MENU
klinika

Një aventurë shqiptare e ngjashme me Kodin e Da Vinçit

Grali i shenjtë i Beratit

17.08.2020 - 06:22

Në këtë udhëtim që po bëjmë nëpër historinë e qyteteve tona, të vlerave kulturore dhe personaliteteve të shquara nuk kemi si të mos bënim një ndalesë në qytetin e vjetër të Beratit.

Nuk do ndalemi sot në vlerat arkitektonike që ka ky qytet, i njohur që nga lashtësia, por në një dokument të vjetër që tregon një nga vlerat më të jashtëzakonshme kulturore të hapësirës shqiptare, një prej dokumenteve që nga historianët quhet përmendore e traditës së shkrimeve të shenjta në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Kodikun e Purpurt të Beratit.

Dymijë vjet më parë, kur popujt e përfshirë në hapësirën biblike pranuan mendimin e krishterë, duke i sjellë kësaj bote për herë të parë barazinë më të madhe, barazinë e qenieve njerëzore ndaj vlerave hyjnore, pavarësisht nëse ishin aristokratë apo skllevër, ndoshta nuk e dinin se po ndryshonin rrjedhat e historisë.

Njeriu që e përshkroi i pari dorëshkrimin 15-shekullor të kishës së Shën Gjergjit, duke e bërë të njohur si vlerë unike e fondit botëror, ka qenë peshkopi i mitropolisë së Beratit, Anthim Aleksudhi.

Në vitin 1862 ai botoi në Athinë veprën “Vështrim historik mbi historinë e mitropolisë së shenjtë të qytetit Belegradon, tani Berat, dhe mbi dorëshkrimet e saj”, ku koleksionit të bibliotekës së mitropolisë iu kushtua një vëmendje e veçantë.

Disa vite më pas, më 1882, ishte belgu Dyshen (Ludovico Duchesne), i cili, duke bashkuar tri cilësi të dorëshkrimit: tipin e tij (kodik), ngjyrën e pergamenës (e kuqe e thellë, e purpurt) dhe emrin e qytetit (Berat), e bëri të njohur në Perëndim këtë dorëshkrim me emrin me të cilin pak kohë më vonë do të pagëzohej përgjithnjë: Kodiku i Purpurt i Beratit”.

Pier Batifol (Pierre Batiffol) nguliti emrin e dorëshkrimit të trashëguar shekull pas shekulli në bibliotekat e letërsisë ungjillore të Shqipërisë. Titulli i një monografie të botuar prej tij më 1886 në Paris mban në krye emrin “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus et les manuscrits grecs en Albanie”).

Në ekspozitën “I Vangeli dei Popoli” kodiku u vlerësua si një privilegj i rrallë dhe u vendos i dyti në radhë, për nga rëndësia dhe kronologjia, përkrah “Codice B” ose “Codice Vaticana” dhe “Codex Sinopensis” të Bibliotekës Kombëtare të Francës.

Të krahasueshëm me “Beratinus-1” janë gjithashtu dy-tre kodikë të tjerë, që gjenden në Izrael (“Sinaiticus”), në Greqi (“Petropolitanus”), në Petersburg dhe në Londër. Sipas vlerësimeve të Theofan Popës, në “Kodikun e Purpurt të Beratit” gjendet “një prej varianteve më të vjetra të tekstit të Dhjatës së Re”.

Monsinjor Francesco D’Aiuto, nënprefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, studiues i paleografisë, njohës i traditës së shkrimeve të shenjta dhe i gjuhëve të vjetra të letërsisë biblike, nën kujdesin e të cilit u bë renditja profesionale e dorëshkrimeve të ekspozitës “Ungjijtë e Popujve” (Romë, 2000), e bashkon “Kodikun e Purpurt të Beratit” me 2-3 “kodikët më të vjetër” të botës.

“Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim që i takon një periudhe jo më të vonë se gjysma e parë e shekullit të 6-të. Ka mendime se mund të jetë edhe më i hershëm.

Kalvari i KODIKUT

“Kodiku i Purpurt i Beratit” ka pasur mbijetesë të vështirë.
Nuk dihet se si i ka shpëtuar rrezikut të doktrinës, pas njësimit të teksteve biblike, por dihet mirë se, prej shekullit të 14-të, kur ishte njohur mirë tashmë vlera e tij, të paktën tri herë ky dorëshkrim i rrallë është rrezikuar për t’u grabitur:

Rrethimi i kishës gjatë Luftës së Dytë Botërore

Komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”. Ushtria naziste e rrethoi kishën e shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin.

Këshilli i kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte, nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë.

Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, këshilli kishtar i qytetit i kishte fshehur për t’i shpëtuar nga rrebeshi i luftës. Gjermanët, kur erdhën në Berat, duke e ditur ekzistencën e këtyre dy kodeve të rëndësishëm të lashtësisë sonë, kërkuan nga pleqësia kishtare e Beratit për t’i parë.

Pleqtë, duke qenë të betuar që të mos i tregonin, nuk i dorëzuan. Gjermanët, për t’i detyruar që t’i dorëzonin, i radhitën ata në rrëzë të murit të kalasë për t’i ekzekutuar, duke vendosur edhe mitrolozin para tyre.

Në atë moment, aty pranë, u ndëgjuan të shtëna pushkësh. Gjermanët menduan se po sulmoheshin, lanë pleqtë dhe ikën. Pleqtë u fshehën dhe i shpëtuan rrezikut.

Gjatë kohës së pushtetit komunist

Organet e pushtetit në Berat kishin të dhëna dhe sinjalizime nga populli se në mitropoli, në lagjen Kala, ndodheshin të fshehur dy kodikë.

Duke u nisur nga kjo e dhënë, shokët e komitetit ekzekutiv e të degës së punëve të brendshme, kontrolluan fasadën e brendshme të kishës në pjesën lindore të Ajodhimës, hoqën tri pllaka guri dhe u duk një bodrum që ishte rreth 2 metro i gjatë dhe 1,5 metro i gjerë.

Brenda në bodrum u gjend një arkë prej llamarine, brenda së cilës ishin kodikët, të mbështjella me kashtë. Kapakët ishin metalikë, ndërsa fletët e brendshme ishin pjesërisht të prishura nga lagështira dhe myku.

Gjithashtu, brenda në arkë u gjend dhe një kuti e vogël prej dërrase, ku ishte vendosur një medalion i rrumbullakët i lidhur me zinxhir, i larë me argjend. Këtë medalion e përdorte prifti në ditët e festave fetare.

Kodikët bashkë me medalionin iu dërguan nga Berati Ministrisë së Arsim-Kulturës në Tiranë, e cila më datën 21 gusht 1968 ia dorëzoi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.

E rëndësishme është që kjo vlerë e trashëgimisë kulturore të popullit tonë u ruajt me dashuri dhe gjatë kohës së persekutimit komunist ndaj besimit fetar.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit