MENU
klinika

Analiza

Institucionet, sa i devijojnë fondet?

15.08.2020 - 10:20

Institucionet publike shkelin në masë të madhe respektimin e përcaktimeve buxhetore, duke shpenzuar jashtë përcaktimeve fillestare. Janë më së shumti institucionet e qeverisjes vendore ato që nuk i përmbahen shpenzimeve sipas buxhetit të parashikuar në fillim të vitit.

Është një analizë të Ministrisë së Financave, të bazuar mbi auditimet e brendshme të institucioneve. Analiza vlerëson treguesin “Realizimi i shpenzimeve buxhetore sipas klasifikimit ekonomik”, i cili mat diferencën midis buxhetit të miratuar dhe buxhetit faktik në fund të vitit për çdo grup të shpenzimeve buxhetore të ndara sipas klasifikimit ekonomik. Nga vlerësimi i kryer për këtë tregues, rezultati është 1.39 pikë nga 4 maksimalet ose 34.8%, duke paraqitur një nivel të ulët të performancës së njësive lidhur me këtë tregues, krahasuar dhe me vitin 2018. Rreth 65% e shpenzimeve shmangen nga përcaktimet fillestare buxhetore.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore paraqiten me vlerësimin më të ulët për këtë tregues me 0.38 pikë (ose 9 %), ku kryesisht evidentohet se llogaritë me treguesin më të ulët janë ato të investimeve dhe subvencioneve, i cili lidhet me afatet kohore që në shumë raste tejkalohen duke vështirësuar realizimin në kohë të këtyre shpenzimeve.

E njëjta gjë ndodh edhe me shpenzimet kapitale. Treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit kundrejt shpenzimeve kapitale totale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend. Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.65 pikë (16.3%), duke shfaqur një performancë jo të kënaqshme të njësive publike, duke qenë se paraqet një nivel të konsiderueshëm devijimi nga fondet e planifikuara. Ky tregues paraqitet në një nivel më të ulët dhe në krahasim me vitin 2018.

Nga të gjitha grupet e njësive të qeverisjes së përgjithshme të marra në analizë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura.

Për ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit.