MENU
klinika

Beogradi ‘ndizet’ nga protestat

Vuçiç paralajmëron vendosjen e orës policore

08.07.2020 - 08:28

Mijëra veta u hodhën të martën mbrëma në protesta në Beograd pas njoftimit të presidentit serb për rivendosjen e masës së ndalimit të lëvizjes gjatë fundjavës në kryeqytet, për shkak të situatës së përkeqësuar me COVID-19.

Të martën Serbia shënoi numrin më të lartë të vdekjeve të konfirmuara në një ditë nga koronavirusi.

Policia hodhi gaz lotsjellës mbi protestuesit e mbledhur para ndërtesës së parlamentit serb. Disa protestues arritën të hyjnë brenda ndërtesës por u nxorën jashtë nga njësitë e policisë.

Më herët presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e cilësoi situatën në kryeqytetin serb “alarmante” dhe “kritike”, pasi spitalet janë tejmbushur.

Ministria e Shëndetësisë e Serbisë njoftoi për 13 të vdekur dhe 299 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Pas heqjes së masave kufizuese ndeshjet e futbollit dhe tenisit u luajtën me tifozë. Po ashtu vendi mbajti edhe zgjedhje parlamentare në 21 qershor, me gjithë paralajmërimet e ekspertëve se mbledhjet masive pa distancim fizik mund të çonin në një valë të re infektimesh.

Presidenti tha se qeveria do të ndalojë lëvizjen e qytetarëve nga ora 18 e së premtes deri të hënën në orën 5 të mëngjesit. Ai tha po ashtu se nuk do të lejohen tubime më me shumë se pesë veta së bashku.

Kundërshtarët thanë se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e një mbylljeje të sërishme.

Në muajin mars Serbia ishte ndër vendet më masat më të ashpra kufizuese në përpjekje për të penguar përhapjen e infektimeve. Por në muajin maj ajo u rihap edhe për shkak të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Partitë opozitare, një pjesë e të cilave bojkotuan zgjedhjet e 21 qershorit, kritikuan presidentin serb se po e përdorë mbylljen për të forcuar atë që ata e quajnë sundim autokratik./ VOA