MENU
klinika

Mjeda - fjala shqipe e qëndisur

“In memoria aeterna manet iustus”

11.08.2020 - 14:48

        Mes emrave që vunë themelet e gjuhës dhe letrave shqipe, në gjerdanin e artë zë vend Ndre Mjeda, si njëri ndër poetët, veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, Siliqit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar. I pajisur me dije filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu përkushtua arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit. Me orientimin drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Mjeda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare dhe shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, që e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku.

Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedës është mjaft e thellë, si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja ndaj problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, mes të cilave, janë të mirënjohura poemat: “Andrra e jetës”, “Vaji i Bylbylit”, “Liria”, “Lissus”, “Scodra” etj.

Ka zënë vendin e nderit edhe në postimin e sotëm nga Kryeministri, kjo figurë e skalitur në kulturën shqiptare. Rama, ndan me publikun e gjerë, këto fjalë idilike:

?HOMAZH

Dom NDRE MJEDA, një nga klasikët e gjuhës, letërsisë dhe përpjekjeve shqiptare ndërroi qetësisht jetë në qelen e Kuklit, në gusht të vitit 1937.

Ky “pastor bonus”, në shëmbëlltyrën e Shëlbuesit t’vet, për të cilin Ernest Koliqi ka shkruar se “ia len dalë poetëve ma të ardhangët latinë”, prejardhjen e kishte prej Kryeziut të Pukës. Kreshnike prejardhja, kreshnik dhe karakteri i një personaliteti të fortë, që nxjerr krye edhe në poezitë më delikate të Domit, siç shfaqet ma s’miri tek poezia e tij “Guxo!”:

“Lundërtar qi s’rrezikohet
Kur asht deti shkumb e valë,
Vetë me vedi mos t’ankohet
Se i shkoi dita pa fitim.
Tuj u tallë e tujpritue,
Kurrgjasend nuk qitetn’dritë;
Çfarëdo sendi me fitue
Trymni lipet e guxim”

“Mijëra muzikalitetet e njimbëdhjetërrokëshit të tij”, që Camaj ia pat lëvduar këtij qëndistari të fjalës shqipe, përshkruajnë një aspekt të këtij vjershëtari të bekuar si pak të tjerë nga Muzat dhe Hiret. Dom Ndre Mjeda rrahu për dekada qendra autoritative universitare. Diku çeli shkolla edhe vetë, diku tjetër u kujdes me përkushtim për të vobektët, diku u thellua në studimet albanologjike, diku tjetër akoma i dha tharm jetës politike shqiptare, si përfaqësues i zgjedhur i grigjës së vet në ma t’parin Parlament shqiptar.

Jeta e Dom Ndre Mjedës, e pasur e frymëzuese, mishërohet bukur fort në atë qelë dhe atë kishëz neoklasike të mrekullueshme, kushtuar Shën Shtjefnit Protomartir, të cilën e ngriti me duart e veta rrëzë Malit të Kuklit në Shkodër, n’agim të të njizetit qindvjet – fatmirësisht e rimëkëmbur sot nga i palodhuri Dom Nike Ukgjini. Ndërsa vepra e Dom Ndresë është një “selva morale e spirituale”, të cilën i madhi Claudio Monteverdi, sikur t’i kishte qenë kohanik, nuk do kishte ngurruar t’ia përjetësonte në kompozimet e tij të përkora të Rinascimento-s së vonë.

“In memoria aeterna manet iustus”

#TëPAHARRUESHËM?

 

***

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij të pashoqe edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë “Agimi” me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur “Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe” (1934), “Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe” (1902).

Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për “Perikopenë e ungjillit” të shek. XIV-XV (1933).

Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).

Ndre Mjeda, mbetet mjeshtër i pashembullt i formës dhe i gjuhës poetike.

Liria
– I –
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!

“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
……………………………

– VI –
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN