MENU
klinika

"Anima rara"- albumi i ri, së shpejti...

Ermonela Jaho tregon si u bë soprano: U dashurova menjëherë me…

07.08.2020 - 11:35

       Artistja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, sjell albumin me 14 arie operistike “Anima rara”. Ajo rrëfen arsyet, se përse në këtë album recital ka përzgjedhur edhe rolin e Violetës, në “La traviata”, që e ka kënduar rreth 300 herë në skenat më prestigjioze të botës

Jaho, nuk ka hequr dorë as gjatë pandemisë, nga muzika klasike. Ajo është në punë e sipër, për të sjellë albumin recital “Anima rara”. Në këtë album artistja përfshin muzikën e interpretuar nga sopranoja e njohur lirike, Rosina Storchio.

Ariet e disa prej operave më të njohura, që Jaho këndon janë: “Madama Butterfly” nga Puçini, “La Bohmeme” nga Leoncavallo, “Siberia” nga Giordano dhe “La traviata” e Verdit, e shoqëruar nga orkestra “Comunitat Valenciana Andrea”. Vetë artistja, përmes rrëfimit në rrjetet sociale, zbulon detaje për regjistrimin e arieve operistike, veçanërisht atë “La traviata”.

“La Traviata’ është shumë e veçantë për mua, pasi ka qenë opera e parë që kam dëgjuar. Madje, ka qenë shkaku pse unë, vendosa të bëhesha këngëtare klasike. Pasi e dëgjova këtë operë për herë të parë, rashë menjëherë në dashuri me shpirtin e Violetës dhe ëndrra ime, filloi. Dëshiroja të interpretoja, të paktën një herë në jetë, rolin e Violetës. Tani, e kam jetuar këtë ëndërr, përreth treqind herë. Çdo herë, në secilin nga rastet që unë kam veshur fustanin e saj, kam zbuluar shpirtin e saj njerëzor, të lidhur me shpirtrat tanë njerëzorë”, – shprehet sopranoja.

E vlerësuar nga kritika botërore, si një nga këngëtaret më të shkëlqyera lirike, për vërtetësinë dhe forcën që përcjell përmes interpretimit, sopranoja shpjegon sesi gjeti veten në rolin e Violetës.

“Çdo herë, kam zbuluar shpirtin e Ermonelës dhe kjo është një nga arsyet, pse dua që aria nga “La Traviata” të jetë në albumin tim të parë. Ne vendosëm të këndojmë “Addio del passato”, arien nga akti i fundit i Traviatës. “Addio del passato” është një lamtumirë që i jepet jetës. Violeta është tërësisht e braktisur, nga Zoti apo shoqëria dhe njerëzit që ajo do. Unë e lidh gjithmonë këtë pjesë, me ndjesinë e të arriturit në atë pikë, sa të humbasësh besimin në çdo gjë që ka pasur rëndësi në jetë. Kjo është kaq e trishtë!”, – vijon, artistja.

Ndonëse, përvojat që artistja shqiptare numëron në skenat botërore janë të shumta, ajo vazhdon që ta dojë përherë edhe më shumë rolin e Violetës.

“Ne të gjithëve, na ka ndodhur të gjendemi buzë greminës dhe është shumë e dhimbshme. Është shumë e dhimbshme, dhe të kuptohesh vetëm pasi ke ikur. Siç ndodhi me Violetën. Kam zbuluar veten time në këtë arie, sa herë e kam kënduar. Ndërsa jeta kalon dhe numëroj eksperienca të reja, kjo arie më bën të reflektoj për secilën prej tyre, ja pse e pëlqej atë kaq shumë”.

Në albumin “Anima rara”, që del në treg edhe në formatin fizik e digjital, prej 25 shtatorit, përfshihen 14 arie me muzikën klasike më të vlerësuar në botë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Është një zë i shkëlqyer"

Ermonela Jaho mahnit Barcelonën, mediat jehonë