MENU
klinika

"Ne mund të ishim vagon"

Astrit Patozi: PD e humbi shansin të ishte lokomotivë e ndryshimit

07.08.2020 - 14:21

Astrit Patozi mendon se marrëveshja e 5 qershorit nuk ishte ajo që pritej prej politikës shqiptare, të paktën partisë së cilës dikur i përkiste, asaj Demokratike.

“PD, e humbi këtë shans. Ajo kishte shansin historik që të ishte lokomotiva e ndryshimit të madh në Shqipëri dhe ne sigurisht do të ishim një nga vagonët, nëse do të na pranonin. Gjithsesi e kemi ndërtuar rrugëtimin tonë jo të kushtëzuar me rrugëtimin e të tjerëve”, tha koordinatori i Bindjes Demokratike, i ftuar në Ditarin e A2.

Duke komentuar skemën e re të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në PD, Patozi tha: “Ky komision do të shërbejë për ta shpëtuar Lulzim Bashën nga përgjegjësia. Që do të thotë, pakënaqësitë e atyre që nuk do ta gjejnë veten te listat e deputetëve do t’i shkarkohen komisionit, kurse meritën e gëzimit që do të mbeten në listë do ta marrë Basha. Është njëlloj si me tenderët. Askush nuk e di kush ishte në komisionin e caktimit të fituesit, por të gjithë merren me kush e dha dhe kush e fitoi tenderin”.