MENU
klinika

Kronika e vitit '72

Gegë Marubi dhuron fototekën

12.08.2020 - 15:48

       Gushti i fotografisë. Ministria e Kulturës shpalli këtë muaj, si kohën për të nderuar të gjithë ata që krijuan e punuan në këtë fushë të artit. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), sjell një kronikë domethënëse të vitit 1972, kur Gegë Marubi i dhuron shtetit fototekën e familjes së tij, arkiv prej 180 mijë fotosh, krijuar nga Kel Marubi, me qëllim ruajtjen e materialit origjinal dhe edukimin e brezave./Konica.al

“Sot, ky koleksion i vyer mban emërtimin Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe është i vizitueshëm nga të gjithë në selinë e tij të re në Shkodër”, shprehet AQSHF, që ka publikuar kronikën në faqen e institucionit, në Facebook. Edhe ministrja e Kulturës prej disa ditësh po vijon të publikojë fotografisë në vendin tonë. Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, bëri me dije se ky muaj do t’i kushtohet fotografisë, që është dhe një nga fushat më të dashura të artit. Sipas saj, mëngjeset e gushtit do të jenë me urime me fotografi, që janë realizuar nga ata që vunë themelet e fotografisë shqiptare.

“I dedikojmë këtë muaj një prej fushave të artit më të dashura, siç është fotografia, e cila në 19 gusht feston shpikjen e dagerotipit, në atë që cilësohet si Dita Botërore e Fotografisë. Çdo mëngjes do t’ju urojmë ditë të mbarë me shkrepjet mbresëlënëse të baballarëve të fotografisë shqiptare”, pohonte Margariti.

Foto-studio “Marubi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubbi. Fototeka “Marubi” është krijuar më 1970 pasi Gegë Marubi dhuroi arkivin e të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit.

Dikur fototekë, sot kemi Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkodra në retrospektivë

158 vite në celuloid