Policia e Durrësit ka arrestuar disa persona, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Gjithashtu, policia ka nisur procedimin penal ndaj një 64-vjeçari nga Tirana, i cili kishte zënë me shezlongë një sipërfaqe të plazhit publik te “Shkëmbi i Kavajës”, pa lejen e organeve përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet në plazhe, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme.
Procedohet penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Arrestohen në flagrancë 3 dhe shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapësirën publike duke vendosur shezlongë në mënyrë të paligjshme, proceduan penalisht shtetasin:
N. M., 64 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar tek “Shkëmbi i Kavajës”, u konstatua se kishte zënë me shezlongë, një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve përkatëse.
—
Nga specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore është arrestuar në flagrancë shtetasi O. K., 61 vjeç, banues në Durrës, pasi më lagjen nr. 14, është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases E. H.
Gjithashtu, specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se në lagjen nr. 5, i ka vjedhur biçikletën shtetasit B. H.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.