MENU
klinika

Një histori e tij me vdekjen

Dritëroi, biri i Naimit

19.08.2020 - 06:20

…3 vite më parë…

E diela u grys për Elonën, me të atin gjallë. Tek e lexon, mallëngjehesh.

Ajo rrëfen një çast me Dritëroin, tek ai me paqen dhe dashurinë prej profeti, përzë vdekjen duke i treguar një përrallë. Netësh si kjo takonte Naimin.
E ne na vijnë disa vargje mendjes të Dritëroit:

“Një psherëtimë e dhimbshme gjer në frikë
Dëgjohet ende sot nga shpirti i tij.
E liga tek ai nuk është e ligë
Dhe heshtja s’është as heshtje as mërzi.”

Ndërsa, Lona, shkruan:

“Babin e gjeta shtrirë , me ato tubat e hollë të oksigjenit në hundë.
– Këto dy tubat që futen në hundë -tha- janë si dy sisë miu, e mua më kanë prishur mukozën e hundës e prandaj e bëj hundën kështu ( bëri një gjest të çuditshëm që veç ai di ta bëjë).
Babi sot ishte meditues , më mirë e thënë pak pesimist.
– Kjo shtëpia jonë – thoshte – ka shumë dritare. Një të vogël në kuzhinë , një më të madhe më pas; dy të mëdhaja në sallon e një tjetër të vogël në banjo.
Hyn vdekja nga dritarja e vogël dhe thotë: -Erdha!
– Po pse erdhe kaq shpejt ?- i them. Shko merr dikë tjetër , se ka mjaft të tjerë.
Hyn më pas te dritaret e mëdha dhe i them përsëri: – Është shpejt , mos hajde te mua.
Paskëtaj hyn tek ajo e vogla dritare e thotë prapë: – Erdha!
– Po hajde të këndojmë – i them. Por merr me vete disa që dijnë të mbajnë iso.
Dhe doli për të gjetur ata që mbajnë iso dhe nuk i gjeti dot. E kështu iku dhe nga ajo dritare.
Ja kështu. – e mbylli babushi bisedën.
Mua m’u mbushën sytë me lot e nuk e mbaja dot të qarën. I puthja duart e lëmuara e të bukura, i fërkoja kurrizin ku i kishte mbetur veçse lëkura e kockat.
Pastaj babushi filloi të recitonte:
Jam i gjallë e jam në jetë
Jam në dritë të vërtetë – kështu thoshte Naimi.
– Dhe ai është edhe tani i gjallë dhe i vërtetë, më i gjallë se të gjallët.”
Shpëtimi i Dritëroit nga pesimizmi ishte Naimi i madh.“
“Faqe të ditarit tim , 31 mars 2014 “