MENU
klinika

Melushe Bebeziqi

Balerina rebele në ‘Balshoi Teatër’

21.08.2020 - 06:34

Nga Milena Selimi

Karriera e saj pëson një rritje në majën e aisbergut të artit të kërcimit, në ‘Balshoi Teatër’, në Qendrën Botërore të Baletit, në Moskë. Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 Shkurti i vitit 1958-3 Korrik 1967.

Në qendër të grupit të ‘baletit të vogël’ siç quhej grupi fillestar i arrtit të kërcimit, shkëlqente talenti i të paarritshmes, vajzës shkodrane Melushe Bebeziqi.

Emri i vërtetë i saj ishte Melehad, por të gjithë e quanin Melushe, një emër më tingëllues, më i ëmbël e më ledhatues. Balerina shqiptare ka lindur në vitin 1933 në qytetin e Shkodrës dhe, falë aftësive të saj të veçanta, shumë shpejt u bë një nga kërcimtaret e dukshëm të trupës fillestare të baletit.

Në moshën 17vjeçare, u nis drejt Moskës për të studiuar në shkollën koreografike të Moskës, në grupin e balerinëve të parë që shkonin atje si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Agron Aliaj, etj.

Dëshira dhe pasioni, talenti dhe fati e ngjitën më pas në skenën më të adhuruar të baletit botëror në ‘Balshoi Teatër’. Kërkimet dhe mundësitë për të mësuar rreth jetës së saj kanë qenë tëpër të vakta. Balerinët e brezit të saj e kanë njohur në momentet e mësimit të baletit, por nuk kanë mundur ta shohin në interpretimet e saj skenike në teatrin e madh të botës. Për këtë arsye faktet e jetës së saj skenike kanë qenë përherë të mjegullta.

Falë një përpjekjeje të pedagogut të AAB në Tiranë, Faruk Koka, është mundësuar komunikimi me arkivin e ‘Balshoi Teatër’ në Moskë dhe sot, falë një korrespondence të vështirë dhe të gjatë, kemi informacione të sakta për rolet e interpretuara prej saj në ‘Balshoi Teatër’.

Miti i balerinës dhe të dhënat trupore

Melushja balerinë ishte njëra nga vajzat më trup e bukuri të veçantë. Në skenë dhe gjatë kërcimit ajo bëhej edhe më e bukur, sepse natyra i kishte falur të gjitha të dhënat fizike që i duhen një balerine.

Tek ajo ishin kalitur bukuri trupore me dimensione e proporcione që rrallë lindin tek një balerinë, dhe kur ndodhin, e veçojnë tërësisht nga trupa duke e quajtur ‘e lindur për soliste’.

E rëndësishme tek Melushja ishte ekspresiviteti i saj, që buronte nga një e brendshme tepër shpërthyese. Gjatë kërcimit shihe një Melushe në rol, të cilës i fliste çdo pjesë e trupit, fytyra, duart, korpusi trupor, me zjarr e temperament. Jo më kot e quajtën ‘balerina rebele’.

Rebele & pasionante

Ende nxënëse në shkollën koreografike të Moskës, në vitet 1950-1956, u cilësua me epitetin ‘e ëmbla balerina rebele’ nga vetë pedagogia e kursit. Ishte pikërisht ajo që do të shprehej më vonë për të: ‘Melushen e dalloj në çdo formacion artistik. Sikur 100 balerinë të jenë në kërcim, ajo kuptohet se ka një impulsivitet të veçantë.

Melushja ka lindur për të qenë soliste’. Dhe vërtetë masa e kordebaletit në skenë e mbyste atë. Tek Melushja ndihej nevoja e shpërthimit individual, të pavarur. Ishin të dukshme aftësitë e saj, prandaj ende nxënëse në shkollën koreografike të vitit 1953, në spektaklin e shkollës, Melushja luan pjesën solistike ‘Kërcim Oriental’, në baletin ‘Arrëthyesi’.

Ky numër pikant që vjen i ruajtur nga shekulli XIX e këtej kërkon cilësi të veçanta mjeshtërore në interpretim. Melushja e realizoi me dinjitet artistik dhe që nga ajo ditë ajo mori emrin e dytë nga të gjithë artistët e shkollës, ‘Balerina rebele e Shqipërisë’. Ishte e çuditshme, por emri rebele vinte jo thjesht nga shpërthimet e saj skenike, por edhe nga temperamenti i saj tepër energjik.

Nuk mund të mendoje një Melushe në bisedë pa gjestet e saj dinamike, pa fjalët e saj këmbëngulëse dhe ëmbëlsinë karakterizuese të portretit. Në të kundërt, në skenë ajo i shpëtonte ‘rebeles’, edhe rebelimit emocional. Ky ishte ndoshta rebelimi i fortë i Melushes, paarritshmëria nga të tjerët, ajo që i jepte një përmbajtje të thellë emocionale rolit, plus graciozitetit dhe plastikës trupore, që është karakteristikë e veçantë në kulturën e Orientit në tërësi.

Balerina filloi karrierën e saj artistike në Shqipëri me pjesët popullore të vendit dhe pjesë të huaja. Ka qenë e pakapshme në idilin shqiptar ‘Vallëzim me shtamë’ dhe ‘Vallja Moldaviane’, ku ajo u skalit edhe ne kujtesën e spektatorit shqiptar.

‘Balshoi Teatër’ & Maja e suksesit

Karriera e sa artistike pëso një rritje në majën e aisbergut të artit të kërcimit, në ‘Balshoi Teatër’, në qendrën botërore të baletit, në Moskë. Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit.

Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 Shkurti i vitit 1958-3 Korrik 1967. E paarritshme dhe e palodhur, me një ambicie, dëshirë, pasion, dhe aftësi të jashtëzakonshme trupore, Melushe Bebeziqi fillon të zëvendësojë gradualisht solistet ruse që kishin fituar famë dhe lavdi.

Zhvillon aktivitetin e saj skenik pikërisht në skenën ku ende ndihej fama dhe lavdia e balerinave si Galina Ulanova, Maja Plisetskaja, Olga Lepeshinskaja, Raisa Struchkova, etj. Qenia e saj në teatër i dha mundësinë të interpretojë shumë rolë të vështira me bazë teknike që kërkonin zbërthimin artistik të karakterit të rolit.

Repetori i saj është i larmishëm, sepse vetëm një soliste do të mundte t’i realizonte këto role teknikisht dhe emocionalisht. Shembull mund të marrim rolet cigane që ka luajtur tek ‘Traviata’ dhe baleti ‘Kali Gërmuq’. Megjithëse flitet se janë role krejtësisht të ndryshme nga kultura shqiptare, me interpretimin e Melushes dukeshin role të veçanta.

Pikërisht sepse ajo arrinte t’i zbërthente teknikisht dhe gjente vetitë dalluese në vetë karakterin interpretativ. Kështu mund të thuhet sidomos në kërcimet spanjolle, të luajtura prej saj në shumë balete si: ‘Don Kishoti’-Mercedes, Bolero-Spanjola, Arrëthyesi-Spanjola, Laurencia-Flamengo.

Të gjitha këto kërcime me bazë Spanjën, në interpretimin e Melushes nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Secila duket më e bukur, më flakëruese, më e zjarrtë dhe e veçantë. Melushja kishte një intuitë të fortë artistike. Kjo e ndihmonte të hynte në çdo rol lehtësisht duke e skalitur atë me veti tipike karakterizuese.

Rolet dhe personazhet skenikë

Në rolet orientale, Melushja përcillte largësinë orientale dhe elektrizonte spektatorin me bukurinë e trupit, plastikën e duarve dhe me interpretimin magjik të rolit. Pjesët si Indiania tek baleti ‘Arrëthyesi’, Gruaja e dytë tek ‘Shatrivani i Bahçisrait’, Valltarja me gjarpër tek ‘Hirushja’, Vajza me ngjyrë tek ‘Shtegu i Shtrëngatës’, Arapesha tek baleti ‘Lejli e Maxhun’, te gjitha këto role janë kërcime të një kulture të pasur dhe të bukur orientale.

Melushja iu shmangej dozave seksuale, të cilat shumë balerina të rëndomta i përdorin si efekte për të fituar suksesin. Melushja ishte artiste e madhe, ajo ecte në rrugën e artit të vërtetë, aty ku dominonte interpretimi poetik i rolit. Melushja mbetet e madhe në shumë gjini të artit koreografik. Kërcimet e karakterit që ajo interpretonte kishin gjithmonë një vulë artistike të veçantë.

Ishte gjithçka ndryshe ne interpretimet e Melushes, e pazakontë, e paparë, e paarritshme, e pakapshme. Kërcimi hungarez në ‘Liqeni i Mjelmave’, ose Lezginka tek ‘Gajane’, një kërcim i vështirë gruzian, në interpretimin e solistes së madhe tingëllonin ‘ndryshe’. Ajo nuk ishte vetëm një soliste e zhanrit të karakterit. Tek ajo një vend të rëndësishëm zinte baleti klasik. Ka kërcyer si soliste në shumë balete të ndryshme dhe ka dhënë shfaqje në një aktivitet të gjerë koncertal.

Melushja ka debutuar me sukses në shumë skena të Evropës Qëndrore dhe asaj Juglindore. Kudo ka lënë mbresa dhe jehonë artistike. Revista gjermane ‘Biter Van’ shkruante për Melushen ‘Vlerësojmë balerinën e Balshoi Teatër’. Kurse gazeta ‘Fjala’ e Prishtinës në vitin 1984 përsëriste vlerat e saj artistike dhe tregonte jetën dhe karrierën e saj si soliste në ‘Balshoi Teatër’.

Melushja pati një jetë të shkurtër skenike. Sëmundja e saj e rëndë që e shoqëroi për vite me radhë ia preu dëshirën, pasionin dhe talentin e saj të madh. Në kulmin e krijimtarisë artistike, Melushe Bebeziqi, rebelja, pasionantja, balerina shqiptare, ndahet nga jeta, në vitin 1967. Mbetet një balerinë e madhe shqiptare që mundi të përjetësojë një ëndërr përreth nëntë vjet rresht në ‘Balshoi Teatër’.

Nuk është e rastit që fotografia e saj qëndron në hollin e Teatrit të Moskës, përkrah qindra artistëve të mëdhenj rusë. Ajo, e ëmbla, e bukura, e hijshmja, Melushe Bebeziqi, balerina që ngjiti skenën e madhe ruse dhe tregoi se ‘Balshoi Teatër’ nuk ishte thjesht një ëndërr e pakapshme.

Interpretime në Balshoi Teatër

‘Arrëthyesi’- Lindori 14 Nëntor 1953

‘Kali Gërmuq’- Cigania 7 Prill 1960

‘Don Kishoti’- Spanjolle 13 Maj 1961

‘Arrëthyesi’- Indiane 25 Shkurt 1962

‘Don Kishoti’- Bolero 23 Mars 1962

‘Shatrivani i Bahçisarait’ 14 Prill 1962

‘Traviata’- Cigane 20 Shtator 1962

‘Don Kishoti’- Mercedes 5 Tetor 1962

‘Laurencia’- Liriku 11 Janar 1963

‘Romeo&Zhuljeta’- Shërbyesja 25 Prill 1963

‘Arrëthyesi’- Spanjolle 31 Maj 1963

‘Laurencia’- Flamengo 12 Tetor 1963

‘Shtegu i Shtrëngatës’- Vajza me ngjyrë 7 Nëntor 1963

‘Gajana’- Legzinka 6 Shkurt 1964

‘Hirushja’- Valltarja me Gjarpër 20 Shkurt 1964

‘Lejli dhe Maxhuni’- Mauritania 7 Janar 1965

Balshoi teatër dhe rusët e çmendur

‘Rusët janë të çmendur pas artit’. Një biletë për të parë një teatër, balet apo opera nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Kalendari i shfaqjeve dhe përgatitjet për të ndjekur teatrot që në fillim viti janë një ritual i zakonshëm për të prekur magjinë e madhe të skenës dhe kultivimin e së bukurës që tek ata duket se nuk mund të mbarojë kurrë.

Ndoshta, sepse u vlon ndër rremba gjaku i artit, paraardhësit e atyre që janë sot, kane ndërtuar skulptura dhe afreske sipër dhe poshtë tokës. Të gjithë ata që kanë udhëtuar me metronë e Moskës e kanë kuptuar shumë shpejt prakticitetin e shinave elektrike parisienë, londineze, apo thatësinë ‘underground njujorkeze’ dhe artin e metrosë së kapitoleve dhe kolonadave magjepsëse ruse.

Një botë e tërë arti që duket se fshihet në labirinthet e nëntokës. Dhe pastaj ata… pasardhësit e Pjetrit të madh… që vetëm fshehin nën sqetull përherë një libër për të lexuar, për të shijuar vazhdimësinë e artit edhe aty poshtë tokës.

Janë ata që renditen në radhët kilometrike të pafundme për të parë koleksionet shëtitëse të Drezdenit, apo Picasso, kur mbërrijnë në Moskën e tyre të bukur, janë po ata që rendin drejt qyteteve të tjera për të parë një origjinal Rembrand, apo Da Vinç.

Ata që mrekullohen sa herë ndeshen me Muzeun Pushkin, Galerinë Tretjakovskaja, në nderim të koleksionistit dhe artdashësit me të njëjtin emër, apo që krenohen për Parkun Petërgof, Ermitazhin e madhërishëm me pikturat e të gjitha kohërave, kishën Vasili Bllazheni, Sheshi i Kuq.

Por ai që u jep jetë në një dimër të ftohtë dhe të acartë rus moskovitëve është padyshim ‘Balshoi Teatër’. Me valixhen e vockël të këpucëve të shfaqjes, ata vrapojnë për të shijuar dhe thithur artin e madh të muzikës dhe kërcimit.

Takimi në atë ndërtesë është një festë më vete. Studentët nostalgjikë të viteve ’50-të kujtojnë gëzimin e biletave të prenotuara dhe qëndrimet në lozhat e galerisë. Një biletë parter, në ato vite shkonte deri në 57 rubla, ndërsa afishja me titullin ‘Studentët dhe ushtarët, vetëm 5 rubla’ gëzonte studentët e artit që po shijonin drejt e në kryeqendrën botërore artin e madh 200-vjeçar.

Mjegullnaja e historive që vjen deri më sot tregon madje për një ‘kostum shik’ për në ‘Balshoi Teatër’, i cili qarkullonte çdo natë në konviktet e institutit GITIS, mes ukrainasve, polakëve, bullgarëve, çekëve, pikërisht aty ku studionin edhe shqiptarët e parë të artit të muzikës, teatrit, baletit. Ai, ‘Balshoi Teatër’, ishte i paarritshëm dhe madhështor.

Historia e një teatri të madh…

Renditet si më i miri në botë. ‘Një mbrëmje e mrekullueshme, përrallore në ‘Balshoi Balet’. Nga erdhi ky emër? Në vitin 1773 kujdestari i Këshillit të Jetimores së Moskës vendosi të ngrejë një klasë baleti për bujtësit e jetimores. Filippo Becari, drejtues i kërcimit pranë Teatrit të Oborrit të St.Petërburgut u kërkoi drejtuesve skeptikë të Jetimores moskovitë një shumë prej 250 rublash për çdo solist baleti në përfundim të kursit tre-vjeçar.

Nga 62 nxënës që filluan kërcimin, 24 prej tyre ishin solistët e ardhshëm. Ai mësoi edhe një klasë tjetër kërcimtarësh dhe disa prej solistëve mbetën në Teatrin e Oborrit të St.Petërburgut, të tjerët krijuan Kompaninë Teatrore Petrovski(1780). Kjo ndërtesë u ndërtua në të njëjtin vend ku qëndron edhe sot e kësaj dite, ‘Balshoi Teatër’.

Baleti i Madh Rus

Kur lindi ky emër? Ai u shfaq në vitin 1956, kur trupa e baletit ‘Balshoi Teatër’ kapërceu kufijtë jashtë shtetit rus. Londra e priti me radhë të tej gjata pranë sporteleve të teatrit Coven-Garden. Ishte e këndshme, e pabesueshme të shihje këtë pritje të gjatë, por njëherësh edhe e frikshme. Balerinët i mundonte dyshimi nëse londinezët do të kuptonin shfaqjet dhe si do të reagonin.

Sillnin një balet ‘Zhizel’, në vitin e 112-të të repertorit dhe një ‘Romeo&Zhuljetë’ që kishte pësuar devijime nga Shekspiri. Kjo frikë rritej edhe nga recensionet plot bujë me të cilat mbusheshin gazetat e Londrës përpara fillimit të turneut të ‘Balshoi Teatër’. A do të vazhdonte legjenda? Skemat dhe tabutë e shfaqjeve të ftohta londineze u thyen nga fuqia dhe madhështia e baletit të madh rus.

Nuk ishte parë ndonjëherë në Coven-Garden që salla ta zhurmonte nga këmbët e spektatorëve. Nga skena e këtij teatri, asnjëherë dhe askush nga trupat botërore nuk ishte përshëndetur në këtë mënyrë, nuk kishte marrë kaq shumë falenderime dhe kaq lumë duartrokitjesh nga publiku. Rregullat ishin prishur. Tabutë ishin kapërcyer. Kundërshtimi i botës tjetër ishte pranuar, të paktën në art, në artin e madh të realizuar nga ‘Balshoi Teatër’.

Ndoshta për këtë arsye rusët iu përgjigjën ftohtë Francës, për balerinin e famshëm Rudolf Nurejev ‘Kudo që të shkojë, ai do të mbetet rus’. ‘Balshoi Balet’ që lindi në Angli udhëton në botë pas artistëve të mëdhenj të këtij teatri legjendar, në Amerikë, apo në Japoni, në vendet Skandinave, apo në Afrikën e Jugut, në Evropë, apo në Australi, duke treguar se ata janë vazhdim i legjendës së madhe të artit të baletit.