Tipografia e Zojës së Papërlyeme si shtëpia botuese më e vjetër në Shqipëri, numëron mbi 730 botime me një vëllim dhe një numër faqesh që i kalon 65000. Në këto botime bëjnë pjesë disa nga revistat më të rëndësishme të kohës ku veçohen:
LEKA e cila u botua nga viti 1929 deri në vitin 1944 dhe “Lajmtari i Zemres s’Jezu Krishtit” e cila u botua nga viti 1891 deri në vitin 1944, duke zënë rreth një të tretën e numrit të përgjithshëm të botimeve. Nga mbi 730 botime, në gjuhë të huaj janë vetëm 200, pjesa dërrmuese e të cilëve janë në gjuhën italiane apo atë latine.
Ndarja e botimeve gjatë gjithë viteve të ekzistencës së saj, i takon një ndarjeje proporcionale si më poshtë:
38% shkrime krejtësisht fetare-edukative.
32% shkrime për formimin e popullit.
20% vepra edukative.
10% shkrime të brendshme të Dioqezës, Urdhrit apo Kongregatës.
Në fillimet e shtypshkronjës janë shtypur vetëm libra lutjesh me nga tetë faqe ku përmendim “O ti Zemer e ambel e Jezu Krisctit, Zotit tem. Ba qi me t’asctë përgjithmonë” dhe një tjetër libër me titull “Hymje ne bascksi me ma te Scenjtën Zemer t’Krictit n’giuhen Sckype” që datojnë në vitin e parë të shtypshkronjës (1870). Dy dokumentet e lartpërmendur nuk gjenden sot në origjinal, por janë të konfirmuar në regjistrin e kartelave të bibliotekës, nën shënimin bibliografik të Atë Zef Valentinit në vitin 1936.
Të tjerë libra janë ato të meditimit, që i përkasin kryesisht autorëve të urdhrit françeskan apo klerit dioqezan të Shkodrës, në të cilët bëjnë pjesë librat që i kushtohen muajve të shenjtë të kalendarit katolik romak, si muaji i Majit i cili i kushtohet Marisë, apo ai i Qershorit që i kushtohet Zemrës së Jezu Krishtit. Gjithashtu janë edhe librat e lutjes, librat me këngë shpirtërore, veprat katekistike, jetëshkrimet e shenjtërve, ku dallojnë shenjtërit jezuitë, botimet e përkthimet teologjike si dhe përkthimet biblike.
Me rëndësi të veçantë janë veprat letrare, të cilat konsistojnë në përkthime të autorëve botërorë dhe krijimet autentike, dy kategori botimesh, të cilat morën hov në 20 vitet e fundit të shtypshkronjës. Në këtë shtypshkronjë janë shtypur përkthimet e para të autorëve Alessandro Manzoni, Friedrich Schiller dhe Johann Wolfgang von Goethe të cilat ishin një sfidë për përkthyesit, pasi krahas përkthimit ndodhte edhe zgjerimi i gjuhës shqipe, mjaft e varfër në atë kohë. Ndër ato që përkthimet e tyre i botuan pranë “Zojës së Papërlyeme” vlen të veçohen Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Xanoni, Dom Lazër Shantoja, Ernest Koliqi etj.
Botimet që i përkasin krijimeve autentike letrare fillojnë me Atë Leonard Martinin, i cili në vitin 1875 shkruan vëllimin poetik “Munnimi i Jezu Krictit jose Kanga e Divocme Ab. Pieter Metastasit permi Idhen e Sceites Kryc”. Rëndësi të madhe kanë veprat e dom Ndre Mjedës, të cilat janë botuar në këtë shtypshkronjë ku përmenden “Vaji i bylbylit”, Lissus (1928), “Iuvenilia” (1928), përkthimet nga Gëte, poema “Liria” e në fund, pas vdekjes edhe “Scodra”. Edhe romani i parë i shkruar në gjuhën shqipe “Marzia e Ksctenimi n’filles t’vet” i priftit autor dom Ndoc Nikaj është shtypur në këtë shtypshkronjë. Rëndësi të madhe pati edhe romani i Zef Mark Harapit “Pushka e tradhtarit”, i cili u botua në vitin 1914 nga Zoja e Papërlyeme. Pas vdekjes së Atë Anton Zannonit, poeti Atë Gjergj Fishta i kushton atij poezinë “Mbi vorr t’Anton M. Zannonit”, botuar si një poezi lamtumire. Gjithashtu edhe Atë Vinçenc Prennushi librin e parë, i cili përmban poezi lirike, e shtyp te “Zoja e Papërlyeme” në vitin 1916, pasi shtypshkronja e Kongregatës së tij (Asaj françekane) do të fillonte të funksiononte vetëm në vitin 1917. Autorë të tjerë janë edhe Kolë Thaçi, Ndoc Vasija si dhe dom Lazër Shantoja e të tjerë.
U botuan edhe periodikë të ndryshëm ku, përposë “LEKA” dhe “Lajmtari i Zemres s’Jezu Krishtit” të cilat i përmenda edhe më lart, janë edhe:
Zani i Shna Ndout, botuar nga viti 1915 deri në vitin 1917.
Zoja e Shkodres, Drita e Shypnisë, botuar nga viti 1917 deri në vitin 1919.
Shkolla e re, botuar vetëm gjatë vitit 1921.
Fletorja [Zyrtare] e Klerit Katolik të Shqypnisë, botuar nga viti 1923 deri në vitin 1937.
Jehu i Sh’Luigjit, botuar nga viti 1926 deri në vitin 1927.
Vepra Pijore, botuar nga viti 1929 deri në vitin 1946.
Kalendari vjetor, botuar çdo vit nga 1912 deri në vitin 1927.
Këto janë pjesa më e madhe e botimeve të “Zojës së Papërlyeme”, por jo të gjitha, pasi dokumentet në lidhje me këtë shtypshkronjë kanë humbur bashkë me famën e saj, gjatë rrjedhës së shtrembër që mori historia e Shqipërisë kur komunizmi nguli kthetrat mbi çdo gjë.
Studimin e plotë mbi shtypshkronjën “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” e ka bërë Markus W. E. Peters në librin e të cilit është bazuar shkrimi i këtij artikulli.