorati është vetëm ky që të fut në listë: nëse ai është i kënaqur, ti je lart në listë, nëse është i pakënaqur, ti je poshtë në listë”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili është njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së PS, u shpreh se propozimi i PS-së, në fakt, është propozim i shumicës së popullsisë të Shqipërisë. Sipas tij, edhe populli shqiptar do hapje të listave në zgjedhje.

“Mbi 80% e njerëzve duan hapjen e listave. Unë besoj se ky është rasti tipik, kur një parti e madhe i shkon pas popullit, dhe nuk e detyron opinionin publik, t’i shkojë pas partisë. Përqafimi i listave të hapura, së pari do e bëjë debatin më civil dhe nuk do kemi këtë garën e televizioneve çdo natë, kush thotë ndyrësitë dhe poshtërsitë më të mëdha për armikun, sepse do mendosh se po të gjykon populli, i cili do të japë edhe renditjen në listë, dhe jo shefi i partisë”, nënvizoi Veliaj.

Më andej, ai theksoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe shprehu besimin se me një fushatë pozitive dhe lista të hapura, një mandat i tretë për PS-së nuk do ishte tabu.

“Kemi nevojë të ecim më shpejt. E di që ca njerëz më thonë: “Lali, ule pak ritmin, se na zuri”. Por, kemi humbur shumë kohë dhe duhet të rikuperojmë shpejt, sepse po të kishim punuar 30 vite me këtë ritëm, do ishim shumë më mirë sot”, tha Veliaj.

Ai shtoi se vendit i duhet një fushatë pozitive, me energji të mirë, me lista të hapura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN