MENU
klinika

NBA

Bucks mposhten sërish, Doncic dhuron spektakël

05.08.2020 - 10:29

NBA vijon me intensitet ndeshjet, duke ofruar spektakël për tifozët amerikanë dhe jo vetëm. Milwaukee Bucks pëson humbjen e dytë radhazi. Kësaj here ishte Brooklyn Nets që triumfoi 119-116. Sfida u vendos vetëm në sekondat e fundit, pasi pas 3 periodave të para gjithçka ishte në barazim.

Një ndeshje për t’u harruar e Giannis Antetokounmpo, me vetëm 16 pikë, 6 rebound dhe 4 asist. Megjithatë, Bucks-at mbajnë vendin e parë në Konferencën e Lindjes, ndërsa Nets duan të sigurojnë play-off-in.

Ndeshje spektakolare ajo mes Sacramento Kings dhe Dallas Mavericks, që u vendos pas kohës shtesë, ku Luka Doncic bëri diferencën me triple-doble, 34 pikë, 20 rebound dhe 12 asist, dhe i dha fitoren skuadrës së Mavericks 114-110. Slloveni Doncic edhe njëherë tjetër tregoi se është një nga pretendentë kryesorë për t’u shpallur basketbollisti më i mirë i sezonit.

Los Angeles Clippers po paraqitet me oscilacione, teksa edhe pse rezultat të ngushtë 115-117, iu rikthye humbjes. Ishte Phoenix Suns që bëri shumë në pjesën e parë të ndeshjes, me Booker që realizoi plot 35 pikë. Gjithsesi, Clippers mbetet në vendin e dytë, ndërsa Suns lufton për një vend në play-off.

Në ndeshjet e tjera, spikat humbja e Houston Rockets 102-110 me Portland Trail Blazers, Miami Heat fitoi 112-106 ndaj Boston Celtics dhe Indiana Pacers mposhti Orland Magic me rezultatin 120-109.