MENU
klinika

"Trumpit i duhet për zgjedhje"

“Grenell i interesuar për një sukses Kosovë-Serbi”

15.08.2020 - 12:25

Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.

Në këtë intervistë, ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator. Një takim i ngjashëm ishte paraparë të mbahej në muajin qershor, por u anulua për shkak të njoftimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë se ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Si i komentoni këto zhvillime?

SHBA për takimin e 2 shtatorit: Përparimi ekonomik e çon përpara procesin paqësor

Thomas Countryman: Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Por, unë nuk shoh që (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq dhe (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti kanë vullnet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje kuptimplotë në takimin e Shtëpisë së Bardhë.

Radio Evropa e Lirë: Por, ambasadori Grenell është emëruar në këtë pozitë në tetor të vitit 2019. Ai nuk ka qenë një vit elektoral. Bisedimet e ndërmjetësuara nga ai prodhuan disa marrëveshje mes dy vendeve. A mendoni se Shtetet e Bashkuara më shumë janë të interesuara që të zgjidhin përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Thomas Countryman: Është një pyetje e vështirë kur thoni; a janë Shtetet e Bashkuara të interesuara? Presidenti Trump është i interesuar nëse kjo do t’i ndihmonte në fushatën zgjedhore. Pikë. Ndërsa mendoj se Grenell është i interesuar për një sukses. Ka pasur sukses të kufizuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por, është një pyetje e hapur nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë si një interes që nuk është për përfitim të drejtpërdrejtë të Donald Trump.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian po e ndërmjetëson një proces dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se ekziston një rivalitet mes Uashingtonit dhe Brukselit që të mundësohet arritja e një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë?

Thomas Countryman: Mendoj se nuk ka të bëjë me rivalitet, por qartazi me një mungesë bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-së. Bashkimi Evropian udhëheq një proces më sistematik sesa ai i SHBA-së. BE-ja është e fokusuar në zgjidhjen e një spektri më të gjerë të çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vend të një deklarimi politik të udhëheqjes së dy qeverive. Qasja e SHBA-së është e ndryshme. Por, unë nuk mendoj se do të ketë çfarëdo suksesi, derisa SHBA-ja dhe BE-ja të bëhen bashkë në të njëjtën frekuencë.

Radio Evropa e Lirë: Ambasada amerikane në Serbi, tha se takimi i paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon. A mendoni se ftesa për takim është bërë vetëm me qëllimin e mbështetjes së dialogut në Bruksel, apo ka diçka më shumë?

Thomas Countryman: Unë vërtetë shpresoj se Shtëpia e Bardhë do të nxisë të dy liderët të angazhohen në mënyrë më aktive dhe konkrete në dialogun e Brukselit. Kjo është më e pakta që një takim i tillë do të duhej të arrinte. Nuk mendoj se mund të prisni diçka më shumë se kjo nga ky takim.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim për pozicionet e Kosovës dhe Serbisë në dialog. Në njërën anë kemi presidentin Vuçiq i cili gëzon një fuqi të konsiderueshme politike në Serbi, dhe në anën tjetër, kryeministrin Hoti i cili ka një fuqi më të dobët politike. A mund të ketë kjo ndikim në dialog?

Thomas Countryman: Nga këndvështrimi im, asnjëra nga qeveritë nuk është vërtetë e përgatitur, në këtë kohë, që të marrë vendime të vështira në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje. Ju keni të drejtë se kryeministri Hoti nuk gëzon një bazë të pavarur politike. Në Kosovë aktualisht po zhvillohen manovra të mëdha politike. Nuk mendoj se nëse ai arrin kompromise thelbësore me Serbinë, do të mund të siguronte miratimin e tyre në Kosovë. Ju keni të drejtë që thoni se Vuçiq ka një kontroll të plotë në parlamentin serb dhe një kontroll të plotë në mediat serbe. Ai po angazhohet për të minuar çfarëdo organizate joqeveritare të pavarur apo mediat. Pra, kjo është një “dorë e fuqishme”.

Por, unë mendoj se ai (Vuçiq) shpreson se një marrëveshje me Kosovën do të mundësonte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai është fokusuar gabimisht. Për mendimin tim nuk duhet të ketë perspektivë për Serbinë që të anëtarësohet në BE para se ajo të bëjë reformat të thella në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe respektimin e lirisë së mediave. Fatkeqësisht në të gjitha këto fusha Serbia ka lëvizur prapa. Këshilla ime për të dyja qeveritë (Kosovës dhe Serbisë) është që të fokusohen në reforma edhe më shumë sesa në negociata me njëra tjetrën.

Luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit dhe liria e mediave do të avanconin Kosovën dhe Serbinë në aspektin ekonomik dhe do t’i afronte këto vende me Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se qeveritë e të dyja vendeve nuk janë të gatshme për marrëveshje. Pse mendoni kështu?

Thomas Countryman: Sepse mendoj se edhe më e vështirë është për kryeministrin e Kosovës sesa për Serbinë. Siç e thatë, kryeministri Hoti nuk gëzon fuqi të madhe politike, dhe fakti se shkon në Shtëpinë e Bardhë nuk e ndryshon këtë realitet.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim pak më shumë për dialogun në Bruksel, a mendoni se ky dialog do të ketë sukses dhe a do të mundet BE-ja të bind palët për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare?

Thomas Countryman: Mendoj se do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë. Çështjet janë teknike, por në të njëjtën kohë shumë politike. Në këtë moment nuk shoh që ndonjëra prej qeverive do të ishte e gatshme të bëjë kompromis në çështje të mëdha politike, përfshirë njohjen e dyanshme.

Pra, jam optimist në procesin e Brukselit në kuptimin afatgjatë, sidomos nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë më shumë për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar me Bashkimin Evropian. Pra, jam optimist në kuptimin afatgjatë të procesit. Por, kam pritje të kufizuara për muajt e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Ju, kur prisni se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve?

Thomas Countryman: (Qesh) Para se të kthehet Mesiah (Profeti). E kam të pamundur të bëj një parashikim.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë