MENU
klinika

"Nina legjendare ishte dështim imi"

Aktorja e njohur e Hollivudit, kërkon publikisht ndjesë

07.08.2020 - 17:11

       Filmi autobiografik i vitit 2016, ku Zoe Saldana rrezikoi me rolin e një legjende si Nina Simone, mori shumë kritika. Ylli i “Marvel”-it, me prejardhje domenikano-portorikane, kishte protezë në hundë dhe grim me ngjyrë të errët, për rolin për të cilin është kthyer të kërkojë ndjesë publike.

Mësohet se pasardhësi i Simones, nuk e miratoi filmin, ndërsa e bija e këngëtares vuri në pikëpyetje trupën aktoriale. Në një intervistë të fundit, e transmetuar direkt në Instagram, Saldana tha: “Nuk do të duhej ta luaja Ninën, kurrë. Do të duhej të bëja gjithçka, me gjithë mundësitë dhe avantazhet që gëzoja para dhjetë vjetëve, që megjithëse jo të këtij niveli, sërish ishin avantazhe.

Do të duhej të bëja çdo gjë duke e përdorur fuqinë time, që një grua e zezë ta luante këtë rol, gjë që pritej normalisht”.

Në një shkrim në faqen zyrtare të Nina Simone-s më 2012, vajza e këngëtares, Simone Kelly, shkroi: “Unë e dua Zoe Saldana-n, Zoe-n e duam të gjithë… Nga “Avatar” deri te “Colombiana”,.. i kam parë këta filma, disa herë”.

“Por, jo çdo projekt është për këdo. E di, se çfarë do të mendonte nëna ime… Thjesht, nuk ma rrok mendja”.

Filmi i titulluar “Nina”, u ironizua nga kritikët, ndërsa ka një rankim rreth 2 për qind, në uebfaqen e rishikimeve “Rotten Tomatoes”. Saldana, e cila kishte luajtur edhe në “Guardians of the Galaxy” dhe në dy filmat e “Marvel’s Avengers”, tha se Simone “ka merituar më shumë”.

“Atëherë, mendova se kisha lejen (që ta luaja rolin e saj), sepse isha grua me ngjyrë,” – tha Saldana. “Po, jam. Por, kjo ishte Nina Simone! Nina kishte një jetë dhe një rrugëtim që do të duhej të ishte – dhe duhet të jetë – i nderuar deri në detajin më të imët, sepse ajo ishte detajiste”. E emocionuar, Saldana shtoi: “Për këtë arsye. kërkoj ndjesë! Më falni!.. Sot, di më shumë dhe nuk do ta bëj më këtë”.

“Ajo është një nga emrat tanë më të mëdhenj dhe këtë rol, duhet ta marrë dikush. Ndoshta, dikush tjetër duhet ta tregojë historinë e saj.” Pendimi i aktores për rolin, shënjon një hyrje nga komentet e saj paraprake, ku e ka mbrojtur rolin e saj.

Më 2013, ajo tha për revistën “Latina”: “Më lejoni t’ju them që, nëse Elizabeth Taylor mund të bëhet Kleopatra, edhe unë mund të bëhem Nina. Më falni, por pak rëndësi ka sesa reagime do të ketë për të. Unë do ta nderoj dhe respektoj komunitetin e njerëzve me ngjyrë, sepse kjo jam unë.

Në një tjetër intervistë për “Allure” në vitin 2016, ajo u shpreh: “Nuk ka ndonjë mënyrë që të jeni e zezë. Ju nuk ia keni idenë, se kush jam unë. Unë jam e zezë. Po rris burra të zinj. Mos mendoni se mund të më shikoni dhe të më drejtoheni me kësi lloj përbuzjeje”.

Por, në kohën kur filmi doli, trashëgimtari i Nina Simones, shkroi në Twitter: “Ju lutem, mos e përmendni më kurrë, emrin e Ninës. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë, se kjo është e dhimbshme… deri e neveritshme.”

Nina Simone ka qenë një këngëtare e nderuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e njohur për këngët si: “Feelin’ Good”, “I put A Spell On You” dhe “I Loves You, Porgy”. Ajo vdiq më 2003, në moshën 70-vjeçare.

***

Nina Simone ishte një nga zërat brilantë të shekullit të 20-të. Një zë i thellë dhe i fuqishëm, nga ata që të rrëmben përnjëherë. Nga kabaretë e Atlantik Sitit në skenat më të mëdha botërore, nga muzika klasike te xhazi, nga qytetet e varfëra të Tryon në Karolinën e Veriut deri tek shtëpia e saj në jug të Francës, së pari pianiste e së dyti këngëtare, një Priftëreshë e Madhe e Shpirtit njëherazi e angazhuar dhe e përkushtuar për lëvizjen e të Drejtave Civile. Një divë e brishtë dhe e paarsyeshme. Në të vërtetë, ajo që mori një “dhuratë nga Zoti” me veshin e saj absolut, nuk ishte tjetër veçse një grua e lënë pas dore: “Isha kaq e vetmuar” – do shprehej ajo. Të krijohet përshtypja sikur është e fortë, me shtatin e saj të gjatë dhe gojën rebele, thotë se i lexon fytyrat si të ishin një libër i hapur dhe e di më mirë se kushdo se si t’i çjerrë maskat, por mashtrohet si një paraaadoleshente naive. Nëse karriera e saj mbetet një nga sukseset më të mëdha në botë, jeta e saj sentimentale është një dështim yjor. Madje, një avokat, për ta mbrojtur, thotë se vuan nga “çmenduria e rënduar nga vetmia”.

Jeta e Nina Simones, parë bardhezi. Në jetën e Eunice Kathleen Waymon, Nina Simone, lufta për kauzën e zezë është si një fill i kuq… Koncertiste e re klasike, fenomen në piano, ajo ndalon së luajturi, sepse një spektatore e bardhë dëshiron t’i detyrojë prindërit të largohen nga radha e parë. Më vonë, ajo mbështet Martin Luther King dhe Malcolm X, duke u solidarizuar me të gjitha format e luftimit për barazinë racore dhe për krenarinë e zezë – duhet të dëgjoni versionin e saj të Strange fruits: “Frutat e çuditshme” varur në pemë, që janë kufomat e “Zezakëve” të vrarë.

Me këngën “Four Women”, Nina Simone rrëfen kalimin nga nënshtrimi në ligjet e të bardhëve, te dhuna për afirmimin e të drejtave të zezakëve. Katër faza të jetës së saj, të përfaqësuara nga katër gra, që luftojnë vetëm e vetëm të jenë të afta të “marrin frymë”. Këngët e Nina Simones, siç citohet shpesh, nuk ishin këngë të thjeshta, por armë me të cilat mund të luftohej çdo lloj paragjykimi dhe skemat e gabuara mendore. Ato ishin dhe janë ende, këngë më moderne se kurrë, që mbronin figurën femërore jo aq shumë sepse ishte e brishtë, por, mbase, sepse ishte aq e fuqishme sa të rrëzonte gjithçka./Konica.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët