MENU
klinika

DW: Ende çëstje për t'u diskutuar!

Asnjë përparim në takimin e ekspertëve Prishtinë-Beograd

28.08.2020 - 08:13

Një javë para takimit në Uashington mes Avdullah Hotit dhe Aleksandër Vuçiç delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit fajësuan në Bruksel njëra-tjetrën për synime të caktuara që dalin jashtë kontekstit të dialogut.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha pas takimit tha se pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime. “Serbia u përpoq të rihapë kapituj të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, mbi të cilën kemi pasur një marrëveshje në parim. E gjithë kjo konfirmon shqetësimin tim, të cilin unë e kam shprehur tashmë, se Serbia synon të zgjasë procesin dhe të vendosë në tryezë çështje që kanë vetëm një qëllim, të vonojnë procesin”, tha Skender Hyseni, duke theksuar se delegacioni serb po bën gjithçka për ta kaluar tërë procesin në nivelin teknik gjë që Prishtina nuk do ta lejojë.

Sipas Hysenit, bisedimet do të vazhdojnë, por “nuk mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër, përveç asaj që përfshin njohjen e ndërsjellë”.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Marko Gjuriq, bisedimet e Brukselit i cilësoi teknike duke thënë se palët kanë diskutuar “për të pagjeturit dhe të zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështjet ekonomike”. Sipas Gjuriq, pala serbe e ka ngritur edhe çështjen e rrugës afër Manastirit të Deçanit si dhe ka kërkuar që sa më parë të zbatohet marrëveshja për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe.

“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm, dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve. Bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit të shtatorit të liderëve politikö, tha Marko Gjuriq, duke akuzuar palën kosovare se, “po përhap desinformata, kur thotë se po zhvillohen bisedime për njohje”.

Ende çështje për t’u diskutuar

Para takimit Hyseni-Gjuriq, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajqak, takoi të dy kordinatorët për të finalizuar “disa çështje me Hysenin dhe Gjuriqin”.

“Para takimit të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahet në fillim të shtatorit, u takova sërish me negociatorët/koordinatorët në Bruksel për të punuar në përfundimin e çështjeve që janë diskutuar gjatë takimeve të fundit”, njoftoi Lajçak.

Delegacionet e ekspertëve nga Beogradi dhe Prishtina do të takohen përsëri në Bruksel më 6 shtator, një ditë para takimit të paralajmëruar të liderëve nga të dy vendet, kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuciq.

Hoti dhe Vuçiç takohen në Shtëpinë e Bardhë

Takimi i së enjtes (27.08) në Bruksel mes grupeve të ekspertëve u mbajt vetëm një javë para takimit që planifikohet në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky takim ndërmjetësohet nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i ngarkuari special i presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell. Në takimin në Shtëpinë e Bardhë pritet të diskutohet për çështjet ekonomike ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa çështjet politike diskutohen në Bruksel. Pala kosovare është duke bërë përgatitjet për këtë takim thotë kryeministri Avdullah Hoti. Këtë takim Hoti e cilësoi të një rëndësie të lartë shtetërore dhe u bëri thirrje për përfshirje të gjitha subjekteve politike në delegacionin e Kosovës.

“Është një takim që ne e kemi pritur tash e sa kohë. Unë u kam dërguar letra edhe partive opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas edhe në takimin e ardhshëm të paraparë për në fillim të shtatorit në Bruksel”, tha kryeministri Hoti.

Vetëvendosja refuzon

Lëvizja Vetëvendosja e kryesuar nga Albin Kurti, si partia më e madhe opozitare e refuzoi menjëherë pjesëmarrjen në këtë delegacion, duke thënë se se këto bisedime nuk mund të udhëhiqen nga një qeveri “jolegjitime dhe jolegale”.

“Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte planifikuar të mbahej fillimisht për 27 qershor, por, ky takim u anulua për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, që të dy të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u zhvillua me 16 korrik.

Njohje reciproke dhe normalizi i marrëdhënieve

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare thotë se ka pranuar rinisjen e dialogut që po zhvillohet tash Kosovë-Serbi, me qëllimin e vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. E Serbia nga ana tjetër thotë se ajo nuk do ta njoh pavarinë e Kosovës, por synon përmirësim marrëdhëniesh me Kosovën. Presidenti serb Aleksandër Vuciq, thotë se “shqiptarët nuk janë aspak të interesuar për ekonominë, por po mendojnë që të zgjidhet statusi i tyre” dhe këtë kërkesë sipas tij mund ta nëjë edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Nëse ata na kërkojnë njohje në këmbim të integrimit Euro-Atlantik, ne do t’u themi, jo faleminderit, le të bëjmë diçka më serioze. Presidenti Trump ka një politikë më të mirë ndaj Serbisë sesa njerëzit e administratave të mëparshme. Richard Grenell gjithashtu ka ide të mira. Gjithçka që është negociuar në dhjetë vitet e kaluara, është negociuar jo për njohje, por për normalizim dhe ato biseda u kryen nën kujdesin e Brukselit”, citojnë mediet serbe presidentin serb.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e pati kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që tashmë është hequr dhe që mundësoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi./DW

Dy ditë pasi vrau ish-gruan shtatzënë

Sokol Halili, vret veten përpara banesës së tij

‘Nuk jam i çmendur, as i dehur’

Vuçiç: Vetëm kamomil dhe Cola Zero konsumoj

U vra nga ish-bashkëshorti në oborrin e spitalit

Sot i jepet lamtumira Hamide Magashit