Një skandal i vërtetë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autobusin e linjës Tiranë-Kakavijë. Bëhet me dije se Gjovalin Teska, 55-vjeç, i cili kishte kryer tamponin në një laborator privat, kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.
I infektuari, megjithëse e dinte se barte virusin Covid-19 ka udhëtuar me dhjetëra pasagjerë të tjerë me autobusin e linjës Tiranë-Kakavijë, duke u treguar i papërgjegjshëm me veprimin e tij dhe duke rrezikuar jetën e udhëtarëve.
Mësohet se laboratori privat pas përgjigjes pozitive të pacientit me Covid-19, sipas protokollit ka njoftuar Insitutin e Shëndetit Publik në lidhje me rastin, duke percjelle pergjigjen dhe mostrën, në mënyrë që për këtë pacient të përsëritet tamponi dhe të merren masa me 55-vjeçarin.
Por siç duket ISHP ka neglizhuar rastin dhe për pacientin nuk është marrë asnjë masë, ndërkohë që as policia e palës shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës, nuk e ka evidentuar rastin e pacientit me Covid-19.
Shtetasi Gjovalin Teska është ndalur në palën greke dhe menjëherë është bërë transporti i tij me ambulancë, ndërkohë që me ndryshimet në kodin penal në vendin tonë rrezikon edhe burgun. Kjo, pasi çdo person që nuk zbaton urdhrat për karantinimin apo shkel rregullat dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet. Ndërkohë, i infektuari rrezikon të dënohet nga deri në 5 vite burg, për “përhapja me dashje e COVID-19”.