Ashtu sikurse ndodh çdo vit, sezoni pranverë-verë është ai kur lulëzon tregtia me jashtë e fruta-perimeve “Made in Albania”, për shkak të klimës favorizuese për fermerët. Edhe këtë vit, pavarësisht pandemisë COVID-19, fermerët nuk e kanë ndalur punën dhe kanë arritur të realizojnë shitjet vjetore jashtë kufijve të Shqiëprisë, madje me më shumë fitim.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, për gjysmën e parë të vitit, sasia e eksportuar e fruta-perimeve përbën 68.6% të sasisë totale të eksportuar dhe 33.4% të vlerës së eksporteve totale.
Duket se kulmi ka qene muaji Qershor, ku sasia e eksportuar e fruta-perimeve përbën 75.9% të sasisë totale të eksportuar dhe 34.7% të vlerës totale të eksporteve. Në krahasim me 6-mujorin e parë të 2019, eksportet në sasi u rritën me 11.6% ndërsa në në vlerë me 10.5%.
Në total gjatë kësaj periudhe janë eksportuar afro 112 mijë ton produkte, me vlerë rreth 6.4 miliardë lekë. Ndër më të eksportuarat janë domate, tranguj, pjepra, shalqinjtw dhe zarzavate e fruta të tjera.