MENU
klinika

Nga Edona Llukaçaj

As vdekjen nuk ditkemi më ta respektojmë, se jetën jo e jo

11.08.2020 - 19:00

Nga Edona Llukaçaj

Në çdo besim a botëkuptim vdekja ka një peshë të vetën, imponon respekt e heshtje. Si fundi i pashmangshëm i kujtdo që ka lindur, na kujton përkohshmërinë tonë e është kohë për reflektim.

Vdekja e dikujt në traditën tonë, në fakt, shënon një moment ku lihen mënjanë edhe hasmëritë më të mëdha.

Por kur familjarët e zonjës Aneta Rama njoftuan humbjen e saj, çuditërisht, krahas ngushëllimeve të shumta, nuk munguan as komentet cinike dhe as mallkimet banale në llogari të të afërmve të saj.

Jo fort i ndryshëm qe reagimi edhe ndaj lajmit të vdekjes së babait të ish-ministrit të jashtëm Bushati. Krahas keqardhjes e ngushëllimeve të pafund, pati edhe nga ata që e panë si mundësinë e rradhës për të vjellur vrerin e vet.

Ajo që të trishton pamasë në këto rastë është se ndasitë e mbjella nga partishmëria e kthyer në kult janë të atyre përmasave sa mund të verbërojnë vetë humanizmin. Të trishton se në shoqërinë tonë qenkan zhvilluar të tilla qënie që edhe njerëzinë e paskan humbur e qënkan kthyer në disa hiena kocka-mbllaçitëse.

Unë të ndjerën zonjën Rama nuk kam pasur rastin ta njoh personalisht. Por e di se si pjesë e shoqërisë sonë ka dhënë kontributin e vet me punën e saj. Ajo nuk ka qenë veçse nëna e Edit dhe Olsit. Por edhe po të ishte ashtu, si çdo grua, si çdo nënë, si një prej nesh, në mungesë të fjalës së mirë, meritonte minimalisht respektin e heshtjes së vdekjes, si e do zakoni.

Ndërsa të ndjerin Sulejman Bushati e kam njohur si ai njeriu fisnik e babaxhan, që diti e mundi të mbajë të njëjtin qëndrim edhe kur sistemi ndërroi. Ka qenë po ai burrë i qeshur e modest edhe kur posti ia mundësonte të ‘shpëtonte’ e të ndihmonte njerëz, në një sistem që ishte më thjeshtë të dënoje. Po ai hap e qartësi vështrimi edhe kur sistemi pasardhës në kërkim shpagimesh e në mungesë integriteti a fuqie për të adresuar kriminelët e vërtetë, i drejtoi gishtin.

Por sot kjo ka pak rëndësi. Sulejman Bushati nuk është më. Ndërsa i biri, do të shkruajë historinë e vet, përtej të atit. E përballë dhimbjes së humbjes së madhe, sharjet e mallkimet ordinere tek tuk nuk e lëndojnë dot familjen në zi.

Por se balta e hedhur nga ato llogore llogarish të rreme në rrjete sociale bie mbi të gjithë ne, që, me sa duket, as për mort nuk ditkemi tí vemë fre keqdashësisë.

As vdekjen nuk ditkemi më ta respektojmë, se jetën jo e jo.