MENU
klinika

Patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe forcave serbe

Çfarë po ndodh përgjatë kufirit Kosovë – Serbi?

09.08.2020 - 08:34

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë se të premten më 7 gusht, kanë zhvilluar një patrullim “të sinkronizuar” me forcat e armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Njoftimi i KFOR-it, pasoi raportimet e medieve vendase se të premten “forcat serbe kishin hyrë në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës”. Njoftimi nxiti reagime dhe kritika në adresë të qeverisë së Kosovës.

Forcat paqeruajtëse shpjeguan të shtunën se bëhej fjalë për një patrullim të përbashkët me Forcat e Armatosura të Serbisë në vijën kufitare.

“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka incidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me organizatat e sigurisë së Kosovës në afërsi të vijës kufitare administrative”, thuhet në një komunikatë të forcave paqeruajtëse.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ministri i tij i Brendshëm, Agim Veliu është takuar me komandantin e KFOR-it.

„Siguria në Kosovë nuk mund të rrezikohet nga askush. Nuk ka vend për panik, dhe as nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja. Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme dhe demokratike e botës“, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Lidhur me ngjarjen e djeshme, sot Ministri i Punëve të Brendshme është takuar me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi,…

Gepostet von Avdullah Hoti am Samstag, 8. August 2020

Komentet e kryeministrit Hoti pasuan një vizitë të ish kryeministrit Ramush Haradinaj në fshatin Karaçevë, „për të biseduar me banorët e zonës pas provokimit të fundit të xhandarmërisë serbe. Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët dhe mos të lejojnë më provokime të tilla“, shkroi zoti Haradinaj.

Sot në Karaçevë, së bashku me nënkryetarin e Komunës së Kamenicës z. Faton Jakupi. Vizituam fshatin dhe biseduam me…

Gepostet von Ramush Haradinaj am Samstag, 8. August 2020

Partia Demokratike e Kosovës i bëri thirrje qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare “që të reagojnë me shpejtësi dhe veprime të drejtpërdrejta për t’i ndalur këto provokime të drejtpërdrejta ndaj sovranitetit të vendit dhe shmangin çfarëdo konflikti të mundshëm që mund t’i cënoj të arriturat e deritanishme”.

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, tha pas takimit me komandantin e KFOR-it, Michele Risi, se bëhej fjalë për patrullim të përbashkët dhe se „aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave“.

Forcat e NATO-s thanë se vija kufitare Kosovë – Serbia, “shtrihet në rreth 350 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta”. Sipas tyre, „patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtasin lëvizjet e tyre me terrenin“, ndërsa në asnjë moment pjesëtarët e forcave serbe „të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga pjesëtarët e KFOR-it“ dhe njësoj ka ndodhur edhe të premten.