MENU
klinika

Presidenti i FSHF

Duka uron fituesit, nuk jep datë për sezonin e ri

03.08.2020 - 20:32

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar fituesit e edicionit futbollistik 2019/20 që sapo u mbyll. Një sezon i pazakontë që kaloi mes peripecive të imponuara nga pandemia Covid-19, por që arriti të rifillonte pas ndërprerjes dhe u mbyll me finalen e Kupës së Shqipërisë të dielën e 2 gushtit, që u fitua nga KF Teuta.

Kreu i qeverisë së futbollit u ka dërguar telegram urimi të gjitha klubeve që triumfuan këtë sezon, duke u shpallur kampionë në kategoritë përkatëse, apo duke u ngjitur një kategori më lart.

KF Tirana (kampione e Kategorisë Superiore, Vllaznia femra (Kampione & fituese e Kupës së Shqipërisë për femra), KF Teuta (fituese e Kupës së Shqipërisë), KF Apolonia (fituese e Grupit B & kampione e Kategorisë së Parë, kampione e Superiores U-19, kampione e Kategorisë së parë U-17), KS Kastrioti (fitues i Grupit A në Kategorinë e Parë), Vora (fitues i Grupit A & kampione e Kategorisë së Dytë), Tomori (fitues i Grupit B në Kategorinë e Dytë) si edhe ekipeve kampione të moshave që nga Internacional U-15, Shënkolli U-17, Football Republic U-19, etj., janë fituesit e edicionit futbollistik.

“Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dëshiroj t’ju dërgoj urimet më të përzemërta për suksesin në sezonin 2019/2020. Të gjithë ju duhet të jeni krenarë për këtë arritje të rëndësishme. Triumfi juaj është tërësisht rezultati konkret i punës së palodhur, angazhimit të madh, besimit të thellë dhe shpirtit të sakrificës që keni treguar gjatë një viti të vështirë për të gjithë.

Është koha të festoni për momentet e paharrueshme që keni kaluar gjatë këtij sezoni. Por duke filluar nga nesër, të gjithë së bashku, duhet t’i rikthehemi punës, madje duke shtuar forcat, për t’u përmirësuar dhe rritur akoma më shumë cilësinë sportive në të mirën tuaj dhe të futbollit shqiptar”, – shkruan Presidenti Duka në urimet për klubet fituese të këtij sezoni.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN