MENU
klinika

Mirënjohje për ty, mjeshtër!

‘’Gjeniu tragjik’’! ‘’ Kumbari i Muzikës’’! ‘’Hero pasioni dhe inteligjence’’!

08.08.2020 - 06:59

Disa e kanë pagëzuar si ‘’Gjeniu tragjik’’. Disa si ‘’ Kumbari i Muzikës’’, e të tjerë si ‘’Hero pasioni dhe inteligjence’’.

Ky është Prenkë Jakova! Kompozitori më i rëndësishëm shqiptar. Krijimet e tij, si dukuri mbijetese i japin një strukturë më të saktë muzikës, nxitin një marramendje dhe dëshirë të fuqishme të llojit pasional, kur i dëgjon dhe sot duke e kthyer atë në një gjeni rrënjësisht me vlera. Sartri, përgjatë një studimi mbi krijimin e vlerave prej një lirie kapricoze, shprehet : ‘’Artisti nuk ka përshtypjen se shpik të bukurën, por që kërkon t’i afrohet dhe kurrë të mos e arrijë.’’

Arti krijues Hyjnor i tij kapërcen çdolloj shpjegimi artistik. Megjithatë imagjinata krijuese e një muzikanti, si mjeshtër Jakova, ka pjesën e vet të shpjegueshme, duke e kthyer atë në të rrallë. Ai arriti të gjejë në kulturën e realitetit që jetuam elemente krijuese, në pasionet e tij dhe në nevojat e mjedisit ku dhe hulumtoi, motivet e veprimtarisë së tij. Por talenti riprodhues, do e evokonte viteve në vazhdim drejt një realiteti të trishtë, nga ku edhe pse nuk donte t’ia përqafonte limitet dhe urdhëresat, me mund ia doli. E adaptoi shpirtin në të tjera vlera. Ato të vetmisë!

Prenkë Jakova , me një sërë manifestimesh të intelektit në krijimet e tij, na vë në pikëpyetje sot përvojën dhe të vërtetën e asaj që ndoshta nuk e shohim. Muzika e tij e thellë, mbetet një thesar fondin e artë të kulturës dhe artit shqiptar.

Sot kanë kaluar 100 vjet nga lindja e tij. Lindur më 1917 në Shkodër, ai themeloi Operën e parë shqiptare.

Në venat e tij rridhte brezash gjak artistësh. Megjithëse nuk e njohu gjyshin, do të rritej me histori muzike rreth tij. Ai vdiq fare i ri, duke lënë pas një djalë dhe vetëm një klarinetë.

Një klarinetë që Prenkës i zëvendësoi gjyshin. Një klarinetë që rriti nipin… Ai ishte aty!

Që në moshën 7-vjeçare i ati e nxiti të merrte pjesë në gjithçka artistike dhe role të ndryshme teatrale në Shkodër. Ndërsa vëllezërit e tij, sikundër Prenka, do të bëheshin fotografë dhe muzikantë. Do të ishte vetëm 18 vjeç kur do të bëhej drejtues i bandës artistike në Lice.

E nisi këtë udhë të shenjtë siç ëndërronte për gjyshin! Si klarinetist…

Do të emërohej mësues më 1936 në fshatin Bërdicë të Prefekturës së Shkodrës. Por do të shkëputej më 1939 si mësues në Mirditë. Aty do të shkruante këngët e para në firzamonikë. Ndërsa u transferua një vit dhe në Ulqin, viti 1942 do e gjente në Romë. Në universitetin ‘’Santa Cecilia’’ prej ku përfundoi shkëlqyeshëm studimet për klarinetë.

Historia e artit muzikor shqiptar do të linte përjetësisht gjurmë falë operës së parë që Jakova më 1958, ‘’Mrika’’, do të paraqiste duke i dhënë vendit një vepër të madhe që do të shënjonte sa i takon gjithë elementeve përkatëse ku do të spikaste superioriteti orkestral prej nga ku në brendësi të krijimit ai vinte rrotull një bërthame: anës psikologjike.

Apo ‘’Skënderbeu’’, një nga veprat më madhështore për nga muzika.

Prenka i dha vendit të tij një vepër të madhe nga ku tregoi se çfarë është muzika, ku shkon ajo, dhe ç’bëhet me të. Me të dhe me këngëtarët! Për t’u mahnitur nga gjuha elokuente që heroi kombëtar së bashku me duetet dhe ariet, dhuroi falë kopsitjes së Prenkës. Harmonisë së melodisë, psikologjisë dhe veprimeve skenike.

Romancat apo kantatat e Prenkës nuk harrohen. ‘’Margjelo’’ kjo malësore nuk mundet mos na shoqërojë jetën tonë dhe në këtë kohë moderne, madje dhe me kosore dhe tuj vrapue.

Megjithëse jeta mes notave, krijimeve, muzikës, partiturave e pianos do e rëndonte gjendjen nervore. Nëna e paralizuar në shtëpi prej disa kohësh, e gjurmët e realizmit në shpirtin e tij do ia shtonin stresin. Mbylljen në vete. Konfuzionin midis idesë së vërtetë të pashkatërrueshme dhe të përjetshme dhe unit jetëshkurtër. Ndoshta Prenka zgjodhi këtë mënyrë për të harruar.

Sepse, siç thotë dhe Pier Helias: ‘’Të gjallët nuk mund ta jetojnë plotësisht jetën e tyre dhe të vdekurit nuk mund të vdesin plotësisht’’.

Prenkë Jakova u hodh nga kati dytë i Shtëpisë se Kulturës, më 9 shtator 1969.