MENU
klinika

Besimtar me çrregullime mendore

Haxhi Qamili, shqiptari më injorant që njeh historia jonë!

19.08.2020 - 06:41

Haxhi Qamili i njohur edhe si Haxhi Zjarrmi (Sharrë, 1876 – Durrës, 16 gusht 1915) ka qenë një fshatar analfabet nga Sharra i cili qe njëri nga prijësit i kryengritjes së viteve 1914-1915 në Shqipërinë e Mesme.

Haxhi Qamil, vinte nga fshati Sharrë dhe ishte shehu i një teqeje të tarikatit Melami.
Qamili njihej si person me çrregullime mendore por shumë besimtar. Kishte shërbyer pranë bejlerëve të Tiranës të cilët i ndante në dy grupe: të mirë, ata që donin Turqinë; dhe “spiunë të kaurrëve”, ata që donin Shqipërinë e pavarur. Ishte përzënë pasi një ditë kishte ngrënë sapunin me të cilin lanin duart duke e pandehur për djathë.

Kryengritjen e nisi në mesin e majit të 1914, por zanafillën e kishte që më 1913 e kishte mbështetjen e vet në viset Shijakut, Kavajës dhe Tiranës. Kryengritja u mbështet kryesisht nga fshatarët analfabetë të cilët kishin frikë nga humbja e tokave të fituara në kohën e Perandorisë Osmane. Më 3 qershor 1914 kryengritësit të prirë nga myftiu Musa Qazim Beqari, bënë të ditur kërkesat e tyre në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellur nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një sundues osman, rivendosjen e Sheriatit, heqjen e flamurit shqiptar dhe rivendosjen e flamurit osman.

Kryengritja korri sukses të ndjeshëm në Shqipërinë e Mesme, duke mundur të kapej Lushnja dhe më 1 shtator Vlora. Dy ditë më pas, Princ Vidi u detyrua të braktiste mbretërinë e tij gjashtëmujorshe dhe kryengritësit nxorrën ligjin për ribashkimin me Perandorinë Osmane.

Qamili ishte bërë njëri ndër prijësit e kryengritjes. Me anë të ca veprimeve energjike, në dukje të drejta u ngjit shpejtë dhe u bë terrori i njerëzve të shkolluar dhe patriotë. Për thuajse një vit ishte njeriu që kontrollonte Shqipërinë e Mesme. Nga fundi i nëntorit të 1914, kryengritësit dolën ngadhënjyes në Tiranë, më 12 shtator shkrumbuan sarajet e Esad pashë Toptanit në Derven. Janarin e 1915 kryengritësit me Qamilin në krye bënë një mbledhje në Tiranë, ku vendosën se qeveria e Esad Pashës ishte jolegjitime dhe duke pohuar neutralitetin e shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore. Më 9 maj 1915 në Tiranë, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, u zgjodh komandant i përgjithshëm.

Inspirimi i Haxhi Qamilit ishte Musa Qazimi, myftiu lokal i cili mbështeste politikat e Xhonturqve. Qamili i quante të krishterët “kaurrë” (një fyerje shumë e rëndë kur iu drejtohet të krishterëve nga myslimanët) dhe “njerëz të këqinj… të cilët as Allahu nuk i do.” Përgjatë rebelimit të tij pro-turk, të krishterët u masakruan dhe u torturuan. Rebelimi turkofil gjithashtu sulmoi mësuesit patriotë shqiptarë të cilët përdornin alfabetin latin gjatë mësimit.

Motoja e rebelëve ishte “Duam, duam Babën– Turqinë!”. Ata ngritën flamurin e Perandorisë Osmane dhe vendosën turqishten osmane si gjuhë kombëtare.
Haxhi Qamili dhe rebelimi i tij kundërshtohej nga shqiptarët myslimanë. Në regjionin e Elbasanit në veçanti, udhëheqësit lokalë të komunitetit mysliman dhe personalitete tjera, denoncuan lëvizjen si “arkaike” dhe “fanatike”, shumë prej tyre e kundërshtuan me armë. Klerikët e Elbasanit po ashtu përkrahën alfabetin latin, duke kundërshtuar bindjet e Haxhi Qamilit dhe të klerikëve më konservatorë sunitë. Rebelët vranë shumë klerikë myslimanë të përfshirë në qarqet patriotike shqiptare.

Në një përpjekje për të ndihmuar Esatin e mbështetur nga italianët, Mbretëria Serbe filloi pushtimin e Shqipërisë së Mesme më 2 qershor 1915 por ndeshi në rezistencë të kryesuar nga Qamili në Qukës, ku megjithatë kryengritësit më të paktë në numër se serbët, humbën. Përmes kësaj ndërhyrjeje kryengritja u shtyp, forcat serbe arrestuan Qamilin dhe prijësit e tjerë dhe ia shpunë qeverisë së Esadit në Durrës, ku iu bë një gjyq kryesuar nga Xhelal bej Zogu dhe u dënuan me varje, Haxhi Qamili u var më 16 gusht. Përpara se të varej, Esat Pasha i tha se nëse varte me dorën e tij gjithë shokët në litar, do t’ia falte jetën. Qamili vari shokët e tij një nga një, por në fund prapë përfundoi në litar.