MENU
klinika

Nga Nasho Jorgaqi

Bota e madhe e Qemalit

08.08.2020 - 15:31

Biografi i Heroit thekson se talenti e kultura artistike e Qemalit të shkrira me detyrat e mëdha të ditës, njohën forcë e bukuri të rrallë, të harmonizuara këto me pasionin e tij pas sporteve që e përgatitën fizikisht për luftë kundër pushtuesve dhe mercenarëve të tyre. Çfarë ka shkruar Enver Hoxha për Qemalin dhe cilët ishin shokët më të mirë të këtij njeriu të jashtëzakonshëm…

Ai që ka provuar të hyjë në jetën e Qemal Stafës, sado mirë ta njohë, përsëri e ka të vështirë t’i qaset personalitetit të tij pa një lloj mahnitjeje. Një jetë aq e shkurtër, e me një refleks aq të fuqishëm në historinë e revolucionit tonë. E mbushur plot e përplot me hove, luftë e qëllime të mëdha, me një dendësi ngjarjesh e përpjekjesh historike, e frymëzuar përherë nga ideali i shenjtë revolucionar. Një figurë e fuqishme, e qartë dhe imponuese, si vetë e vërteta, ai ishte fillimi i një personaliteti universal. Pionier e propagandues i flaktë i ideve komuniste në Shqipëri, shoku dhe bashkëpunëtori më i afërt i Enver Hoxhës, në themelimin e PKSH, fytyra më e ndritur e rinisë sonë revolucionare, njeri me germa të mëdha, Qemali është shndërruar në një simbol me dimensione historike. Jeta dhe vepra e tij mpleksen në rrugët e revolucionit tonë, prej nga u ngrit Shqipëria socialiste dhe u farkëtua mendimi i ri shqiptar, lindi kultura jonë e re dhe arti ynë revolucionar.

Portretin me të plotë të Qemalit, më të saktë e më të hijshëm ia ka gdhendur në mënyrë mjeshtërore Enver Hoxha. “…Shok me cilësi të rralla… shumë i ri, por edhe shumë i pjekur, i thellë e serioz në mendime, me karakter të hapur dhe horizont të gjerë kultural… i pastër, i qeshur, optimist… Një komunist i ngritur politikisht dhe ideologjikisht, një njeri i aksionit…”.

Në këtë mozaik vlerash e cilësish të mrekullueshme qëndron figura e Qemalit; gjejmë aty njeriun, militantin revolucionar, artistin, gjithë personalitetin e tij që u këput në hovet e para… Ja, pra, që disa nga cilësitë e mëdha njerëzore nuk njihkan moshë.

Ata që e njohën, thonë që Qemali fëmijë dukej djalë e djalë dukej burrë i rritur. Ndoshta, këto fjalë mbartin mbresën kryesore që u ka lënë ai bashkëkohësve. Ai ishte kjo shprehje e një pjekurie të parakohshme e jo të zakontë, e një natyre liridashëse e humane, apo shpirti i tij përherë kërkues, guximi dhe synimi për të parë larg, pakënaqësia e revolta që i zgjonte jeta e padrejtë? S’ka dyshim se cilësitë vetjake te Qemali kanë rolin e tyre, por në radhë të parë, ai është pjellë e kohës së tij, e një kohe të rëndë për fatin e popullit e të kombit. Ai i takon përfaqësuesve të atij brezi të rinisë sonë që u revoltua nga padrejtësitë e kohës së vet dhe u vu në kërkim të së vërtetës. Këtë të vërtetë Qemali i ri dhe shokët e tij e gjetën te komunizmi. Komunizmi u bë ideali dhe qëllimi i vetëm në jetën e Qemalit. Prej këtej zë fill serioziteti dhe vendosmëria e tij, besimi dhe guximi, ai kompleks vlerash shpirtërore e intelektuale që vijnë e shpalosen me shpejtësi të çuditshme në jetën e tij të shkurtër.

Deviza kryesore në jetën e ndërgjegjshme të Qemalit, do të jetë përkushtimi i thellë dhe besnikëria e patundur ndaj idealit komunist. Qëllimi i tij i vetëm do të mbetet gjithnjë përpjekja fisnike për të përhapur të vërtetën komuniste. Kësaj lufte, ai do t’i blatonte kohën më të mirë, mençurinë dhe urtësinë, shpirtin human, talentet dhe kulturën e vet. Këtë të vërtetë ai do ta shpallte me guxim që në moshën 15 vjeçare kur do të shkruante se “edhe ne shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën… e mbi të do të ngremë madhënisht flamurin e kuq…”. Dhe në emër të kësaj të vërtete do të binte heroikisht, duke u shndërruar në flamur lufte. Në mes të këtyre dy kufijve të ngushtë kohorë, do të vepronte Qemali, propagandisti i zjarrtë i ideve komuniste, po dhe militanti që diti të ngrihej nga fjala revolucionare, në aksionin revolucionar. Kush e njeh nga afër këtë rrugë që përshkoi Qemali kupton se ç’punë e luftë heroike iu desh të përballojë, se çfarë force shpirtërore e mendimi të madh, çfarë energjish zgjoi tek ai përhapja e së vërtetës komuniste dhe përpjekja për triumfin e saj. Qemali nuk e vuri kurrë veten në rolin e predikuesit. Idetë tek ai buronin, rrezatonin natyrshëm, pa bujë, me një etikë tepër njerëzore.

Kredoja e tij komuniste përbënte thelbin e debateve dhe bisedave, të shkrimeve e qëndrimeve, që në çdo rrethanë e në çdo kohë ajo ishte shprehja e vetëdijes aktive prej revolucionari. E vërteta që do të përhapte me aq përkushtim e mençuri. Qemali nuk ishte një ideal abstrakt, po filozofia e ideologjia e një klase si klasa punëtore, së cilës historia i kish ngarkuar misionin e madh të ndërtimit të botës së re.

Kjo u jepte mendimeve dhe përpjekjeve të Qemalit një brendi konkrete e të gjallë, një logjikë që rridhte nga vetë jeta e përditshme. Prandaj Qemali asnjëherë nuk diti të fliste me parulla e slogane. Filozofia dhe politika në fjalën e tij kishin një karakter human dhe bindës. Ai u përsëriste shpesh shokëve “Ata që kanë kuptuar revolucionin e vërtetë, ata që kanë parë një rreze drite, e kanë për detyrë historike ta përhapin, ta zgjerojnë”.

Qemali përhapës dhe luftëtar i ideve revolucionare, do të tregohej dhe mendimtar dhe psikolog, do të kishte dhe intuitë dhe takt, dhe logjikë dhe gojëtari, të gjitha këto të arritura me punë e njohje të thellë. Ai ishte një studiues i apasionuar, por dhe një punëtor intelektual i palodhur, studiues i veprave të klasikëve të marksizmit dhe përkthyes i zellshëm i disa prej mendimeve të tyre në gjuhën shqipe.

Vetëdija revolucionare e Qemalit do të gjente shprehjen e saj dhe nëpërmjet krijimeve letrare që do të shkruante e botonte. Tek ato ndjehet e gjallë jehona e mendimit revolucionar, revolta, pakënaqësia, thirrja për ndryshime. Nga apeli i luftës e marrin frymëmarrjen e tyre vjershat “Hijes së tim vëllai” dhe “Shokut të prangave”. Është poeti i shkrirë në një me luftëtarin.

Me krijimin e PKSH-së, veprimtaria prej agjitatori komunist e Qemalit, jo vetëm fitoi një peshë të madhe, por i zgjeroi sa asnjëherë hapësirat e saj. Tani puna e tij nuk kish të bënte më me individë të kufizuar, por me masën e gjerë të popullit e të rinisë dhe kjo, së bashku me programin e qartë të luftës me të cilin e armatosi Partia, i dhanë krahë dhe e ngjitën Qemalin në lartësinë e një udhëheqësi militant. Fjala e tij, këtej e tutje nuk kishte vetëm mençurinë e mprehtësinë, thellësinë ideore e qartësinë politike, vendosmërinë dhe taktin, po dhe bindjen në vijën e drejtë të Partisë, përgjegjësinë historike për fatin e atdheut, të popullit, besimin e patundur në të ardhmen komuniste. Në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij, Qemali do t’i bjerë kryq e tërthor Shqipërisë dhe kudo që do të shkojë në Shkodër, e në Sarandë, në Elbasan e në Fier, në Gjirokastër e në Durrës, ai do të ngrejë zemrat e njerëzve peshë. Asnjëherë energjitë dhe vlerat e tij prej agjitatori revolucionar nuk kishin shpërthyer me aq forcë e bukuri sa shpërthyen në këtë kohë të stuhishme. Ata që patën fatin ta dëgjojnë, nuk do t’i harronin fjalët e tij besimplotë “Ta jetojmë shokë, të ardhmen që sot”!

Pasioni për të përhapur të vërtetën komuniste te Qemali nuk mund të kuptohet pa dashurinë e madhe që ai kishte për njerëzit. Këto cilësi të mrekullueshme një partizan pezak do t’i përkufizonte me një shprehje fare të thjeshtë: “Qemali ishte terjaqi njerëzish”. Ai dinte të vendoste menjëherë lidhje me njerëzit dhe kishte aftësinë e rrallë të komunikimit. Asgjë njerëzore s’ishte e huaj për të, dhe, prej kësaj buronte humanizmi i tij i thellë, një humanizëm aktiv që frymëzohej nga idealet revolucionare. Për të, mbi të gjitha qëndronte fati i njerëzve të thjeshtë, tek ata ai gjente kuptimin e jetës dhe në emër të tyre do të angazhohej i tëri në luftë.

Qemali në radhë të parë donte punëtorët, me të cilët do të ndihej i lidhur shpirtërisht dhe ishte krenar që jetën e vet ia kishte blatuar kauzës së tyre të shenjtë. Nuk është e rastit që shoku i tij më i dashur do të qe punëtori Vasil Shanto. Një miqësi legjendare i lidhi këta dy militantë. Qemali do ta adhuronte Vasilin dhe do të ishte i lumtur që te ky njeri i thjeshtë kishte gjetur shokun dhe mësuesin e luftës revolucionare. Qemali kish vetinë e madhe që i bënte për vete njerëzit. Në natyrën e tij tepër njerëzore gjenin vend serioziteti dhe intimiteti, mendimi i thellë dhe humori, urtësia e jetës dhe kultura. Tek ai harmonizoheshin sublimja me të zakonshmen, me një shprehje të thjeshtë, por tërheqëse dhe imponuese. Qemali dinte të çmonte njerëzit, t’i vlerësonte e t’i diferenconte dhe mbi këtë bazë arrinte të ndërtonte marrëdhënie të drejta. Ai ishte sa i dashur aq dhe i rreptë, sa i këndshëm aq dhe i përmbajtur. Karakteri i tij i hapur, thjeshtësia dhe takti nuk e preknin principialitetin e lartë, por përkundrazi e bënin figurën e tij më të natyrshme dhe më të qytetëruar.

Në marrëdhëniet e Qemalit me njerëzit vendin kryesor e zinin çështjet serioze e veçanërisht temat e luftës, në të cilin ai ishte angazhuar totalisht. Nga kjo pozitë ai do të zhvillonte bisedat e debatet, do të shfaqte opinionet, do të shpjegonte dhe interpretonte ngjarjet e fenomenet dhe këtë do ta bënte pa bujë, me qartësi e bindje, po dhe me seriozitet e konsekuencë. Koherenca e bindjeve të tij ishte e njëjtë si me temat filozofike e politike, ashtu dhe në ato letrare e jetësore.

Dhe s’është për t’u çuditur që Qemali fitoi respekt dhe adhurim në mjediset e gjera të rinisë, në rrethet e punëtorëve, që ai ndikoi pozitivisht te të rinjtë intelektualë. Ai ka rolin e tij në krijimtarinë e poetëve si GJ. Kuqali, K. Tutulani, G. Pali etj. Veçanërisht nuk janë të paktë ata që patën si edukatorë të parë të mësimeve të komunizmit, mësues të mrekullueshëm si Qemali.

Personaliteti i Qemalit nuk mund të kuptohet pa interesat e gjera e pa dhuntitë e tij artistike. Gjithë jeta e tij e ndërgjegjshme është lufta e tij artistike. Gjithë jeta e tij e ndërgjegjshme është lufta e paprerë për triumfin e së vërtetës komuniste, po kjo luftë te ai qe e lidhur me etjen e pashuar për dije. Mësimet shkollore do të ishin për të vetëm një pjesë e vogël e punës së madhe që ai bënte për të njohur hapësirat e qytetërimit dhe për të përvetësuar kulturën e vërtetë. Mendja e ndritur e Qemalit do të depërtonte në shumë nga fushat e dijes njerëzore. Ai do të dinte të mësonte nga filozofia e historia, po dhe nga sociologjia e nga shkencat e natyrës, nga letërsia dhe artet. Biblioteka vetjake, po akoma më shumë bibliografia e librave pambarim që ka lexuar përbëjnë një tregues të habitshëm për moshën tepër të re. Ai ishte jo vetëm një lexues i apasionuar, po dhe një studiues serioz. Metodika e tij e studimit përbënte një proces të gjallë pune me synime të qarta dhe kërkesa të larta. Përqendrimi të veprat kapitale të kulturës njerëzore e veçanërisht të veprat e klasikëve të marksizmit u bë pasioni më i madh i studimeve të Qemalit. Po frutet dhe vlerën e studimeve ai do t’i maste me aksiomën se sa i shërbenin jetës, progresit, idealit të vet revolucionar. Kultura për të kurrë s’do të ishte stoli, por armë lufte dhe nga kjo pikëpamje ai mbetet një shembull në historinë e kulturës sonë të re.

Sepse kultura për Qemalin militant kish një kuptim tepër të gjerë e thellësisht demokratik. Ishte Qemali ai që kur shkonte në Pezë, ndërsa lexonte librat e Marksit e Leninit, drejtonte kursin e parë të luftës kundër analfabetizmit me partizanët e çetës, duke u bërë kështu pionier i kësaj kulture emancipuese të popullit. Gjithë puna e tij drejtuese si udhëheqës i rinisë komuniste shqiptare do të karakterizohej jo vetëm nga një pjekuri e lartë politike e ideologjike, por dhe nga një horizont i gjerë kulturor. Ishte Qemali ai që do të luftonte konceptet anarkiste që donin të largonin rininë nga shkolla dhe kultura e vërtetë. Për Qemalin lufta për liri dhe qytetërimi s’mund të kuptoheshin pa njëra-tjetrën, prandaj dhe rinia nën drejtimin e PKSH, edhe do të luftonte të mësonte.

Revolucionarët e vërtetë nuk janë asketë, prandaj letërsia dhe arti ishin pjesë e pandarë e botës së madhe shpirtërore të Qemalit. I ushqyer që herët dhe në mënyrë sistematike me disa nga kryeveprat artistike, duke qenë një natyrë e ndjeshme e me një shpirt artisti, duke pasur talentin e një letrari të vërtetë, Qemali e ndjente thellë artin dhe e çonte lartë atë. Ai shkruante vjersha e proza poetike, artikuj, trakte, themeloi organet “Shkëndija” e “Kushtrimi i lirisë”, i binte violinës e mandolinës, këndonte, dinte të voziste, njihte shumë mirë historinë e muzikës e të arteve figurative, kishte koncepte të qarta estetike. Bisedat për artin ishin një nga temat e tij më të preferuara. Tek ai rrinte së toku ideali revolucionar, me artin revolucionar.

Dhe në kushtet e luftës, talenti e kultura artistike e Qemalit të shkrirë me detyrat e mëdha të ditës, njohën forcë e bukuri të rrallë, të harmonizuara këto me pasionin e tij pas sporteve që e përgatitën fizikisht për luftë kundër pushtuesve dhe mercenarëve të tyre. Personaliteti i Qemalit fitoi kështu dimensione historike dhe në këto dimensione ai qëndron në kohën tonë. Largësia kohore nga dita e rënies heroike e nxjerr akoma më mirë madhështinë dhe thjeshtësinë njerëzore të figurës së tij.

*Biograf i Qemal Stafës